Kryemadhi: Ne si opozitë kemi për detyrë të tregojmë që demokracia në Shqipëri vazhdon edhe pse është e brishtë

596
Sigal

Intervista e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi,
në televizionin “Faxnews”

 

Znj. Kryemadhi sot keni takuar, si pjesë e grupit
opozitar, shefen e diplomacisë së Bashkimit Evropian, znj.Mogherini. Së pari, a
e konsideroni një lajm të mirë çeljen e negociatave me Shqipërinë, bazuar dhe
në Progres-Raportin, që është publikuar me këtë rast dhe a mendoni se Shqipëria
e meriton këtë hap drejt BE-së?

E para dua t’ju
korrigjoj. Nuk janë çelur negociatat. Është dhënë një rekomandim për herë të
dytë nga Komisioni Evropian drejt vendeve anëtare për të hapur negociatat, gjë
që është e domosdoshme për Shqipërinë. Janë dhënë në nëntor të 2016-ës, dhe
tashmë rekomandohet përsëri me një material prej 37 faqesh. Sigurisht që ky
është një lajm shumë i mirë për ne, edhe pse është gjysma e punës. Por ajo çka
ne mendojmë që është shumë e rëndësishme, kjo nuk duhet të krijojë asnjë lloj
vetëkënaqësie, por duhet të na japi një lloj përgjegjësie për të filluar dhe
për të reflektuar dhe për të zbatuar detyrimet që janë në këtë raport. Unë sot
pasdite pata dhe takimin zyrtar me ambasadoren e Delegacionit të Bashkimit Evropian,
Romana Vlahutin, e cila i dorëzoi zyrtarisht Lëvizjes Socialiste për Integrim
këtë raport, i cili është një raport me pikat më kryesore, pra janë 5
prioritetet kryesore, ashtu sikurse janë edhe disa pika të tjera, që kanë të
bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar, zbatimin e mëtejshëm dhe fillimit
të ndjeshmërisë së Reformës në Drejtësi, çështjen e pronave, çështjen e
përfshirjes së shoqërisë civile në vendimmarrje, apo në dëgjesa, dialogun
politik etj. Por pavarësisht nga kjo, ajo çka dua të them është se ky është një
lajm i mirë për shqiptarët. Sigurisht që është një lajm i mirë dhe për ne
politikanët. Mendoj që është shumë e rëndësishme që tashmë detyra kryesore, po
themi 99.99% i ngelet e qeverisë, sepse luftën kundër krimit të organizuar nuk
do ta bëjë opozita, por do ta bëj qeveria. Zbatimin e Reformës në Drejtësi,
opozita i dha votat e saj, tashmë s’ka çfarë të bëj më, pra është një gjë që ka
ngelur në dorë të atyre institucioneve, të cilat i ka zgjedhur mazhoranca me
votat e saj. Luftën kundër korrupsionit nuk ka se si ta luftojë opozita, do ta
luftojë përsëri qeveria. Ligjin për pronat, administratën publike dhe shumë
detyrime të tjera janë në dorë të qeverisë. Pra tashmë qeveria është ajo që do
të marri përsipër të gjithë këtë detyrë të domosdoshme. Ne si opozitë kemi për
detyrë që të zbatojmë detyrën tonë si opozitë për të treguar që demokracia në
Shqipëri vazhdon dhe do të jetë, edhe pse është e brishtë dhe hibride.

Znj. Kryemadhi thatë që pasditen e sotme iu është
dorëzuar Progres-Raporti që rekomandon çeljen e negociatave. Së pari, a është
normale që ta merrni kaq vonë raportin, ndërkohë që sot keni takuar
znj.Mogherini, pa pasur një ide të qartë se çfarë kishte raporti dhe tashmë që
e keni lexuar këtë raport, a mendoni se ky raport paraqet realisht atë se çfarë
ndodh në Shqipëri?

Gjatë gjithë
kohës dhe kemi qenë të update-uar me atë që ndodhte, ngrinim zërin për
problemet që ishin të domosdoshme për t’u diskutuar ashtu siç kanë qenë edhe
ata të informuar, por edhe ata na informonin ne se si ecnin në procedura. Ajo
që mendoj që ishin shumë të rëndësishme është që kushtet me të cilat qeveria
duhet t’i lexojë mirë në raport kanë të bëjnë me vijimësinë e reformave, janë 5
prioritete dhe rezultatet e prekshme të vetingut. Ashtu si kërkohet dhe ngritja
e mekanizmave të kontrollit për lëvizjes së lirë, pra me gjithë shpërnguljen
dhe lëvizjen e rinisë shqiptare. Kjo përbënte disa hapa mbrapa megjithatë në raportin
me 37 faqe, të cilin ne do ta studiojmë me laps në dorë dhe ka pika
pafundësisht gjë që është shumë e domosdoshme. Por unë nuk mendoj që pa u tharë
mirë boja e vizitës së Mogherinit në Shqipëri ne të fillojmë të lexojmë
problematikat e raportit. Ajo që mendoj që qeveria e para dhe ne opozita të
japim kontributin tonë dhe maksimumin e mundshëm për hapjen e negociatave, që
është shumë e domosdoshme, që nuk ka të bëjë me meritën as të njërit as të
tjetrit, por është një meritë që iu takon shqiptarëve dhe shqiptarët e kanë
merituar shumë kohë më para. Ajo çka dua të them është që ky raport duhet
lexuar me shumë vëmendje nga qeveria sesa nga opozita, sepse raporti i
paraqitur sot nuk ka lidhje, nuk ka asnjë vështirësi për opozitën. Të gjitha
detyrat që janë lënë janë për qeverinë e cila duhet t’i realizojë ajo me përpikërinë
më të madhe.

Znj. Kryemadhi,
kur thoni që nuk është koha që të nisin kritikat akoma pa u larguar boja e
prezencës së znj. Mogherini në Tiranë po thoni që po i përgjigjeni pozitivisht
ftesës së Kryeministrit për të punuar në kuadër kuqezi tha ai sot në konferencë
për të bërë të mundur që Shqipëria të çel negociatat?

Ajo çka dua të
them është që sot Edi Rama po të kishte ndonjë partner në qeverisjen e tij do
të kishte thënë që fajtor për kushtet e këtij raporti janë partnerët e tij. Pra
po të ishte LSI në qeverisje me z. Rama sot 7 kushtet që ka vendosur BE siç
është përmendur çështja ‘Tahiri’, apo çështja e krimit të organizuar dhe
trafikut të drogës, luftën kundër korrupsionit. Ja po i lexoj. Shqipërisë i
rekomandohet çelja e negociatave, duke theksuar që kjo është vetëm rikonfirmim
i rekomandimit të nëntorit të 2016, në mënyrë që të vazhdohet me procesin është
e nevojshme që të thellohet dhe të rruhet ritmi i reformave si dhe të kërkohen
rezultate të prekshme nga Vettingu që kjo në vetvete të jetë një kusht. Faktikisht
mos të harrojmë që edhe evropianët edhe vendet anëtare kanë sy dhe vesh, kanë
dhe ambasadorët e tyre se para se t’i eksludojë vetingu prokurorët dhe
gjyqtarët i ka eksluduar Edi Rama në Facebook-un e tij. Reforma në
administratën publike që deri në këto momente ka një rritje të moderuar,
megjithatë zbatimi i ligjit të nëpunësit civil duhet të vijojë me zbatimin e
tij. Ku ne jemi koshient se si 30% e administratës publike janë shkarkuar pa
asnjë motovim. Sistemi i drejtësisë ka një nivel ulje të përgatitjes, këtu nuk
bëhet fjalë për rezultatet e prekshme pasi vetingu, sapo ka filluar pra deri në
këto momente që flasim nuk ka asnjë rezultat për t’i paraqitur vendeve anëtare.
Arritjet nuk mund të quhet dorëheqja e gjyqtarëve dhe e prokurorëve. Ajo çka
nevojitet është zinxhiri i proceduarave që ndiqet për çdo dosje dhe vendim të
gjykatës, që ka në to pra nuk është dorëheqja e prokurorëve apo gjyqtarëve për
shkak të vetingut, por janë vendimet që këta gjyqtarë e prokurorë kanë referuar
në vendimet e gjykatës që janë dhënë. Lufta kundër korrupsionit ka një nivel të
ulët përgatitje. Nuk ka asnjë ndëshkim të ‘peshqve të mëdhenj’ dhe korrupsioni është
pjesë e shumë sektorëve dhe vazhdon të mbetet problemi më serioz. Dhe këtu nuk
flitet për koncesionet. Pra, është lënë pjesa e koncesioneve që është edhe më
problematike. Këto PPP-të janë vepra korruptive dhe kemi pasur disa herë
reagime nga Bashkimi Evropian për këtë gjë. Raporti thotë që lufta kundër
krimit të organizuar ka një nivel të ulët përgatitjeje. Vendi ka nevojë për
rezultate operacionale dhe për të kryer konfiskimin e aseteve të grupeve
kriminale si dhe pastrimin e parave. Shumë pak progres është shënuar në kapjen
e kokave të krimit apo në shpërbërjen e grupeve kriminale. Mekanizmi i mbrojtës
së të drejtave të njeriut duhet të forcohet. Mungesa e lirisë së fjalës mbetet
një problem. Ajo që ne diskutojmë për blerjen e mediave. Transparenca e
reklamave është një problem serioz. Ende pritet progres për të drejtën e
pronës, duke adoptuar ligjet apo që të vihen në funksion të koordinimit të
punës së institucioneve. Mekanizmat institucionale për mbrojtjen e fëmijëve dhe
balancat gjinore janë tepër të dobëta. Pra, janë kaq shumë gjëra. Këto janë
vetëm fillimisht ato çka ne kemi nxjerrë, por ka akoma më tepër. Ajo çfarë dua
të them, ndryshe nga ajo e 2016 këtu është shtuar çështja e krimit të
organizuar dhe kundër drogës, por nuk mendoj që është ky problemi. Problemi
është që, tani qeveria duhet të shtrohet dhe të ulet ta lërë tepsinë, por t’i
ulet fort punës për të luftuar krimin, korrupsionin, bandat, për të zgjidhë
çështjen e pronave. Sepse po shohim se si u dyndën shqiptarët në zyrat e
hipotekës së Pogradecit, sepse nga urrejtja dhe nga neveria dhe nga
korrupsioni, zvarritja që iu bëjnë procedurave. Problemi është dëshira dhe
angazhimi për ta lexuar këtë raport. Mund të duash dhe të thuash që është një
rekomandim pa kushte, sepse kemi dhe ministra që në statuse shkruajnë se janë
hapur negociatat. Çka tregon nivelin e informimit të tyre. Ose janë manipulativ
ose janë të paditur. Sepse nuk mund të gënjesh shqiptarët që janë hapur
negociatat. Nuk janë hapur negociatat, por është marrë një rekomandim dhe është
pozitive. Dhe duhet të luftojmë të gjithë bashkë për të denoncuar korrupsionin
dhe krimin e organizuar, për të denoncuar bandat, në mënyrë që të fillojmë të
ecim në një proces që t’iu japim një lloj besimi vendeve anëtare. Dhe pse
situata në vetë Bashkimin Evropian nuk është aq pozitive për shkak të situatës
politike dhe ekonomike që kanë vetë vendet anëtare e bën shumë të vështirë këtë
gjë. Por ajo çfarë dua të them, është që i pari që duhet të marrë pjesë në
ekipin për anëtarësimin e Shqipërisë duhet të jetë Edi Rama. Ai duhet të veshë
bluzën kuqezi, sepse të gjithë shqiptarët e kanë veshur fanellën kombëtare dhe
i vetmi njeri që nuk e ka veshur këtë fanellë është Edi Rama. Po t’i
përmbledhim të gjitha kushtet e BE ne mund t’i fusim në një faj që mund ta
quajmë Edi Rama. Sepse Shqipërinë me kanabis nuk e ka mbjellë as opozita, dhe
as LSI, koncesionet nuk i ka bërë as LSI dhe as opozita të cilat janë mjaft
korruptive. LSI ia ka dhënë votat dhe për 7 që kishin të bënin qoftë për ligjin
e prokurorit etj. Edhe kur ka qenë dëshira për të dhënë një buon sens për të
ndryshuar disa vendime, apo disa amendamente në ligjet kushtetues apo dhe në
Kushtetutë, për të zhbllokuar ngërçin që ka sot Këshilli i Lartë i Prokurorisë,
apo dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, PS pra mazhoranca ka qenë refraktare ndaj këtyre
propozimeve për të gjetur një lloj kompromisi për të ecur më tej për sa i
përket reformës në drejtësi. Pra tashmë, e gjithë tepsia qoftë kjo dhe politike
dhe ndërkombëtare është në duart e Edi Ramës dhe që janë veprime, të cilat kanë
të bëjnë drejtpërsëdrejti me të.

Znj. Kryemadhi ju dëgjova te listuat shqetësimet që
adreson progres-raporti, i cili rekomandoi dhe çeljen e negociatave me
Shqipërinë dhe jam i sigurt që 28 vende anëtare nëse do t’i lexonin shqetësimet
kështu si i lexuat ju vështirë se do të jepnin vendimin për çeljen e
negociatave. Çfarë do bëni ju si opozitë nga aspekti politik, që vendimi të
merret në qershor nga Këshilli dhe nga vendet anëtare?

Në fakt, grupet
skeptike do të shuheshin në momentin që do të ikte Edi Rama si Kryeministër.
Sepse të gjitha problematikat që janë ngritur në raport janë problematika që
burojnë për shkak të Edi Ramës. Sigurisht që dhe ne, qoftë dhe kur kemi qenë
pjesë e qeverisjes me PS, apo PD edhe ne kemi kusuret tona. Por janë shumë të
vogla me ato çka listohen në progres-raport. Megjithatë unë nuk dua të shoh në
këtë drejtim. Ne si LSI nuk kemi reshtur për të kërkuar hapjen e negociatave,
për të lobuar. Sepse hapja e negociatave është një shans dhe një mundësi për
shqiptarët. Unë mendoj se shqiptarët më shumë se kushdo tjetër e meritojnë
hapjen e negociatave, që është një dritë jeshile për të gjithë ata të rinj dhe
të reja, që kanë ikur nga Shqipëria dhe nuk e kthejnë më kokën pas. Hapja e
negociatave do të krijojë një klimë biznesi më të mirë, do të krijojë mundësi
të zhvillimit të ekonomisë dhe klimën e zhvillimit të biznesit, për bizneset e
reja por edhe investimet e huaja. Mos të harrojmë që në 2018-ën janë mbyllur
shumë biznese të huaja në Shqipëri. Gjithashtu, me skemën e TVSH-së do kemi një
situatë ekonomike dramatike, sepse mijëra biznese do shkojnë drejt mbylljes.
Pra, kemi të bëjmë me situata, të cilat janë vërtet shumë problematike. Ne mund
të festojmë sot dhe nesër për një letër që e kemi marrë në 2016-ën dhe po e
marrim përsëri, por të shohim çdo ndodhë më tutje. Në radhë të parë unë do doja
shumë të falënderoja zonjën Mogherini dhe komisionerin Hahn, sepse e kanë parë
me hatër në të gjithë këtë proces Shqipërinë. Ia dha sërish shansin politikës
shqiptare që edhe në këto 2 muaj që kanë mbetur, të bëjë veprime shumë të
rëndësishme për të krijuar një impakt dhe besim te vendet anëtare. Tashmë është
në dorë të ministrave të Jashtëm së bashku me parlamentet e tyre, të cilët do
shikojnë ecurinë Shqipërisë. Qeveria, administrata publike, policia dhe Ministria
e Jashtme janë ata përgjegjësit e çdo hapi që do ndodhë më tej sa i takon
negociatave.

Po thoni që ato mund të jenë edhe përgjegjësit e
dështimit, apo jo?

Nuk po them këtë
gjë, sepse unë nuk uroj që ata të dështojnë. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë
ndihmën tonë për të kaluar çdo sfidë që ata do të kenë përpara, por që në
njëfarë mënyre ata janë përgjegjësit pasi opozita nuk ka asgjë për të qenë e
tillë. E vetmja gjë që ka është fjala e lirë në parlament, por edhe atë po
fillojnë të na e kufizojnë dhe heqin.

Opozita mund të ofrojë stabilitet politik. A do të
hiqni dorë nga protestat? Në bazë të progres-raportit kishte një njohje për
arritjet që konsideron Bashkimi Evropian sa i takon reformave. Ndërkohë,
opozita dhe ju mbani një qëndrim që kjo është një strategji nga BE-ja.

Kush ka qenë
reforma e fundit? A u votua Reforma në Drejtësi me 140 vota. A i dha opozita
votat e saj? Zonja Mogherni vlerësoi si qeverinë ashtu dhe opozitës, ku meritat
janë të barabarta. Ne të gjithë këtë e bëjmë për veten tonë dhe jo për
Bashkimin Evropian, e bëjmë për fëmijët tanë. Kush ka nevojë për merita, le t`i
marrë. Për mua kjo gjë nuk ka ndonjë rëndësi, por atë që konsideroj me peshë
është që t`i krijojmë shqiptarëve mundësitë dhe t`i japim shansin atyre që të
rikthehen dhe të kontribuojnë për vendin e tyre. Mos të harrojmë që jemi në një
situatë emergjente, ku kemi një ekonomi dramatike, duke pasur parasysh që edhe
vetë Evropa është një situatë ekonomike mjaft të vështirë. Nuk po flas më tutje
për destabilitetin që ka përfshirë jo vetëm Evropën, por edhe më tutje, prandaj
ajo që mendoj unë se është e rëndësishme është që personi që duhet të
reflektojë menjëherë që pas fjalëve të zonjës Mogherini, është vetë Edi Rama.
Kërkesat dhe llogaritë janë ndaj tij, jo ndaj opozitës. Opozita e ka bërë
gjithnjë detyrën e saj, madje edhe kur nuk ka qenë dakord ka shkelur mbi
rregullat e partisë dhe militantët e vet, ku ia kanë dhënë shansin Partisë
Socialiste për të menaxhuar situatën. Kështu që i ka të gjitha mundësitë
qeveria për të vazhduar me këtë proces. Ne si opozitë kemi një detyrë dhe
detyra jonë është të denoncojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Por, ne
nuk kemi asnjë segment për t’i luftuar ato. Të gjitha segmentet e kanë ata në
dorë, edhe Policinë, edhe Prokurorinë, edhe Gjykatat i ka Edi Rama. Siç
arrestoi 11 fukarenjtë e Kukësit, të arrestojë edhe krerët e bandave, të mos
hajë dhe të pijë me ta.

Znj. Kryemadhi, sot keni shprehur një sërë
shqetësimesh pas daljes në takimin me znj. Mogherini. Përveç përgjigjeve dhe
reagimit që pati znj. Mogherini, a i keni këto shqetësime të pasqyruara prej
jush në raportin e Komisionit Evropian?

I kam parë të
gjitha një nga një, vetëm me një gjuhë disi më diplomatike. Ndoshta, unë për
shkak të sjelljes time, apo angazhimit tim politik, apo mentalitetit mesdhetar,
të mos harrojnë që hartuesit e programeve të tilla janë më të ftohtë, më
diplomatikë. Kështu që, të gjitha problemet që ne kemi ngritur, çështja e
koncesioneve, situata ekonomike, klima e biznesit, thithja e investimeve të
huaja, lufta kundër krimit të organizuar, çështja e lëvizjes së lirë, mbrojtja
e kufijve dhe një sërë çështjesh të tjera, të cilat ne i kemi përmendur, janë
të shkuara me një gjuhë më diplomatike evropiane. Por, kjo varet nga
këndvështrimi, pasi ka njerëz që pikën dhe presjen e interpretojnë ndryshe.

A besoni realisht se në qershor Shqipërisë do t’i
jepet përfundimisht drita jeshile për çeljen e negociatave nga 28 vendet
anëtare? Të paktën sipas pritshmërive tuaja, duke parë situatën në Shqipëri,
por edhe reagimin paraprak të disa prej vendeve anëtare…

Sipas meje,
është një betejë e vështirë. Unë besoj dhe do t’i lutem zotit që në qershor të
hapen negociatat. E di që është një rrugë e gjatë dhe shumë e vështirë. Kushtet
në të cilat Shqipëria po kërkon të hapë negociatat janë të papërshtatshme, por
besoj që nëse do të ketë një dëshirë të mirë nga qeveria për t’ua bërë dhuratë
shqiptarëve në qershor këtë gjë, atëherë çdo gjë është e mundshme. Pastaj, nëse
qeveria do të largohet nga koncesionet, nëse do të krijojë klimën e biznesit,
t’u krijojë shanset shqiptarëve që të krijojnë bizneset e tyre, të shikojnë
biznesin si partner dhe jo si armik, të zgjidhë çështjen e pronave, për të
luftuar krimin e organizuar dhe trafikun e drogës, atëherë jam e bindur që
Shqipëria do të jetë e gatshme për hapjen e negociatave. Tashmë, kjo nuk është
më në dëshirën e opozitës, kjo është në dëshirën e qeverisë dhe të mazhorancës.
Nuk është më në dorë as të shqiptarëve dhe as të opozitës.

Nëse statusi do të merret, do të jetë edhe sukses
dhe meritë e mazhorancës, apo jo?

E thashë,
opozita rolin e saj e ka bërë në maksimum. Tashmë është në dorë të qeverisë për
t’u hapur negociatat. Pikat dhe detyrimet që ato kanë lënë janë të
drejtpërdrejta. Administratën publike nuk e administron opozita. Policinë nuk e
administron apo drejton opozita. Çdo gjë është në dorë të qeverisë. Vetëm një
vullnet i mirë i qeverisë do t’u krijonte shqiptarëve mundësinë e hapjes së
negociatave. Qeveria duhet të lërë pak mënjanë përfitimet e veta ekonomike dhe
shpirtërore dhe le t’i kushtohet këto 2-3 muaj shqiptarëve. Të punojë 24 orë në
24 për t’i hapur negociatat sa më shpejt të jetë e mundur.