Sigal

Në një intervistë për “Vizion Plus”, Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, u shpreh se politika duhet të mësojë nga protesta e studentëve. “Këta njerëz që janë atje në protestë, të cilët kanë forcë, ti përgatisim dhe ti fusim në partitë tona, se paskemi nevojë për lider që marrin përsipër çdolloj rrezikshmërie, marrin përsipër solidaritetin, marrin përsipër të organizojnë grupin dhe t’u qëndrojnë kërkesave të tyre. Partitë politike kanë nevojë për këto lloj njerëzish”,- u shpreh Kryemadhi.

Znj. Kryemadhi, le të ndalemi fillimisht tek protesta e studentëve, e cila duket sikur ka kthyer në një farë mënyre entuziazmin edhe tek opozita, entuziazëm disi i vakët në ditët e fundit…

Në fakt ne këtë bisedë e kishim planifikuar rreth një javë më parë dhe ndoshta mund të jem në kohën dhe vendin e gabuar për të folur për këtë protestë. Për këtë çështje unë nuk jam shprehur vetëm në disa prononcime në aktivitetet e partisë që ne kemi pasur, vetëm përsa i përket suportit tonë ndaj kësaj proteste. Shqipëria ka nevojë për protesta, për denoncime sepse s’ka asgjë të keqe deri në atë moment kur këto protesta nuk cënojnë lirinë dhe demokracinë e të tjerëve, po ashtu rrisin edhe kulturën demokratike për të protestuar, një e drejtë që i takon çdo shqiptari.

Duhet marrë shembull nga kjo protestë, keni deklaruar ju disa ditë më parë…

Absolutisht dhe jam e bindur që vërtet ne duhet të mësojmë nga protesta e studentëve, sepse ajo që ne kuptojmë nga kjo protestë është që kur njerëzit qëndrojnë të bashkuar për kërkesa, të cilat janë të arritshme dhe tepër jetike për studentët. Ata qëndrojnë të bashkuar, të papërçarë dhe kjo është diçka shumë e mirë. Pse e them këtë? E them sepse ka pasur edhe shumë protesta të tjera si për shembull naftëtarët apo minatorët, por janë përçarë, pasi një grup është shitur, një tjetër është blerë, një grup ka marrë Statusin dhe të tjerët jo, dikush tjetër ka marrë një godinë që e ka dhënë me qera pastaj e kështu me radhë. Pra, kemi parë se si në këtë vendin tonë, interesa personale të individëve të caktuar kanë rrënuar kauza të mbara. Këto kërkesa të studentëve janë kërkesa shumë të thjeshta, janë të bëshme, janë më minimalja që ata po kërkojnë.

Unë lexova një listë me tetë kërkesa, ku kërkesa e parë ishte anulimi i Ligjit për Arsimin e Lartë…

Ndoshta në faqen e Balkanëeb është nxjerrë letra e firmosur nga vetë studentët, me shkrimin e tyre dhe e protokolluar. Është vetëm një kërkesë, por për këtë në fakt duhen pyetur vetë studentët. Për të qenë realist, të gjithë prej nesh rrimë para ekraneve duke parë se kush foli, çfarë tha, si u sollën, le të mos bëjmë indiferentin ndaj kësaj proteste, sepse kush thotë që ‘jam indiferent, nuk e kam ndjekur’, gënjen, por studentët kanë qenë shumë të qartë që ne kemi tetë kërkesa të dorëzuara, të protokolluara në Ministrinë e Arsimit. Çdo kërkesë tjetër që shtohet ata thanë që nuk ështe e vërtetë. Dje biles ata thanë që kishte një denoncim nga studentët, që shpërndaheshin disa fleta të tjera të shtypura që shpërndaheshin, por që studentët e kundërshtuan dhe e bënë shumë të qartë. Megjithatë nuk jam e autorizuar për të folur për këtë dhe nuk kam informacion përsa i kërket asaj që ju shikoni në media. Natyrisht mund të kem pak më shumë, përshkak të militantëve që denoncohen në rrjetet sociale.

Me thënë të drejtën nuk ka ndonjë gjë, sepse nëse ajo listë vërtetohet mund të ketë të rinj edhe nga MJAFT, edhe nga LRI-ja…

Të gjithë e dimë që LSI është një parti rinore dhe forcën më të madhe të saj e ka pasur te të rinjtë. Unë nuk mund të them që atje nuk ka studentë. Ka studentë, por asnjë nga studentët e LSI nuk ka kërkuar dhe nuk ka asnjë kërkesë politike nga LSI. Sigurisht që ka dhe studentë të FRPD-së, ka edhe EuroSocialist, sepse njëri nga ata që mbante megafonin dhe ia jepte të tjerëve është EuroSocialist. Është tjetër që po themi se sa e mençur është struktura formuese e këtij forumi politik, që nuk po e bën protestën pis. Mund të ketë pasur tentime të caktuar, prandaj po ta shikosh studentët kanë thënë “Jo politikë!”. Mendoj që është gjëja më e mirë, sepse ajo që unë shikoj te të gjithë ata studentë pa dallim bindjesh politike, është që ata janë solid në zgjedhjen e tyre. Unë nuk mendoj se ka ndonjë pa parti që është dakord për të paguar 17 mijë lekë për kredit, kur një provim ka minimumi 12 kredite.  Pra përveçse paguan taksën e shkollës, ti do shkosh dhe do paguash nga 200 mijë lekë apo më e pakta është 70-80 mijë lekë, deri në 300-400 mijë lekë.  Pa llogaritur kushtet që kanë, etj. Megjithatë nuk jam për të bërë një analizë të thellë të sistemit arsimor, por di të them që shanset dhe mundësitë për ti bërë disa gjëra këtyre studentëve janë dhe të teta kërkesat e tyre, janë kërkesat më minimale. Karta e Studentit! Po çfarë është Karta e Studentit? Është një premtim që ia kemi bërë të gjithëve, që dhe ky studenti kur të hipi në autobus të mos paguajë një biletë 500 lekë, por të paguajë 300 lekë. 1 mijë abone shpërndahen në të gjithë Tiranën. Tirana ka 20 mijë studentë. Nuk po marr studentët e universitetet private, sepse përderisa kanë mundësi të paguajë universitet privat, edhe pse ata duhet ta kenë se në çdo vend të botës Karta e Studentit i lejon për të parë filma falas në kinema. Mendoj që kërkesat e tyre janë shumë legjitime dhe gjëja më e mirë është që nuk kanë pranuar që politika të fusi hundët. Ka studentë me parti politike? Shumë mirë që ka. Ka ndonjë gjë të keqe? Po bravo iu qoftë, biles ti marrim këta njerëz që janë atje në protestë, të cilët kanë forcë, ti përgatisim dhe ti fusim në partitë tona, se paskemi nevojë për lider që marrin përsipër çdolloj rrezikshmërie, marrin përsipër solidaritetin, marrin përsipër të organizojnë grupin dhe t’u qëndrojnë kërkesave të tyre. Partitë politike kanë nevojë për këto lloj njerëzish. Nuk kanë më nevojë për njerëz underground apo që bëjnë pazare financiare.