Kryeministri Rama pranon që Administrata ka “shushunja”, por nuk thotë kush i emëroi

608
Sigal

Kryeministri Rama edhe një herë propagandoi platformën e vet elektronike, e cila, siç pohon vetë, u zgjidh tashmë të gjitha hallet dhe problemet qytetarëve. Dje, kryeministri Edi Rama u ka kujtuar edhe njëherë qytetarëve platformën e bashkëqeverisjes ku mund të shkruajnë problemin e tyre dhe të marrin zgjidhje. Eksperienca e deritanishme në shifra për këtë platformë për kryeministrin Rama është e suksesshme. Kryeministri Rama tha: 4439 qytetarë i janë drejtuar platformës qysh prej 1 korrikut. Ka kaluar 50 mijë numri i qytetarëve që janë përfshirë në platformë. Për të ilustruar suksesin dhe për ta bërë platformën tërheqëse për njerëzit, kryeministri kishte ftuar në zyrën e tij edhe njerëz, të cilët nëpërmjet kësaj mënyre kishin marrë zgjidhje për problemin e tyre. Rama tha se platforma e bashkëqeverisjes është rruga më e shpejtë për të zgjidhur hallet pa pasur nevojën e mikut, apo ryshfetit. Kryeministri Rama pohoi se në administratën publike ka akoma “shushunja”, domethënë nëpunës të shtetit, por kryeministri Rama “harroi” të thoshte se cilët i emëruan shushunjat në administratën publike, përse ende “shushunjat” janë në administratë, derisa ka bindjen se janë të tillë? Mos vallë, zoti kryeministër Rama, “shushunjat” në administratën publike i emëroi Partia, domethënë Ti, për t’i shpërblyer për kontributin që dhanë partisë në fushatat elektorale, duke zbuar nga administrata mijëra nëpunës të aftë, por që nuk kishin teserën e partisë dhe shteti detyrohet të paguajë edhe faturën e dëmshpërblimit?! Një qytetar i ankohet kryeministrit Rama se, “Jam simpatizanti i partisë suaj, por unë ua them ato që nuk funksionojnë në administratë. Mos të jenë kaq agresive, na vijnë si xhandarë, tre katër herë në ditë. Bëjnë të kundërtën e asaj që thoni ju”, shtoi më tej ai.