Kryemadhi: Emigrantët po organizohen do vijnë të votojnë pro opozitës ditën e zgjedhjeve

285
Sigal

Në një intervistë kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi bëri një bilanc të punës së saj 3 vjecare në krye të LSI dhe sfidave që e presin opozitën. Teksa tha se vlerësimi për punën e saj do të bëhet pas rezultatit të zgjedhjeve, ajo tha se LSI do të nisë zgjedhjet brenda partisë në shtator për të zgjedhur të gjitha strukturat e reja.

Në lidhje me situatën politike, Kryemadhi tha se koalicioni opozitar e ka të garantuar fitoren madje ajo shtoi se një pjesë e emigrantëve do të kthehen në Shqipëri ditën e zgjedhjeve për të votuar opozitën.

3 vjet në kye të LSI. Mund të na bëni një bilanc?

Kryemadhi: Do të bëhej një listë e gjatë e shumë gjërave, por do të dëshiroja që bilancin e LSI të bëhej ditën e zgjedhjeve dhe rezultati i punës së LSI do të jenë votat e qytetarëve shqiptarë për LSI dhe për opozitën e bashkuar. LSI vendosi në 4 korrik për të mandatuar Monika Kryemadhin si kryetare dhe fjala ime në atë moment, e cila distanconte përfundimisht LSI nga Rilindja e Edi Ramës, ishte një veprim që në njëfarë mënyre krijonte njëlloj dyshimi jo vetëm te elektorati, por edhe të partisë për shkak të ardhjes nga një 4 vjeçar në qeverisje me Partinë Socialiste. LSI është një parti e majtë, e cila në thelb të programit dhe bazës së saj ka socialdemokracinë dhe fokusin te të rinjtë e te pjesa më vitale e një populli, ku për hir të së vërtetës në çdo vend të botës të rinjtë janë të majtë.
Pozicionimi antirilindje, duke pasur parasysh edhe vendin ku ne jetojmë, ku strukturat e partive që janë në pushtet e përdorin administratën publike kundër opozitarëve, kundër kundërshtarëve të tyre politik. Mendoj që e gjithë veprimtaria e LSI, e cila ka qenë radikale qoftë për djegien e mandateve, apo për bojkotin e votimeve lokale. çizmja është një veprim personal dhe politik për të treguar që kur makutëria, ajo që u kërkon t’u rrëmbesh njerëzve jetën e përditshme, normalitetin dhe lirinë, çizmja është gjëja më e vogël që mund t’i ndodhë dikujt. Prandaj them që rezultati i gjithë kësaj pune do të duket ditën e votimeve, atë ditë që shqiptarët do ta tregojnë me votën e tyre ndaj LSI.
Përsa i përket aktiviteteve të saj, LSI sigurisht që ka një aktivitet goxha intensiv, ka një dalje publike goxha të shpeshtë mediatike, ka një kontakt të shpeshtë dhe të përditshëm.

E quani pozitiv bilancin në këto 3 vjet znj. Kryemadhi?
Kryemadhi: Nuk mund të flas për bilancin pozitiv të Monikës dhe të liderave të LSI, por për mua bilanci duhet llogaritur sesi është te shqiptarët. Bilanci i politikës shqiptare te shqiptarët është mjaft I keq për shkak të largimit të qindra e mijëra shqiptarëve nga Shqipëria. Vetëm në këto 3 vite, numri I shqiptarëve të larguar është mbi 600 mijë.
Ju mbani përgjegjësi për këtë?
Shqiptarët nuk largon për shkak të opozitës. Shqiptarët largohen për shkak të politikës varfëruese të qeverisë. Opozita të jep shpresë dhe ta jep shpresën ditën e zgjedhjeve, pas 4 viteve.
Mendoni se shqiptarët do të kthehen?
Kryemadhi: Sigurisht që do të kthehen. Unë kam pasur takime edhe me SHBA, edhe në Gjermani, edhe në Britaninë e Madhe, ku janë me qindra e mijëra shqiptarë që duke qenë të papunë do të kthehen 1 muaj para ditës së zgjedhjeve për të ardhur dhe për të votuar. Ata po organizohen. Vetëm në një thirrje të një manifestimi që bëri presidenti në 2 mars për çështjen e Kushtetutës erdhën dhjetëra e qindra shqiptarë nga Amerika. Nuk është në LSI, por po të shikojmë reagimin qytetar. Ai vjen në momentin që sapo njerëzit kanë një mesazh apo një sinjal për të reaguar ndaj asaj që po ndodh. Të jeni të bindur që fluturimet që ato do të bëjnë nga SHBA-të, nga Britania e Madhe, nga Europa, nga Greqia do të vijnë për të votuar, mos harroni që vetëm nga Italia vinin me mijëra në protestat e opozitës, organizoheshin dhe vinin në protesta.
-Jeni duke thënë që vitin tjetër do të kthehen 600 mijë shqiptarë për vitin tjetër…
Kryemadhi: Unë nuk do t’i vë numeratorin , por ajo që dua të them është që mund të mos kthehen 600 mijë, mund të kthehen edhe 1 milionë edhe 1 milionë e gjysmë sepse 3 milionë shqiptarë jetojnë jashtë, të cilët janë larguar për shkak të mungesës së sistemit arsimor për fëmijët e tyre, për shkak të sistemit shëndetësor për prindërit e tyre, për shkak të sigurisë të bizneseve të tyre dhe për shkak të humbjes së vendit të punës. Dhe ajo që është me e rëndësishme dhe ne duhet ta kuptojmë këtë gjë sot është që ne duhet të debatojmë se cila është rruga për të rritur ekonominë shqiptare. Për të krijuar mundësinë e punësimit të shqiptarëve dhe jo për t’i dhënë rroga që për ta janë lëmoshë, sidomos për të rinjtë tanë të shkolluar, por është shumë e rëndësishme për të kuptuar dhe për t’i dhënë shanin dhe mundësinë, për t’i ofruar paga të standardit Europian.
-Sa është mandati juaj znj. Kryemadhi?
Kryemadhi:Normalisht deri më datë 5 Dhjetor është mandati i Kryetarit, do të kemi zgjedhje edhe të delegatëve të Konventës dhe për Komitet Drejtues, në shtator do të hapim edhe kandidaturat. Për mua është e rëndësishme t’i jepet shpresë të rinjve dhe të rejave shqiptar, mendoj që Monika Kryemadhi ka një eksperiencë të gjatë në politikë.