Kryemadhi: Ne kemi politikën të pazhvilluar, por të rinjtë dhe të rejat tona janë goxha me ritme të larta

222
Sigal

 Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi takim me votuesit për herë të parë në zonën e Laprakës 

Ne kemi politikën të pazhvilluar, por të rinjtë dhe të rejat tona janë goxha me ritme të larta. Ne e kemi ngritur gjithmonë çështjen e kartës së studentit si strukturë rinie, për ta pasur në aspektin e efektivitetit, por që të jetë edhe e prekshme për studentët, sepse në fund të fundit nganjëherë nëse ti biznesit i ushtron presion, nëse biznesin e falimenton, nëse biznesi do të ketë taksa të larta, normal që do ta ketë të pamundur për të të ofruar lehtësi.
Por, nëse ne si qeverisje nuk do ti ofrojmë biznesit kushtet në mënyrë të tillë që ai të mos ta ketë si një lloj marketingu çështjen e kartës së studentit, por ta ketë si një privilegj dhe kontribut për të rinjtë, për studentët, dhe këtë është shteti që e simulon, kjo do të sillte më shumë lehtësi qoftë përsa i përket sistemit të taksave, qoftë përsa i përket infrastrukturës së zhvillimit të biznesit e kështu me radhë.
Sigurisht që këto vijnë paralelisht të dyja, pasi nëse ne nuk ua ofrojmë kushtet jo vetëm biznesit, por edhe studentëve, edhe universitetit, edhe shkollave të mesme, normal që kjo do të jetë e pamundur të realizohet, dhe do të ngelet thjesht në kuadrin e një mashtrimi, të një fasade.
Një nga gjërat më të rëndësishme që ne kemi përsa i përket angazhimit të të rinjve, jo vetëm në aspektin e infrastrukturës, apo të përfshirjes në politikë, që në Këshillin Bashkiak të Tiranës nga 13 këshilltarë që ka pasur LSI, 11 prej tyre kanë qenë të Lëvizjes Rinore për Integrim. Ashtu sikurse në grupin e deputetëve të Parlamentit, gati 40 për qind e tyre, kanë qenë të rinj dhe të reja.
Ne jemi një strukturë politike, e cila promovon të rinjtë, jo thjesht për ti pasur, por edhe për ti promovuar jo vetëm nga ana profesionale, por edhe nga politike si dhe për të qenë pjesë e vendimmarrjes. Pasi vetëm në këtë mënyrë ti mund të kuptosh problematikat e të rinjve dhe mund tu japësh zgjidhje atyre. Përfshirja e të rinjve në politikë jo vetëm nëpërmjet votës, pro edhe nëpërmjet vendimmarrjes, edhe nëpërmjet artikulimit të politikave, atë që ata duan, e bën jetën politike shqiptare më të freskët, më prezentë, më gjithëpërfshirëse. Në këtë mënyrë këto të rinj dhe të reja nuk largohen nga Shqipëria, por edhe i imponojnë politikës shqiptare politika të cilat ofrojnë hapësira pafund për ta.

Shqiptarët janë një popull i ri, por tranzicioni ka bërë punën e vet, pasi në këto katër vitet e fundit, kjo qeveri ka lejuar të shpërngulen në masë të rinjtë dhe të rejat, dhe ky është një nga problemet më të mëdha. Pasi largimi i të rinjve dhe ulja e lindshmërisë e pakëson shumë popullatën shqiptare.
Në një diskutim që patëm dje me Klajda Gjoshën përsa i përket largimit të të rinjve për në Gjermani, para dy viteve kanë qenë kërkesat për kontrata pune rreth 22 mijë, ndërsa tani kanë shkuar në 49 mijë dhe të mendosh që këto janë 49 mijë kontrata për të rinj që janë pjesa më aktive, më energjike e këtij vendi, që mund të japin dhe mund të prodhojnë më shumë se kushdo tjetër.
Prandaj edhe ne duhet të fokusohemi fort tek angazhimi, tek përfshirja juaj, në mënyrë të tillë që çdo hartim i politikave, por edhe i vendimmarrjes ne duhet ta fokusojmë te të rinjtë, tek të rejat e këtij vendi.
Dhe një nga çështjet kryesore është se përse ne nuk duhet ti lejojmë të rinjtë tanë të ikin në Gjermani. Dhe pyetja e parë që vjen nga ata është: Përse të mos iki në Gjermani? Çfarë më ofron ti? Faktikisht politikat për simulimin e të rinjve që jo vetëm të krijojnë mundësinë e punësimit qoftë në biznes apo edhe për të qenë pjesë konkurruese e tregut të punës, janë zero. Ne kemi shifra fasadë, por jo shifra reale, të prekshme.
Taksat e larta kanë falimentuar bizneset, taksat e larta kanë rrënuar ekonominë shqiptare, familjet shqiptare. Taksat e larta kanë krijuar një lloj diskriminimi ku janë favorizuar oligarkët dhe njerëzit e lidhur drejtpërdrejt me qeverinë. Dhe kjo çfarë sjell? Sjell varfëri, pasi nëse ti e përqendron pasurinë në 3-4 persona që janë të lidhur me qeverinë dhe krijon varfëri në masë në popullsi, mbyll vende pune. Kemi pandeminë në njërën anë, tërmetin në anën tjetër, pra keq menaxhimi i këtyre krizave nuk ka sjellë gjë tjetër veçse papunësi dhe demoralizim.
Por, angazhimi i të rinjve në vendimmarrje i imponon jo vetëm familjes që të zgjohet, të reagojë ndaj një padrejtësie, por i jep shpresë, i frymë gjithë shoqërisë shqiptare.
Ne si LSI e kemi treguar që e kemi mbajtur fjalën me të rinjtë dhe është një nga premtimet dhe angazhimet tona kryesore që në themelimin e LSI-së në 2004-n edhe sot e kësaj dite, vazhdon të jetë brez pas brezi, duke qenë e vetmja forcë politike që prodhon gjenerata të reja në politikë, duke u rritur jo vetëm politikisht, por edhe nga ana profesionale.
Ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve, ta bëjmë në atë shtëpi ku shqiptarët të ndihen krenarë, dinjitozë dhe me integritet në vendin e tyre.