Kryeministri Rama: Ja kur nisin punimet e akseve kryesore në Veri

559
Kryeministri Edi Rama foli dje me afate konkrete për nisjen e punimeve për disa nga rrugët kryesore, sidomos në veri të vendit. Nga Lezha ku vijon turi i llogaridhënies, kryeministri deklaroi se brenda majit do të nisë ndërtimi i Rrugës së Arbrit që nuk do të ndalojë deri në përfundimin e plotë. Po kështu tha se në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit nis aksi Milot-Balldren. Pikërisht duke u ndalur tek kjo rrugë, (në hyrje të Lezhës) tha se ajo do i japë fund një historie të pabesueshme, ku rruga nacionale kalon në një kthesë qorre, ku duket sikur të gjitha makinat futen aty për atë shprehjen ‘Mbaje shofer 1 minutë!’. “Kemi 31 investime të nisura në këtë territor, të cilat janë në punë e sipër. Kemi tre ndërhyrje shumë të rëndësishme, njëra e vogël në përmasa, por shumë e rëndësishme për plazhin e Shëngjinit, prej 3 km, të cilën pas mbledhjes së qeverisë dhe pasi dëgjuam me vëmendje biznesin tani është vetëm çështje vendimmarrjeje, sepse së shpejti mbyllet edhe gara por do vendosim, nëse do fillojmë punën menjëherë apo do e lëmë pas sezonit për të mos krijuar kaos. Po kështu dy projekte të tjera të rëndësishme për nga impakti ekonomik dhe social, projekti i autostradës Milot-Balldren dhe rruga Shëngjin-Velipojë. Ky projekt është një aks prioritar, potencial i jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit. Krijon një lidhje të shpejtë mes këtyre dy pikave.

Kemi kaluar një fazë të vështirë të mbushjes së gropës së borxheve që gjetëm por tani jemi gati për t’i hapur këto kantiere të mëdha. Më vjen shumë mirë, megjithëse kjo s’ka lidhje me Lezhën, por them se brenda majit do çelim kantierin e Rrugës së Arbrit. Do fillojë dhe nuk do të ndalet më puna deri kur të ketë mbaruar plotësisht. Do ta bëjë Dibrën zonë të integruar me kryeqytetin dhe do të çelë një potencial shumë të madh edhe për zhvillimin e agro-turizmit në gjithë atë krah që ka bukuri përrallore të paprekura që shumëkush nuk i ka parë dot për shkak të mungesës së rrugës. Rruga Milot-Balldren do të fillojë besoj deri në muajin shtator, fund gushti, fillim shtatori. Kemi aktin strategjik Thumanë-Kashar që do të bëjë të mundur që i gjithë komunikimi mes Lezhës, Shkodrës, Kukësit, Kosovës të jetë me standarde të tjera”, deklaroi kryeministri. Rama tha se rrugët do jenë të standardeve ndërkombëtare, të mirëfillta dhe pati edhe një përgjigje për akuzat se qeveria ndan Veriun nga Jugu. “Për të gjithë ata që bëjnë teorinë e tmerrshme të ndarjes me Veriun e Jugun dhe që përpiqen në mënyrë të vazhdueshme dhe shumë hileqare të na lënë ne atë faturën e një imazhi sikur jemi më pak të interesuar për Veriun ju them se pjesa më e madhe e programit 1 miliard për rindërtim është nga Tirana e lart. Me programin 1 miliard do ketë vetëm një aks për pjesë ne poshtme, që është nga dalja e Vlorës deri tek tuneli i Llogarisë. Zona nuk ka nevojë vetëm për infrastrukturë, zona ka nevojë për një mbështetje të rëndësishme edhe për zhvillimin rural. Ne kemi miratuar për këtë vit fondin më të madh të mbështetjes fermere. Së shpejti në këtë zonë do të ketë një numër të konsiderueshëm përfituesish nga aplikimet”, u shpreh kreu i qeverisë.
Sigal