Kryemadhi në Fier: Gratë elementi më zhvillues i shoqërisë, duam të krijojmë hapësira punësimi dhe mundësi vendimarrjeje

213
Sigal

Ditën e sotme, Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi zhvilloi një takim me gratë në qytetin e Fierit.

Pjesë nga takimi :

Unë ju falenderoj shumë që sot na e dhatë një mundësi për të bashkëbiseduar. Sepse të gjitha keni lënë fëmijët, disa në çerdhe, disa në shkolla, disa tek prindërit. Unë e kam besim të patundur që gruaja është elementi më zhvillues në shoqërinë e një vendi. Dhe në fakt gratë dhe vajzat gjithmonë LSI-së i kanë dhënë ngjyrën, i kanë dhënë sharmin, një atmosferë të jashtëzakonshme në momentet më të vështira. Dhe sigurisht që ne duam të krijojmë hapësira pafundësisht për to, jo vetëm në politikë, por edhe në vendimmarrjet sa i përket arsimit, shkencës. Unë kam shumë mikesha që kanë studiuar dhe janë diplomuar në shkencat ekzakte dhe janë sot në institucione shumë të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit. Por nga ana tjetër mundësia e zhvillimit të hapësirave për lëndët ekzakte sot në sistemin arsimor është bërë shumë e vështirë.

Po kështu ajo që unë mendoj shumë të rëndësishme është krijimi i mundësive për punësimin e grave, sepse duke qenë gratë të pavarura ekonomikisht, jo vetëm që krijojnë vendimmarrjen e tyre, por janë edhe shumë më aktive në jetën politike të vendit. Ne sot duam të diskutojmë për problemet që kanë gratë dhe vajzat e Fierit. Një nga problemet kryesore është çështja e punësimit të grave, çështja e fuqizimit ekonomik të tyre, pavarësia ekonomike, sepse të gjitha janë mundësi që krijojnë hapësira më shumë për t’u përfshirë gruaja. Mundësia për të angazhuar vajzat dhe gratë e Fierit në politikë është shumë e madhe. Keni shembull Kejdin, që ua kemi peshkuar ne nga Tirana. Tani duhet t’iu nxisim juve që t’iu përfshijmë sa më shumë.