Kryeministri Rama: Riatdhesimi i Mid’hat Frashërit nuk i merr askujt pjesën e vet të historisë. Mjaft kemi gjykuar në mungesë

497
Sigal

Dje u riatdhesuan eshtrat e Mit’hat Frashërit në Tiranë. Në ceremoninë e pritjes të eshtrave të Mit’hat Frashërit mori pjesë edhe kryeministri Rama, i cili tha se akti i qeverisë për përmbushjen e amanetit të patriotit shqiptar për tu prerë në atdhe duhet të shërbejë si reflektim. Kryeministri Rama: Ky akt i kësaj qeverie gabimisht të supozuar nga përçarësit si shprehi e një pale të vjetër kundër një tjetre pale të vjetër mbase vlen dhe për një reflektim. Mjaft kemi arsyetuar dhe gjykuar në mungesë. Këtu janë eshtrat e një burri të gjykuar dhe të dënuar në mungesë jo nga një gjykatë, por nga gjyqi i pafundmë rraskapitës i historisë së shkruar nga fitimtarët për të poshtëruar të mundurit. Kryeministri theksoi se kthimi i eshtrave të Mid’hat Frashërit nuk i merr akujt pjesën e tij të historisë dhe aq më pak secilit prej nesh aftësinë e arsyetimit apo gjykimit. Rama: Një varr nuk e mbulon kurdoherë një njeri të vdekur, shumë herë jeta e vërtetë, rrojtja shpirtërore fillon kur mbaron fryma, nuk ka të bëjë zhdukja e trupit. Në qoftë se ideja rron, ku ajo ide ngjall njëmijë shpresa dhe entuziazëm tek të tjerët dhe bashkë këto janë jetë e vërtetë. Mid’hat Frashëri ishte dhe mbetet sot e gjithë ditën një shembull i gjallë, ndërkohë që shumëkush nga ata që ishin dhe e përdorën si një shembull kundër të gjallëve sot janë të vdekur dhe të pa nderuar. Ai Ndërtoi një patriotizëm të shpenguar nëpërmjet zemrës siç vetë ai shkruan: “Nuk bëhet gjësendi me smirë dhe urrejtje!”