Kryemadhi takim me gratë në Korçë: Koha për ndryshim, në 25 prilli ti japim fund tranzicionit

169
Sigal

Gjatë takimi me gra dhe vajza në Korçë, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi i ftoi ato që të votojnë më 25 prill për ndryshimin.

Sipas saj, ky ndryshim duhet të jetë ndëshkim për çdo politikan që mendon se mund të varë xhaketën dhe njerëzit e ndjekin nga mbrapa.

“Mendoj që ndryshimi është i domosdoshëm dhe mendoj se në 25 prill duhet ti japim fund tranzicionit, që ka lodhur familjen tonë, familjen e shqiptarëve, sepse kanë lindur në tranzicion dhe po mbyllin jetën e tyre në tranzicion”, tha Kryemadhi.

Sipas Kryemadhit, Shqipëria ka tranzicionin më të gjatë nga të gjitha vendet ish-komuniste.

Biseda:

-Cila është garancia që kam unë sot? Sepse prindërit e mi kanë shpenzuar për shkollën, për tarifat e universitetit, për tu veshur e mbathur, për shtëpitë me qira dhe në fund të ditës kush është vendi im i punës ku do të shkoj?

Kryemadhi: Ne dje ishim në Maliq në një familje, shkuam dhe kishte 2 fëmijë. Djalin e kishte inxhinier elektrik dhe punonte, punëtor.

Pozicionet e inxhinierëve elektrikë në shtet i kanë marrë ata me 4 klasë shkollë, pra ne kemi kthyer piramidën mbrapsht të arsimit. Kjo vjen si rezultat i mungesës së përgjegjësisë, por edhe mungesës së angazhimit që një qeveri, apo institucion duhet të ketë ndaj qytetarëve të saj.

Në fakt, Suela unë jo vetëm që të aprovoj, por ndihem mirë kur dëgjoj artikulime shumë qarta nga njerëz që jetojnë në qytete, pavarësisht se ne themi këtu në Korçë, por Korça është një qytet që ka një zhvillim të jashtëzakonshëm intelektual.

Ka elitën e saj, e cila çdo ditë dhe më shumë po vjen duke u rrudhur për shkak të mungesës së infrastrukturës, mundësive. Unë para disa ditësh isha në Elbasan.

Po mbyllen fakultetet në Universitetin e Elbasanit, në Gjirokastër, Vlorë edhe në Shkodër, po mbyllen kudo, sepse çdo ditë po pakësohet numri i studentëve. Kjo vjen si rezultat sepse janë fokusuar në dy drejtime, ose në 1 që u garanton largimin nga Shqipëria.

Të rinjtë tanë nuk e shohin të ardhmen në Shqipëri.

Kjo është një nga fatkeqësitë më të mëdha që kemi. Këtë hemorragji duhet ta stopojmë.

Mënyra për ta stopuar është shumë e thjeshtë; të rrisim përgjegjësinë e gjithsecilit nga ne për të kontribuar në mënyrën e drejtpërdrejtë, duke menduar si nëna, sepse unë nuk besoj se ka nëna në Shqipëri, që duan që fëmijët të ju ikin nga shtëpia.

Përkundrazi.

Duam ti shikojmë në shtëpi, të shikojmë fëmijët e tyre si lindin, rriten, ti përkëdhelim ato, e jo të mos kemi mundësi ti shikojmë. Kjo lloj force, lufte që bën një nënë për fëmijën e saj ne duhet ta bëjmë edhe si forcë politike për të rinjtë e të reja.

Në themelin e LSI janë të rinjtë e të rejat, janë ata që i kanë dhënë energji dhe nga ana tjetër LSI nuk do të ketë të ardhme nëse nuk do të ketë të rinj e të reja në Shqipëri, nuk do të ketë të ardhme nëse nuk investohemi tek të rinjtë dhe të rejat.

Sfida jonë si nëna, si gra është të ushtrojmë presionin tonë, si gra të angazhuara në politikë apo dhe të paangazhuara që të ushtrojmë presion ndaj politikës, të krijojmë hapësira në parashkollor, që të edukohet me dashuri për vendin, respektin për prindërit e punën, e kështu me radhë deri në momentin që bëhen profesionistë të zotë.

Kemi nevojë për kamerier, banakier, për hostes, inxhinierë elektrikë, hidroteknik, se nuk kemi inxhinierë hidroteknikë në digat e HEC, të cilët i kanë hequr nga puna për shkak të bindjeve politike dhe krijohen përmbytje pa fund në Shkodër dhe Lezhë. Kemi nevojë për inxhinierë tokash, prandaj përmbytemi.

Kemi nevojë për kimistë, për të pritur dhe zhvilluar agropërpunimin, për kompostot dhe reçelnat tona, turshitë, specat me gjizë. Konkurrencë kemi këtu mes Dibrës dhe Korçës kush i bën më të mira, por janë gjëra pa fund që duhet të bëjmë.

Nuk mendoj që vendet tona fqinj janë më të mirë se ne, si në mikpritje, turizëm, kulinari, e gjëra të tjera.

Por vendet e tjera kanë subvencione, qoftë për bujqësinë, agroturizmin, e turizmin. Ne kemi shkatërruar, mbyllur hapësirat që njerëzit tanë të konkurrojnë. Ne na duhet të punojmë vetëm për një njeri, apo dy, gjithë shteti duhet të punojë për 3 njerëz dhe prandaj njerëzit duan të ikin.

Unë do të ju ftoja që në 25 prill të gjithë bashkërisht të ju drejtohemi vendeve të votimit, të flasim me bashkëshortët, fëmijët, fqinjët, shoqërinë tonë që të shkojmë të votojmë.

Sot më i rëndësishëm është vendimi që duhet të marrim, jo flamuri politik. Ne duhet të ndryshojmë, ndryshimi duhet të jetë ndëshkim për çdo politikan që mendon se mund të varë xhaketën dhe njerëzit e ndjekin nga mbrapa.

Mendoj që ndryshimi është i domosdoshëm dhe mendoj se në 25 prill duhet ti japim fund tranzicionit, që ka lodhur familjen tonë, familjen e shqiptarëve, sepse kanë lindur në tranzicion dhe po mbyllin jetën e tyre në tranzicion.

Tranzicioni më i gjatë i të gjithë vendeve komuniste është në Shqipëri dhe në 25 prill shpresoj ti japim fund njëherë e përgjithmonë.