Sigal

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi zhvilloi një takim me anëtarët e LSI në qytetin e Kavajës. Në këtë takim, Kryemadhi duke e cilësuar Kavajën qytetin e demokracisë, foli për protestën e  madhe të opozitës të 16 shkurtit. Kryemadhi tha se protestat e opozitës nuk fillon dhe nuk mbaron në 16 shkurt. Ajo tha se në 16 shkurt të gjithë shqiptarët pa dallim bindjesh dhe ideologjie do të mblidhen për rrëzimin e kryeministrit Rama, pasi siç theksoi Kryetarja e LSI-së, largimi i kryeministrit që po shkatërron Shqipërinë nuk është një aksion politik, por është një mision kombëtar. “16 Shkurti do të jetë një datë që ne do të mblidhemi të gjithë, do të mblidhemi të gjithë pa dallim bindjesh politike sepse nuk është më çështje ideologjie dhe as rrotacioni politik. Tashmë situata, në të cilën ndodhet Shqipëria është mjaft alarmante. Largimi i këtij Kryeministri që ka marrë peng PS-në, qeverinë dhe Parlamentin, nuk është më vendim politik dhe as aksion politik. Largimi i këtij njeriu është mision kombëtar, sepse çdo ditë e më shumë ky njeri jo vetëm grabit Shqipërinë, jo vetëm grabit të varfrit, jo vetëm shkatërron Shqipërinë, por ky njeri çdo ditë e më shumë po shkatërron familjen e tij, njerëzit e tij, rrethin e tij familjar, sepse nuk e kupton që ka hyrë në një rrugë pa kthim. Kur krimi të kap nga koka, nuk të lëshon më. Prandaj të iki Edi Rama që të shpëtojë Shqipëria dhe shqiptarët një orë e më përpara”, tha Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

 

Fjala e plotë e Kryetares së LSI-së

 

Mirëmbrëma miq, motra dhe vëllezër. Që nga kjo sallë në fakt duket e vogël që brenda saj ka një zjarr të paparë dhe më shumë se kushdo tjetër e dimë ne politikanët që një sallë në Kavajë kur mbushet plot do të thotë se diçka do të ndodhë, do të thotë që diçka po vjen. E tha Bakiu pak më përpara që Kavaja është qyteti i demokracisë. Në fakt është qyteti i demokracisë, por mbi të gjitha është qyteti i revoltës ku nga ky qytet filloi e gjithë lëvizja demokratike e 27 viteve apo e 28 viteve më parë. Filloi ajo lëvizje që solli në fakt ndryshimin e gjithë Shqipërisë dhe jam e bindur që edhe sot ku ne jemi vetëm një pjesë e qytetit të Kavajës, jemi vetëm një pjesë e politikës së qytetit të Kavajës. Do të fillojë dhe do të vlojë akoma dhe më shumë sepse kavajasit janë ata, të cilët jo vetëm që e ndjejnë, por janë ata, të cilët përmbysin çdo regjim që mundohet t’i marrë frymën qytetarëve të saj.

Ne sot kemi një datë, që është data 16 Shkurt, data e fillimit të protestave të opozitës. Por për hir të së vërtetës protesta e shqiptarëve as nuk fillon dhe as nuk mbaron me 16 Shkurt. Protesta e shqiptarëve ka filluar me protestën e banorëve të Unazës së Re, të cilët zbërthyen dhe zbardhën skemën e mashtrimit dhe të vjedhjes sesi qeveria e Rilindjes vjedh shqiptarët . Kemi protestën e studentëve që shkon në ditën e 47të apo 48-të të atyre studentëve, të cilët hapur dhe pa asnjë lloj organizimi, por përkundrazi u solidarizuan me njëri tjetrin kundër grabitjes, kundër zhvlerësimit dhe kundër indiferencës së kësaj qeverie, e cila ka qenë gjithmonë indiferente ndaj qytetarëve të saj.

Protesta e 16 Shkurtit as nuk fillon dhe as nuk mbaron me 16 Shkurt sepse janë bizneset e vogla, të cilat çdo ditë edhe më shumë po falimentojnë dhe po mbyllen për shkak të taksave të larta. Prandaj, protesta e bizneseve të vogla ka ditë që ka filluar, ka ditë dhe muaj që ka filluar dhe pse ne nuk e shikojmë. Është protesta e naftëtarëve, është protesta e minatorëve, është protesta e mësuesve, të cilët presin që të merrnin pagën 13, por nuk mund ta merrnin. Është protesta e mjekëve dhe infermierëve, të cilët çdo ditë dhe më shumë po largohen nga Shqipëria sepse nuk e kanë të mundshme për të punuar dhe për të pasur pagesën që ata duan. Është protesta e pensionistëve, është protesta e pensionistëve sepse janë ata, të cilët me pensionin e tyre qesharak nuk arrijnë dot të paguajnë dritat dhe ujin dhe jo më ilaçet.

16 Shkurti do të jetë një datë që ne do të mblidhemi të gjithë, do të mblidhemi të gjithë pa dallim bindjesh politike sepse nuk është më çështje ideologjie dhe as rrotacioni politik. Tashmë situata, në të cilën ndodhet Shqipëria është mjaft alarmante. Pse e them këtë? E them këtë sepse 80% e popullit të Kavajës kanë fëmijët e tyre që janë emigrantë në Itali apo dhe në shumë vende të tjera të Bashkimit Europian. Dhe jam e bindur që edhe Kavaja është një nga qytetet që mund të ketë përqindjen më të lartë për të pasur Shqipërinë në BE.

Ju e dini shumë mirë se si djemtë dhe vajzat e Kavajës, punojnë në Itali, punojnë në Francë, në Gjermani, në Greqi e kudo dhe ju e dini shumë mirë se si pjesa më e mirë e familjeve të Kavajës mbahen me paratë që djemtë e saj i dërgojnë këtu. Këtu e kupton shumë mirë edhe dëshirë që ka populli i Kavajës për të qenë pjesë e Bashkimit Europian dhe që të jesh anëtare e saj, Shqipëria duhet të hapi negociatat në qershor. Që ti hapësh këto negociata, politika duhet të bëjë disa detyra, që fillojnë njëra pas tjetrës, me reforma, me dialogun politik, me respektin që qeveria duhet të ketë ndaj qytetarëve të saj, por mbi të gjitha me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Që të hapen këto negociata duhet një vullnet politik. Vullneti politik kurrë nuk i ka munguar opozitës, por përkundrazi opozita shumë herë ka dalë mbi veten e saj, mbi aksionet e saj politike, vetëm e vetëm për ti dhënë mundësinë dhe për ti dhënë shansin Shqipërisë për t’u hapur negociatat.

Çdo ditë e më shumë jo vetëm shqiptarët, jo vetëm të rinjtë e të rejat, por edhe ndërkombëtarët po e kuptojnë se si problemi i hapjes së negociatave nuk qëndron as te shqiptarët që po varfërohen çdo ditë e më shumë, as te opozita që po tregohet tolerante çdo ditë e më shumë, por problemi qëndron te një njeri i vetëm. Nuk qëndron as te Partia Socialiste, por qëndron te një njeri i vetëm që ka marrë peng PS-në, qeverinë dhe Parlamentin. Ky është Edi Rama!

Prandaj që Shqipëria të jetë një vend si të gjithë vendet e tjera të BE-së, sepse o i takon Shqipërisë për të qenë evropiane, o s’i takon vendi tjetër, se është në mes të Europës. Prandaj për t’u hapur dhe për ta pasur Shqipërinë një vend europian, ashtu siç e meritojnë të rinjtë dhe të rejat shqiptare, ashtu siç e meriton populli shqiptar, ne nuk kemi zgjidhje tjetër. Të largojmë Edi Ramën në mënyrë të tillë që t’i krijojmë shanse të barabarta të gjithë shqiptarëve kudo që janë, pa dallim bindje politike, pa dallim feje, pa dallim krahine dhe ideje.

Largimi i këtij Kryeministri që ka marrë peng PS-në, qeverinë dhe Parlamentin, nuk është më vendim politik dhe as aksion politik. Largimi i këtij njeriu është mision kombëtar, sepse çdo ditë e më shumë ky njeri jo vetëm grabit Shqipërinë, jo vetëm grabit të varfrit, jo vetëm shkatërron Shqipërinë, por ky njeri çdo ditë e më shumë po shkatërron familjen e tij, njerëzit e tij, rrethin e tij familjar, sepse nuk e kupton që ka hyrë në një rrugë pa kthim. Kur krimi të kap nga koka, nuk të lëshon më. Prandaj të iki Edi Rama që të shpëtojë Shqipëria dhe shqiptarët një orë e më përpara.

Ju e dini më mirë se kushdo tjetër, sepse Kavaja është një qytet që për hir të së vërtetës ku kalojnë të gjithë rrugët që të çojnë në jug të Shqipërisë dhe biznesi e ekonomia, gjithmonë kanë qenë pjesë përbërëse e jetës tuaj ekonomike, por dhe shoqërore. Jam e bindur që biznesi i Kavajës e ndjen më shumë se kushdo tjetër, se si ekonomia shqiptare po tkurret çdo ditë edhe më shumë dhe tkurret për shkak të taksave të larta, tkurret për shkak të çmimit të lartë të energjisë elektrike, tkurret për shkak të shumë e shumë detyrimeve apo edhe gjobave që u vendosen bizneseve sepse për të mbushur thesin e buxhetit të shtetit, qeveria paratë e të varfërve i fut në xhepin e oligarkëve, ndërkohë që biznesin e ndershëm e masakron dhe e sakaton me gjoba.

Jam e bindur që biznesi është ai që është sot, më i zemëruari me këtë politikë, me politikën e gjobave dhe me politikën e hakmarrjes sepse qeveria e Rilindjes nuk  e ka parë biznesin si partner, ku biznesi paguan taksa, paguan detyrimet e tij dhe këto para përdoren për të zhvilluar infrastrukturën, për të krijuar një sistem që ekonomia shqiptare të rritet dhe duke u rritur ekonomia shqiptare ne krijojmë më shumë vende të reja pune, ne ju japim më shumë shanse të rinjve dhe të rejave që të qëndrojnë në Shqipëri dhe jot ë largohen si emigrant pa identitet në rrugët e Evropës.

Qeveria e Edi Ramës e ka parë biznesin si armik, nuk e ka parë biznesin si partner, dhe nëse një qeveri do të shikojë biznesin si armik, sigurisht që ajo qeveri jo vetëm ka nënshkruar fundin e saj, por ajo qeveri ka shkatërruar ekonominë dhe të ardhmen e vendit, prandaj ne nuk kemi zgjidhje tjetër, ne kemi vetëm një rrugë, rrugë e cila do të na çojë drejt zhvillimit të Shqipërisë. Kemi një rrugë, e cila do të na çojë drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe rruga e vetme është rrëzimi i kësaj qeverie që nuk përfaqëson gjë tjetër veçse krimin e organizuar dhe që nuk përfaqëson gjë tjetër veçse një grup njerëzish që i varfëron çdo ditë edhe më shumë shqiptarët.

Prandaj largimi i kësaj qeverie një orë dhe më përpara do të jetë shpëtim për shqiptarët, do të jetë një ekonomi më e mirë për shqiptarët, do të jetë një arsim më i mirë për shqiptarët, do të jetë një shëndetësi më e mirë për shqiptarët, do të jetë një zhvillim më i mirë dhe më i begatë për shqiptarët dhe fëmijët e shqiptarëve.

Të them të drejtën unë kam ardhur disa herë në Kavajë, qëkur kam qenë anëtare e Forumit Rinor Eurosocialist Shqiptar, kur në atë kohë kandidonte për Partinë Socialiste, Sali Vogli. Pse e them këtë? Dhe në fakt që të dilje në atë kohë për PS, jo, e them këtë sepse për të kuptuar frymën e asaj që është shumë e rëndësishme, dhe që të dilje në atë kohë dhe të thoje jam me Partinë Socialiste ishte si një lloj mëkati, por vitet kaluan dhe çfarë kuptuam, çfarë kuptova unë për veten time? Nuk ka rëndësi se çfarë flamuri partie mban në Kavajë, rëndësi për Kavajën dhe kavajasit ka që t’i duash njerëzit, t’i respektosh dhe t’i jesh mirënjohës këtij populli, mikpritës dhe të dashur dhe unë mendoj që kavajasit dhe kavajaset janë njerëz të mrekullueshëm, dhe jam e bindur që ndryshimi do të fillojë nga Kavaja. Pse do të fillojë nga Kavaja? Sepse edhe në ’90-n nga Kavaja filloi. U ngritën studentët, por më pas u ngritën punëtorët e Kavajës, punëtorët e Tiranës, iu bashkuan atyre dhe e përmbysën atë regjim.

Vetëm se ka një ndryshim të vogël, në ’90-n shqiptarët përmbysën një bust, por edhe një sistem. Në 2019-n do të përmbysin një klikë dhe një sistem shumë më të inkriminuar dhe shumë më të keq se ai sistem që kaluam. Pse? Sepse sistemet ideologjike janë sisteme ideologjike, por sistemet kriminale janë më të poshtra, sepse hyjnë në çdo qelizë të familjes dhe po hyre në qelizën e një familje, ke hyrë në qelizën e një kombi.

Prandaj edhe slogani unë është shumë i thjeshtë: Ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë tuaj, ashtu sikurse luftojmë për familjet, për shtëpitë tona, ashtu duhet të luftojmë edhe për Shqipërinë, edhe për vendin tonë , sepse shqiptarët e meritojnë m shumë se kushdo tjetër.

Nuk dua të zgjatem shumë, por sinqerisht iu jam shumë mirënjohëse të gjithë grupit, duke filluar nga Bakiu, por edhe Çimi, Tosi, të gjithë shokët që janë angazhuar në të gjitha fushatat tona, sepse LSI-a nuk do të kishte rezultatin e saj të mrekullueshëm në Kavajë pa këtë grup pune, pa këtë grup njerëzish, të cilët i dhanë shpirtin LSI-së.

Por unë dua të them diçka: Vërtet marrëdhënia midis LSI-së dhe njerëzve të saj nuk është marrëdhënie materiale, por shpirtërore. Vetëm kjo do të na mbajë të gjithëve bashkë. Vetëm kjo do të na mbajë të pastër, vetëm kjo do të na mbajë të fortë dhe solidarë. Dhe vetëm kjo marrëdhënie solidare do të largojë të gjitha shushunjat që i pinë gjakun LSI-së dhe tani po jua pinë gjakun Partisë Socialiste.

Unë ju uroj me shpirt gjithë të mirat e kësaj bote. Zoti ju ruajttë dhe ju bekoftë ju dhe familjet tuaja. Faleminderit!