Kryemadhi: Zgjedhjet e ardhshme lokale, proces për demokratizimin e qeverisjes së qyteteve
Shqipëria me Edi Ramën po përjeton një politikë shpopulluese, me politikanë që nuk përfaqësojnë asgjë veçse interesat klienteliste, e nga karriget ministrore apo ato të parlamentit, përfundojnë subjekte të SPAK-ut dhe të organeve ndërkombëtare të drejtësisë. Misioni I LSI është integrimi i shqipërisë në BE, dhe sado e madhe dashamirësia e vendeve Evropiane për të na afruar;e unë nuk kam ndaluar në bisedat me përfaqësues të parlamenteve të vendeve të BE, që pavarësisht problemeve që kemi, të nxisin fortë dhe të na ulin sa më shpejt në tryezën e parë të çeljes së negociatave; vendi ka nevojë për të ndërtuar një politikë të re konstruktive, me mentalitet të ri, që e zhvillon vendin në të gjitha dimensionet, duke lejuar mirëqenie dhe progres demokratik, pa qenë e nevojshme që brezi i ri të emigrojë. Sepse Evropianizimi nuk është proces në letër, ai nis nga brenda dhe integrimi drejt BE duhet të jetë i prekshëm dhe i ndjeshëm për çdo qytetar. Me demokratizimin e qeverisjes së qyteteve në zgjedhjet e radhës, nisim një proces të pandalshëm për një Shqipëri që i përket të gjithëve. Duke i falenderuar mediat për vëmendjen gjatë këtij aktiviteti, ne do të vijojmë me pjesën organizative të takimit, për të ndarë përgjegjësitë e gjithësecilit në kuadër të organizimit dhe përfaqësimit politik në të gjithë zonën zgjedhore të Bashkisë Tiranë.
Opozitarizmi u shit më 25 prill, të fillojmë përgatitjet për zgjedhjet lokale
Të nderuar delegatë dhe delegate të Lëvizjes Socialiste për Integrim të Bashkisë Tiranë. Të dashur qytetarë të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. Është një kënaqësi e veçantë për mua, që të vijmë në këtë takim së bashku, gati 1 vit prej zgjedhjeve të përgjithshme të 25 Prillit dhe pas një periudhe të gjatë, disa mujore reflektimi për situatën e krijuar nga ato zgjedhje. Kemi organizuar në këto muaj takime me anëtarët dhe simpatizantët e LSI në të gjithë vendin. Siç edhe kemi mbajtur komunikim të vazhdueshëm me anëtarë të forcës tonë, që sot gjenden në diasporë. Jemi shumë herë më të qartë sot, për tradhëtinë e madhe që pësoi opozitarizmi shqiptar, nga ai që ndonëse i veshur me kostumin e kryeopozitarit të paepur, në fakt kishte shitur kauzat, e kishte tregtuar shpresën për ndryshimin e Shqipërisë dhe qeverisjes së saj, sikur të ishte besimi i shqiptarëve, një gjë që mund të shitej “lirë” në tregun e gjësë së gjallë. Kemi kuptuar qartë edhe anët e dobëta tona. Nevojën për rritjen e nivelit të organizimit, që duhet të kishim treguar në Prill 2021, për të arritur që besimin që shqiptarët kishin ndaj LSI dhe kandidatëve tanë, ashtu siç tregonin informatat dhe sondazhet e brendshme, ta përkthenim në mbështetje reale në kutitë e votimit. E megjithëse prezenca në parlament është sot modeste, LSI paraqet me peshën e saj elektorale të 25 Prillit, një superfuqi përcaktuese për drejtimin e Bashkive dhe Këshillave Bashkikë në zgjedhjet e radhës lokale, që do të mbahen 1 vit prej sot. Ndaj e kam thirrur këtë mbledhje me ju si delegatë të LSI në Bashkinë Tiranë, sepse është përgjegjësia jonë, duke vendosur në funksion edhe mësimet e së shkuarës, pra të 25 Prillit 2021 dhe 6 Marsit 2022, për të nisur që sot përgatitjet tona për zgjedhjet lokale që po vijnë. Organizimi për zgjedhjet vendore 2023 do të nisë nga Bashkia Tiranë, e duke vijuar me të gjitha Bashkitë e Shqipërisë. Kam marrë një ndjesi shumë pozitive nga njerëzit që kam takuar përgjatë Shqipërisë në këto muaj, një energji të jashtëzakonshme që nuk ishte ndjerë prej kohësh. Kjo është energjia e frymës që krijon shembulli i një opozite të vërtetë. Qytetarët në të gjithë vendin janë të lodhur me situatën aktuale dhe kërkojnë një alternativë.




















