Kryemadhi: Listat e hapura, demokraci në jetën politike e kemi kërkuar që para 11 viteve, në LSI anëtarësia do vendosë për rënditjen e deputetëve

714
Sigal

Një nga kushtet e Bundestagut është edhe reforma zgjedhore, për të cilën opozita ka deklaruar që në janar do të jetë gati drafti. A mendoni se duhet një ndryshim sistemi, listat e hapura mund të ndikojnë pozitivisht në demokratizimin e partive apo edhe në një Parlament më kualitativ?
Kjo është pas 11 viteve, ajo që ne kemi kërkuar si LSI. Ne e kemi kërkuar që në grevën e urisë të 2008, bashkë me një grup deputetësh që kanë qenë. Bënim protesta nga dy herë në ditë, për 9 ditë rresht, në mëngjes dhe në darkë. Dhe ajo që mund të them është që sigurisht që listat e hapura janë një demokraci në jetën politike. Por duhet të kemi një gjë parasysh, që në këtë tryezë duhet të përfshihen të gjitha grupet e interesit, të gjitha palët, përfshirë këtu, pavarësisht pozicionimeve politike që kemi, ajo që mendoj unë është që sot ne e kemi të domosdoshme të rindërtojmë, forcën, urat e besimit me njëri-tjetrin sepse sot çfarë do lloj sistemi që të bëjmë ne, kudo të shkosh, kudo të votosh do të të numërojnë grupet kriminale me paratë e drogës. Me këtë sistem e bëmë ne kalimin demokratik. Në këtë sistem a ikëm ne në 2013 nga PD te PS kur mori pushtetin? Nuk të ndalon ligji që të shkosh të votosh. Ne p.sh në parti do t’i bëjmë me demokraci do të vendosë partia listën dhe rënditjen e deputetëve. Si mund të pretendosh ti, kur ti nuk fiton dot dhe nuk ndërton dot demokracinë brenda partisë tënde, do ndërtosh demokracinë në popull? Kur nuk fiton dot brenda partisë tënde do fitosh në popull. Pra një deputet nëse nuk është i zoti të fitojë brenda partisë për t’u renditur i pari, i dyti apo i treti në listë si mund të fitojë kur del në opinionin publik. Duhet të demokratizojmë partitë tona në radhë të parë. Nëse ne nuk mund të demokratizojmë partitë tona nuk mund të kemi demokratizim të sistemit. Është betejë e vështirë sepse ne vazhdojmë akoma të jemi në tranzicion. Kur po mendonim se do dilnim nga tranzicioni jo vetëm që u rikthyem nga fillimi i tranzicionit por u rikthye në diktaturë. Pra është një proces i cili do të kërkojë kohën e vet. Nëse ne do të flasim për një reformë të thellë zgjedhore, nuk bëhet në një parlament i cili është i përçudnuar. Është një parlament i cili ka 82 deputetë të ligjshëm. Nuk ka 84.
Po bëj një krahasim me Kosovën. U përshëndetën zgjedhjet në Kosovë nga gjithë forcat politike, momentalisht LDK dhe Vetëvendosja kanë rënë dakord për programin e qeverisjes por duket se ka një ngërç përsa i përket ndarjes së pushteteve. Ju keni biseduar me kreun e PD sesi do e bashkëdrejtoni vendin në një të ardhme?
E para ne kemi një marrëveshje që është nënshkruar nga të gjitha partitë politike më 23 prill të 2019. Aty janë shumë të qarta pikat e bashkëpunimit. Sigurisht që ne kemi disa pika të panegociushme për bashkëpunimin me z.Basha, të cilat kanë të bëjnë me integrimin evropian dhe vazhdimësinë e reformave të cilat e bëjnë të domosdoshme hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE. Më pas pastaj përsa i përket sistemit arsimor, punësimin e të rinjve, punën e mirëpaguar, shpopullimin që po ndodh edhe këto janë pika emergjente sot sepse njerëzit po largohen nga Shqipëria për shkak të mungesës së sistemit arsimor, sistemit shëndetësor dhe për shkak të mungesës së sigurisë së jetës së tyre. Këto janë tre pika për të cilat sot shqiptarët po detyrohen të largohen nga Shqipëria dhe të emigrojnë në vende të tjera. Kjo është një nga pikat që sot e vendos në rrezik ekzistencën e Shqipërisë. Ndërsa përsa i përket pyetjes tuaj për reformën zgjedhore ne kemi qenë gati që me 1 dhjetor si opozitë për reformën zgjedhore por qëlloi që ishte situata e tërmetit dhe e kemi spostuar pak në kohë. Ne jemi të gatshëm për ngritjen e një mekanizmi funksional të miratimit dhe të angazhimit të të gjitha forcave politike të përfshirjes së një tryeze politike përsa i përket reformës zgjedhore ku angazhimi dhe gjetja e mekanizmit të miratimit të kësaj reforme do të çojë drejtë zgjedhjeve të parakohshme të cilat i japin fund njëherë e përgjithmonë krizës politike që ka në Shqipëri.