Kryemadhi: Jo qeveri antimafia me në krye Veliajn

602
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, nuk e shikon një qeveri anti-mafia me në krye Erion Veliajn. E ftuar në “Arena”, Kryemadhi thotë se Veliaj nuk është i inkriminuar si Rama. “Çështja e qeverisë anti-mafia që artikulohet, nuk shikoj një qeveri me zotin Veliaj. Unë mendoj se Veliaj ka problemet e veta me zotin Rama brenda Partisë Socialiste, që kanë të bëjnë me grupet e influencave. Pavarësisht se Veliaj nuk e shikoj aq të rrezikshëm sa z.Rama, të inkriminuar dhe të lidhur me krimin e organizuar. E shikoj më të larguar”, u shpreh Kryemadhi. Sipas saj, për sa i përket mënyrës së menaxhimit dhe koncesionet, ka qenë një absurditet i madh në këshillin bashkiak të Tiranës, pasi kryebashkiaku donte të jepte bibliotekat e Tiranës me koncesion. “Do i bëjnë kafene? Po kthejnë çdo qelizë të shoqërisë shqiptare në koncesion”, tha drejtuesja e LSI-së. E pyetur për protestën e 27 janarit, Kryemadhi theksoi se ajo shërbeu për të shkrirë akujt midis partive të opozitës. Ajo tha se ditën e shtunë, Rama nuk është në zyrë, pasi shkon në studion e tij ku bën poça. “Ditën e shtunë nuk mund të bësh protestë të dhunshme. Edi Rama nuk ishte aty. Seç ka një studio tek Kryegjyshata që bën poça dhe detyron biznesmenët që t’ia blejnë nga 20 mijë, 40 mijë euro për të justifikuar pasurinë. Ajo protestë ishte për të thyer frikën e qytetarëve. Unë u ndjeva entuziaste sepse testova qëndrimet e mia politike. Pjesëmarrja e njerëzve tregon se u ka ardhur në majë të hundës. Nuk është kollaj të nxjerrësh qindra, mijëra shqiptarë në bulevard ditën e shtunë. Nga ana tjetër, ndjej të domosdoshme shkrirjen e akujve të partive të opozitës. Pas zgjedhjeve, opozita shqiptare ishte e shkrirë si kokrrat e zhivës”, u shpreh Kryemadhi. Sipas saj, problemi nuk është për t’u përplasur me policët.
Sigal