Kryemadhi: LSI i ka borxh Fierit, kryeministri është fytyra e mashtrimit dhe grabitjes, votoni 6, votoni për djemtë dhe vajzat tuaja

64
Sigal

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në takimin e Fierit

Përshëndetje Fieri, përshëndetje të rinj dhe të reja nga Fieri, përshëndetje gjyshe, nëna, baballarë, përshëndetje zemrat e vogla të Fierit, që edhe në këtë ditë me shi, fëmijët tuaj kanë ardhur këtu me ju. Ky është detyrimi më i madh, që ka LSI-ja. LSI-ja ka një borxh dhe një detyrë të madhe për fëmijët e vegjël, për të gjithë këta vogëlushë që sot janë këtu. Ata janë këtu sot me ju, me prindërit e tyre. Janë këtu me ju, sepse ju besoni tek LSI-ja. Fëmijët tuaj janë me ju, vajzat e vogla, djemtë tuaj të vegjël, janë këtu me ju, sepse ju e dini që LSI-ja e mban fjalën. Sepse ju e dini që LSI-ja do ta bëjë Shqipërinë shtëpinë tuaj, shtëpinë e shqiptarëve.

Motra dhe vëllezër, vij nga një takim madhështor i Vlorës. Vij nga një takim ku të rinjtë dhe të rejat e Vlorës me ekipin drejtues e bëjnë LSI-në fituese në Vlorë. Energjia që merr nga takimet tona, energjia që merr nga dashuria juaj, energjia që marrim nga familjet tuaja, është detyrimi i LSI-së, detyrimi më i madh për të çuar deri në fund angazhimin e saj, për të sjellë ndryshimin dhe të përmbysim tranzicionin e kalbur, që ka zënë sot Shqipërinë.

Kryeministri në ikje, i cili ka mbushur fasadat e të gjithë Shqipërisë me fytyrën e tij të mbuluar, sepse nuk ka guximin të tregojë fytyrën e tij të vërtetë, sepse është fytyra e mashtrimit dhe fytyra e grabitjes së të ardhmes së shqiptarëve. Ai ka zaptuar sot çdo qelizë të shoqërisë shqiptare, ai ka zaptuar sot çdo moment të jetës shqiptare. Por ai më 25 prill, do të largohet duke marrë votën tuaj për numrin 6 në kutinë e votimit, sepse ju do të votoni për këtë ekip të mrekullueshëm. Do të votoni për burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat e Fierit, të Roskovecit, të Patosit, të Lushnjes, të Divjakës.

Unë e them gjithmonë që LSI-ja i ka borxh Fierit. I ka borxh, sepse sot kemi një shkatërrim të Fierit. Sepse ne kemi me qindra dhe mijëra djem dhe vajza fierakë që janë larguar nga Fieri, për të mos u kthyer më. Sepse nuk kanë mundësi për të punuar, nuk kanë mundësi për të pasur një punë të mirëpaguar, nuk kanë mundësi për t’u arsimuar, edhe pse nxënësit e Fierit kanë qenë në universitetet shqiptare dhe në botë, nxënësit më të shkëlqyer. Të rinjtë e Fierit janë larguar sepse nuk shikonin dhe nuk shikojnë të ardhme. Por jam e bindur, që me Kejdin, Klajdin, Renaton, Besin, Maringlenin, djemtë dhe vajzat që janë këtu, ne do të sjellim ndryshimin.