Kryeministri i Kanadasë Trudeau: 2000 $ në muaj për të gjithë qytetarët

471
Sigal

Kryeministri i Kanadasë deklaroj se të gjithë qytetarët kanadez, pavarsisht se janë pa punë, kanë humbur vendin e punës, janë të sëmurë dhe gjithçka tjetër do të paguhen nga qeveria me një vlerë prej 2000 dollarë për 4 muaj rreshtë.

Nga Armando Mosho

Qeveria e Kanadasë është duke ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe efektive për të mbrojtur qytetarët dhe ekonominë nga ndikimet e pandemisë globale COVID-19. Në disa dalje të përditshme zyrtarët më të lartë kanadezë kanë siguruar qytetarët se askujt nuk do t’i duhet të zgjedhë midis mbrojtjes së shëndetit, sigurimit të ushqimit në tryezë, pagimit të ilaçeve apo kujdesit për një anëtar të familjes.

Për të mbështetur punonjësit dhe për të ndihmuar bizneset të mbajnë punonjësit e tyre, qeveria miratoi paketën për krijimin e Canada Emergency Response Benefit (CERB).

Ky përfitim i tatueshëm do të sigurojë 2,000 dollarë në muaj, për një periudhë deri në katër muaj për punonjësit që humbasin të ardhurat e tyre si rezultat i mbylljes së aktiviteteve apo shkurtimit të personelit si pasojë e lock-down të detyruar nga pandemia COVID-19. Përfituesit nga CERB janë kategoritë si vijojnë:

1) ata që kanë humbur vendin e punës nga situata e krijuar;

2) të sëmurët, të karantinuarit ose ata që kujdesen për dikë që është i prekur nga COVID-19;

3) prindërit që vijojnë të jenë në marrëdhënie pune, por që iu duhet të qëndrojnë në shtëpi pa pagesë, për t’u kujdesur për fëmijët që janë të sëmurë ose për shkak të mbylljes së shkollës;

4) punëtorët me kontratë dhe individët e vetëpunësuar të cilët nuk kualifikohen për t’u  paguar përmes Eployment Insurance;

5) punëtorët që janë ende të punësuar, por që nuk po marrin të ardhura për shkak të ndërprerjeve të punës pas fillimit të lock-down;

Nisur nga fakti që sistemi i Employment Insurance (EI) nuk do ishte në gjendje për të përpunuar vëllimin e lartë e të paparë të aplikacioneve të pranuara gjatë javës së kaluar, qeveria e Kanadasë ndërhyri duke implementuar këtë metodologji të shpejtë, lehtësisht të arritshme nga të gjithë ata që kanë ndërprerë punën ose aktivitetin për shkak të COVID-19.

Pavarësisht nëse janë apo jo të kualifikueshëm për EI, të gjithë të interesuarit do të jenë në gjendje të përfitojnë prej CERB për të siguruar në kohë të ardhurat që iu duhen për jetesën e përditshme.

Qytetarët që tashmë marrin përfitime të rregullta prej EI, do të vazhdojnë të marrin përfitimet e tyre dhe nuk do t’u duhet të aplikojnë në CERB. Nëse përfitimet e tyre të EI mbarojnë para 3 Tetor 2020, ata mund të aplikojnë për CERB nëse nuk janë në gjendje të kthehen në punë për shkak të COVID-19.

Ata që kanë aplikuar tashmë për EI dhe aplikimi i të cilëve nuk është përpunuar ende nuk do të duhet të riaplikojnë, ndërsa ata që kanë të drejtë për përfitime të rregullta dhe përfitime nga EI ende do të jenë në gjendje të përdorin përfitimet e tyre normale të EI, nëse janë ende të papunë, pas periudhës 16-javore të mbuluar nga CERB.

Nëpërmjet këtyre ndryshimeve në legjislacion, qeveria kanadeze po punon që të dërgojë sa më shpejt që të jetë e mundur likuiditete në portofolet e qytetareve. Portali për të hyrë e aplikuar në CERB do të jetë në dispozicion në fillim të Prillit.

Qytetarët do të fillojnë të marrin pagesat e tyre CERB brenda 10 ditëve nga aplikimi. CERB do të paguhet çdo katër javë dhe do të jete në dispozicion nga 15 Mars 2020 deri më 3 Tetor 2020.

Ky plan përfitimi është pjesë e Planit të Reagimit Ekonomik të qeverisë ndaj situatës se shkaktuar prej COVID-19, për të mbështetur punonjësit dhe bizneset kanadeze si dhe të ndihmojë në stabilizimin e ekonomisë duke mundësuar cilindo të paguajë për shpenzimet themelore si strehimi dhe sendet ushqimore. Gjithashtu synon edhe ndihmën ndaj bizneseve për të paguar punonjësit dhe faturat e shpenzimeve fikse gjatë kësaj kohe pasigurie globale.

Të gjithë të interesuarit mund të gjejnë më shumë informacion në link-un e mëposhtëm:

Emergjenca Covid-19

*Armando Mosho është ekspert i sektorit bankar me banim në Mississauga, Ontario