Sigal

Në takimin me strukturat e LSI së Mallakastrës, Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka komentuar një nga temat e nxehta të ditës, siç është votimi për uljen e taksës së dividentit nga ana e mazhorancës. Teksa argumentoi thjeshtësisht dhe me fakte mënyrën se si ky ligj favorizon oligarkët dhe ngarkon me taksa qytetarët e thjesht, Kryemadhi tha se ky ligj është shembulli më i qartë i klientelizimit dhe mënyrës se si qeveria poshtëron qytetarët e saj. “Këtu është absurditeti, këtu është edhe revolta, këtu ndihet edhe ajo ndjenja e poshtërimit që një qeveri bën ndaj qytetarëve të saj”, tha Kryemadhi e cila si më poshtë shpjegon.  “Besoj se keni dëgjuar për dividentin e famshëm, për dekretin e tatimit të dividentit, ku nga 15% do të ulet në 8%. Që t’jua bëj shumë të thjeshtë për ta kuptuar, ja çfarë ka ndodhur. Nëse një punonjës banke, nëse një mësues apo një naftëtar, apo një minator, i cili merr para më shumë se 800 mijë lekë të vjetra rrogë, apo 900 mijë lekë të vjetra rrogë, tatohem me 23% të të ardhurave të tyre. Ose ky lokali ku jemi ne sot, fitimi i tij i tatohet mbi 15%. Ama çfarë bëri qeveria ditën e enjte? Nëse një oligark fiton miliona apo miliarda euro, të cilat nuk ia ka paguar shteti, i thotë ti nuk do tatohesh 15 ose 20%, sa tatohet ky lokali që më shumë rri mbyllur se sa hapur, por do të tatohesh 8%. Dhe do të tatohesh 8% edhe për vitet e tjera që nuk ke paguar. Paratë të cilat nuk shkojnë në Buxhetin e Shtetit, janë më miliarda euro, nuk janë miliona. Janë miliarda!  Dakord këto miliarda që ti ua fale pesë vetave, po këta të tjerët që i kanë paguar çfarë do u bësh? Do u kthesh taksat mbrapsht?  Pra ju që keni paguar energjinë elektrike, që keni atë 20% e TVSH-së aty, ju që keni paguar ujin që keni atë 20% e TVSH-së, ky pronari i lokalit, ai pronari i karburantit, të tjerët që blejnë naftën, apo domatet apo specat, ju që keni paguar taksat, do të vazhdoni ti paguani prapë. Ndërsa këta që kanë fituar milionat, që i kanë futur në xhepat e tyre, jo vetëm që s’do të paguajnë, por do t’u kthejnë edhe lekët mbrapsht të viteve më përpara. Dhe qan dhe zgërdhihet me fatin e 140 mijë studentëve, të cilët kërkojnë minimumin. Pra kërkojnë kafshatën e fundit të bukës së familjeve të tyre”, deklaroi nga Mallakastra, Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.