Kryemadhi: Pse isha skeptike për marrëveshjen Rama-Meta

435
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, deklaroi në emisionin “360 Gradë” se ka qenë skeptike në marrëveshjet midis Ilir Metës dhe Edi Ramës. “Unë kam qenë skeptike për sa i përket marrëveshjeve që Ilir Meta ka bërë me Edi Ramën për arsye të marrëdhënieve historike mes tij dhe Edi Ramës, jo si individ, por si parti politike. Në marrëveshjen e 2007-s, pa u tharë akoma boja e marrëveshjes, ai ngriti grupin e punës për ndryshimet kushtetuese si e si të godiste LSI-në. Unë kam qenë që çdo marrëveshje që bëhej të shkruhej dhe të ishte transparente. Ne kemi shumë marrëveshje që janë bërë në politikë që sot e asaj dite nuk janë transparente. Sot e kësaj dite kemi dilemat më të mëdha që nuk i japim dot zgjidhje”, u shpreh Kryemadhi. Më pas, ajo foli edhe për marrjen e drejtimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim. “Zgjedhja ime si kryetare e LSI erdhi si rezultat i disa diskutimeve dhe debateve pas zgjedhjeve, ku LSI-ja do të ishte në opozitë. Krijohet një situatë e re. Duhej një luftë frontale në Parlament dhe një riorganizim i LSI-së në terren. Z.Vasili do të përqendrohej 100% në Parlament për shkak të eksperiencës. Po ashtu në terren, kemi një situatë shumë të vështirë është e domosdoshme që strukturat e LSI-së të riorganizohen. Ilir Meta edhe mund të propozonte. Meta mund të mos ketë qenë dakord para zgjedhjeve. Mos harroni që z. Meta ka pasur Petrit Vasilit njeriun më të besuar”, u shpreh Kryemadhi. Gjithashtu, drejtuesja e LSI-së kritikoi edhe propozimin për vendosjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për biznesin e vogël. “Me vendosjen e TVSH-së për bizneset e vogla, vetëm në qytetin e Tiranës 34 mijë biznese rrezikohen të mbyllen. Sikur nga një person të kenë të punësuar i bie 34 mijë njerëz të dalin në rrugë”, nënvizoi Kryemadhi.