Kemi bërë realitet një Shqipëri tjetër, ku këtë vit u mblodhën krejt udhëheqësit e Europës Demokratike, nga Parisi në Ankara, dhe nga Kievi në Londër për të diskutuar të nesërmen e kontinentit tonë.
Një Shqipëri tjetër, ku për 18 muaj do të mblidhen të gjithë udhëheqësit e NATO-s, për Samitin vjetor të Aleancës, që plot vende të tjera, të cilat kanë hyrë në NATO, kohë përpara nesh, ende s’e kanë patur privilegjin ta mikpresin.
Një Shqipëri tjetër, e cila ndryshe nga jo shumë vite më parë, nuk ia ul më kokën asnjë shqiptari kur del jashtë kufijve të saj, prej ku tanimë vërshojnë drejt këtij vendi miliona e miliona turistë.
Një Shqiperi tjetër, më e prekshme se kurrë në çdo skaj të saj, me Dibrën e kthyer në zgjatim të Tiranës, falë rrugës së Arbrit; me Vermoshin, Thethin e Valbonën, të kthyera në destinacione turistike, falë kthimit të shtigjeve të vjetra të dhive në akse me standarte europiane; me Shkodrën e rilindur, falë kthimit të shpresës dhe rikthimit të turizmit si burim ekonomie i tharë qysh prej viteve ’30; me Lezhën, Beratin, Korçën, Pogradecin, Gjirokastrën, Përmetin, Tepelenën, Kolonjën, e me radhë, të kthyera në qytete të rilindura e fshatra rrotull tyre, ku vejevijnë njerëz nga Shqipëria e mbarë bota dhe hapen për t’i mikpritur, dyer pas dyersh, e ku numrat e turistëve, kanë arritur në shifra që nuk imagjinoheshin kur nisi kjo dekadë; me luginën e Lumit të Vlorës, të kthyer në një aks panoramik i Shqipërisë tjetër, ku të tjera e të tjera akse të reja, autostradash, rrugësh, tunelesh të hapur në veri e në jug, me standarde europiane e ritëm të pandalur gjatë këtyre viteve, i kanë dhënë kësaj Shqipërie, jo thjesht infrastrukturë më të mirë, po energjinë ripërtëritëse të një vendi në ngjitje.
Të gjithë këtë transformim, që vazhdon e do të vazhdojë pa ndalim, me kantiere të hapura e projekte të reja, drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian, nuk e solli koha siç thonë disa, nuk e sollën as alienët apo bandat siç bërtasin disa të fantaksur të tjerë, po e solli forca jonë qeverisëse, besimi juaj tek ne dhe besimi ynë i përbashkët tek Shqiperia, e solli puna pa orar e mijëra e mijëra njerëzve, e ministrisë, agjencive shtetërore dhe kompanive private, përpjekja e madhe në shumë frontet e betejës për Shqipërinë Europiane, ku të metat, dobësitë, gabimet apo edhe rrëshqitjet ose mëkatet e disave brenda nesh, nuk e zvogëlojnë dot kurrsesi përmasën historike të një transformimi të tillë.






















