Kryeministri Rama apel Policisë: Luftë pa kompromis kundër shkelësve të ligjit, që nga të “fortët” që gjakosën ish-Bllokun

495
Sigal

Kryeministri, Edi Rama, lëshoi akuza ndaj medias dhe opozitës që, sipas tij, po baltosin punën e policisë dhe po krijojnë një perceptim të gabuar tek qytetarët në raport me rendin dhe sigurinë në vend. Kryeministri Rama në një takim me drejtuesit e Policisë së Shtetit kërkoi më shumë angazhim të uniformave blu në luftën ndaj krimit. Edi Rama: Shpifjet mediatike për të krijuar tek njerëzit e këtij vendi perceptimin e pasigurisë dhe kriminalitetit të dalë jashtë kontrollit meriton një kundërpërgjigje. Si kundërpërgjigje shumëfishimin imediat ndaj krimit dhe çdo shkelësi të ligjit, që nga të fortët e llojit të atyre që sollën përgjakjen më mes të Bllokut në Tiranë, deri tek kundërvajtësit, që shkelin rregullat e qarkullimit, dëmtojnë mjedisin, apo cenojnë në një formë, apo tjetër qetësinë e komunitetit. Kriza ulëritëse e politikës që synon të helmojë gjakun dhe errësojë sytë e publikut është një mundësi që duhet shfrytëzuar për të dhënë gjithçka, një shtysë për të mbledhur të gjitha fuqitë dhe ngjitur në një shkallë tjetër policinë e shtetit. Kriminaliteti matet me statistika, por vlerësohet dhe me perceptim. Statistikat janë nga dje dhe sot në anën tonë, flasin qartë se ku ishte dhe ku është vendi në raport me krimin vit pas viti. Por lufta e egër politike dhe mediatike për të krijuar perceptimin e kundërt as nuk do ndalet, as do zbutet. Vetëm do përshkallëzohet. Më shumë shpifje, fabrikime, aktorë audiosh dhe videosh: Krimi, krimi. Krimi në konferencë, krimi në postim, krimi në debat, krimi në komente, krimi në mëngjes, drekë, darkë. Puna juaj është të kundërpërgjigjeni ndaj kësaj barbarie politike dhe mediatike me fort dhe më qartë se asnjëherë me shumë më tepër rezultate se deri më sot, në çdo drejtim dhe shumë më shpejt se deri sot.