Kryeministri Rama bisedë telefonike me homologun grek Tsipras: Retorika nacionaliste minon klimën e besimit

442
Sigal

Në një kohë kur ka pasur përplasje deklaratash mes dy vendeve, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një telefonatë me homologun e tij grek, Alexis Tsipras. Sipas mediave greke, mësohet se ky komunikim është mbajtur me kërkesë të kreut të qeverisë tonë.

Po sipas këtyre burimeve, në fokus të bisedës ka qenë forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve. Ndër të tjera mësohet se Tsipras kritikoi retorikën nacionaliste, që sipas tij minon klimën e besimit. Po ashtu, kryeministri grek theksoi se duhen hapa konkretë për bashkëpunim mes dy vendeve.

Kryeministri Rama dha dje një intervistë për televizionin “Skai”, e cila do të transmetohet sot në mbrëmje ku do të jetë personazhi kryesor i emisionit “Histori”, që përbëhet nga katër gazetarë të njohur të medias grek. Intervista është paralajmëruar prej ditësh nga televizioni “Skai”, në promon e të cilit thuhet se Edi Rama do të flasë për çështjet që shqetësojnë marrëdhëniet shqiptaro-greke.
Deklaratat e bëra së fundmi nga kryeministri shqiptar janë trumbetuar nga mediat greke, disa prej të cilave e kanë cilësuar si një politikan nacionalist që po mban një kurs tensioni dhe përplasje me Greqinë.

Megjithëse në krye të qeverisë shqiptare prej 3 vitesh dhe me disa çështje të mbetura pezull, Rama nuk ka bërë ende asnjë vizitë zyrtare në Greqi. Nga ana tjetër kryeministri grek, Aleksis Cipras ka anuluar vizitën në Tiranë, të planifikuar dhjetorin e kaluar. Sot në mbrëmje kryeministri do t’i përgjigjet interesit të gazetarëve grekë për disa nga çështjet që preokupojnë të dy vendet, duke nisur nga marrëveshja e detit, tek çështja çame e deri tek arrestimi i shoferëve të ministrisë së Jashtme shqiptare që transportonin libra, të cilat Gjykata e Janinës i cilësoi materiale propagandistike.