Kryemadhi për Ministren e Drejtësisë: Hiq dorë nga shantazhimi ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Po shkel rëndë ligjin

458
Sigal

Nga Seanca Parlamentare, Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi i ka kujtuar ministres së drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe kryetarit të komisionit të ligjeve që përbën shkelje të rëndë ligjore shantazhet që këta dy funksionarë po ushtrojnë ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kryemadhi i kujtoi Ministres Gjonaj telefonatat dhe mesazhet që ajo bën ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Duke komentuar arrestimet e fundit në ministrinë e Drejtësisë, Kryemadhi tha se këto arrestime ndodhin pasi ministrja ka zgjedhur këtë mënyrë për të larguar nga puna punonjësit e ministrisë, të cilët kanë fituar gjyqet për tu rikthyer në punë. “Nuk po merrem sot me ministren e Drejtësisë sepse nuk qenka këtu në sallë. Por meqenëse ajo paska dëshirë shumë të madhe për të luftuar korrupsionin, po i bëj me dije asaj dhe kryetarit të Komisionit të Ligjeve, që shantazhet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve quhen shkelje e ligjit. Dhe shumë shpejt do ta ketë të faktuar sesi ajo shantazhon gjyqtarët dhe prokurorët për të arrestuar punonjës të Ministrisë së Drejtësisë, se vetëm në këtë mënyrë do të largojë punonjësit nga Ministria, sepse me gjyq janë kthyer të gjithë në punë. Dhe gabimisht ka futur në listë edhe motrën e sekretares së përgjithshme  të njeriut të saj, apo edhe shumë të tjerë bashkëshortë deputetësh këtu në sallë që janë të Partisë Socialiste. A e ka luftë personale të saj apo e ka nga budallallëku, unë për hir të së vërtetës nuk e kam sulmuar duke pasur parasysh që është kushërira e një lidhje familjare të Ilir Metës, për shkak të lidhjeve të mia familjare me të. Por po i bëj me dije që nuk ka asnjë lloj mënyre që mund ta mbrojë Ministren e Drejtësisë duke shantazhuar punonjësit e saj, sepse ajo mund ta dijë shumë mirë që korrupsionin e ka brenda në shtëpinë e saj, në familjen e saj, le ti tregojë shqiptarëve pse është pushuar disa herë burri i saj nga Drejtoria e Tatimeve. Le ti tregojë shqiptarëve cilat janë lidhjet e bashkëshortit të saj me Elvis Martinaj apo dhe me shumë pika të tjera të basteve. Dhe le tu tregojë shqiptarëve cila është lidhja e saj me pjesëtarë të qeverisë apo dhe me avokatët e saj që ka në Kosovë. Prandaj i them znj. Etilda Gjonaj që të jetë shumë e kujdesshme në telefonatat e saj apo dhe në mesazhet që ju çon gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sepse vërtetë SPAK-u do të ngrihet shumë shpejt por të jetë e bindu që SPAK-u do ta fillojë me ata të cilët kanë tentuar që ta kapin atë. Sepse SPAK-u është i domosdoshëm për hapjen e negociatave në Shqipëri dhe po të mos hapen negociatat,Shqipëria do të shkojë mbrapa”, tha Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.