Kryeministri Rama keqinformon median e huaj për skandalin e përgjimeve

440
Sigal

Kryeministri Rama në një intervistë për Radio “Free Europa” u shpreh se zgjedhjet vendore do të mbahen më 30 qershor: “Zgjedhjet do të mbahen në të gjithë Shqipërinë. Ata që përpiqen t’i pengojnë luajnë me zjarrin në raport me ligjin”. Kryeministri tha se dekreti i Presidentit për anulimin e zgjedhjeve është antikushtetues, dhe ai mund të ankimohet në Kolegjin Zgjedhor. Por deri më tani, as Partia Socialiste e drejtuar nga Rama dhe as ndonjë parti tjetër nuk e ka ankimuar dekretin e Presidentit. dekreti i Presidentit është i ankimueshëm vetëm në Gjykatën Kushtetuese, e cila nuk funksionon prej më shumë se një viti. Kryeministri Rama komentoi përgjimet e publikuara në median gjermane “Bild”. Ai dënoi sërish prokurorët që hetuan blerjen e votave përmes frikësimit dhe kërcënimit nga anëtarë të qeverisë Rama në bashkëpunim me persona të inkriminuar, dhe vazhdoi të mbrojë ata që kanë vjedhur votat: “Përgjimet janë të prokurorisë shqiptare, që në mënyrë të paligjshme janë keqpërdorur duke thyer sekretin hetimor.” Kryeministri u shpreh se politikanët shqiptarë po përdorin përgjimet për të penguar hapjen e bisedimeve me BE, ngaqë kanë frikë nga drejtësia. “Përgjimet janë kthyer në ushqim për të helmuar njerëzit dhe opinion ndërkombëtar në prag të çeljes së negociatave. Në Shqipëri nuk e duan çeljen e negociatave, sepse fillon bashkëbisedimi për anëtarësim në kapitujt e drejtësisë. Shqipëria duhet të provojë se ka një sistem drejtësie dhe ndëshkon këdo kur ata shkelin ligjin dhe këtë e dinë organizatorët e këtij plani dhe nxitësit e tij.” Por faktikisht hapja e bisedimeve me BE-në nuk pengon prokurorinë të hetojë këdo politikan që shkel ligjin, përfshi ish-deputetët e opozitës, të cilët që prej lënies së mandateve nuk kanë më imunitet. Së dyti, arsyeja se përse BE nuk i hapi bisedimet me Shqipërinë është mosplotësimi i pesë kushteve nga qeveria, ku ndër më të rëndësishmet janë lufta ndaj krimit të organizuar dhe ndalimi i emigracionit të paligjshëm.