Kryemadhi: Dokumentacionet e dala në media faktojnë ulërimën e opozitës për blerjen e zgjedhjeve të 2017-s

505
Sigal

Kryetarja e LSI-së, në një lidhje direkte me emisionin “Të Paekspozuarit” në ‘News 24’.

Znj Kryemadhi, mirëmbrëma… E dëgjuat, bëhet fjalë për përgjimin, bëhet fjalë për një Niçe që ju nuk e njihni apo jo, se kjo politika tani …

Ne kemi Niçen e politikës shqiptare Edi Ramën, kështu që mos u shqetëso shumë.

Pse ju mendoni se Niçja i madh është Edi Rama?

Po Niçja i madh Edi Rama është, kush është. Mua më vjen shumë keq që në fakt kemi hyrë të gjithë në këtë debatin e përgjimeve, na ka bërë një sëmundje e tillë, por gjithë problemi qëndron tek koka e tyre, se çfarë ka Niçja apo Vangjushi, Niçja dhe Vangjushi kanë bërë ato që i ka thënë Niçja i madh. Kështu që kjo është një histori shumë e thjeshtë. Megjithatë këto dokumentacionet që keni nxjerrë ju sot caktojnë edhe një herë ulërimën e opozitës për sa i përket blerjes së votave në zgjedhjet e 25 qershorit të 2017 dhe absolutisht më në fund një pjesë e madhe e shqiptarëve e kuptojnë. Por tashmë nuk mund ta fshehin dot, ashtu sikurse kanë mbyllur sytë dhe veshët ambasadorët kur kanë qenë vetë prezent në proceset zgjedhore dhe kanë parë sesi shqiptarët rrinin si tufa bagëtish para qendrave të votimit dhe prisnin paratë që t’i merrnin për të votuar. Ashtu sikurse nga ana tjetër, dhe ajo që të bën edhe më shumë përshtypje është edhe guximi i Prokurorisë për hir të së vërtetës. Nga njëra anë shikon sesi Prokuroria përgjon dhe nga ana tjetër nuk zbaton. Pra sepse mund ta kapte në flagrancë pas përgjimit që ka ndodhur me z. Dako apo Niçen e të tjerë, në dhënien e parave apo në falënderimin po themi në thonjëza të blerjes së votës apo të kërcënimit të shqiptarëve. Dhe ndërkohë nga ana tjetër mund të shikoni edhe shumë gjëra sepse ne shikojmë një aksion të realizuar, ashtu sikurse arrestohet ish-drejtori i burgjeve z. Çuko, sepse ka folur shoferi i tij për një transferim, ashtu arrestohen edhe ata qiradhënësit e shtëpisë së laboratorit të heroinës në Kukës, që për mua analiza më e madhe e mediave dhe e çështjes së sigurisë kombëtare të Shqipërisë duhet të fillojë me historinë e laboratorit në Has të Kukësit. Pse? Sepse ai është një problem shumë i madh që tregon që hyrja e krimit të organizuar në Shqipëri nuk ka ngelur thjesht në kuadrin e trafikut të kanabisit dhe kokainës, por tashmë është zgjeruar shumë më larg duke vajtur tek heroina dhe tek opiumi që për hir të së vërtetës ato struktura kriminale që merren me këtë lloj trafikimi, janë struktura të cilat janë të lidhura me terrorizmin.

Znj. Kryemadhi, ju me të drejtë herë pas here si drejtuese e opozitës bëni përgjegjës kryeministrin Rama si protektorin e situatës së rëndë kriminale që mbizotëron në vend. Ndërkohë sot ai ju përmendi në Parlament, megjithëse opozita mungonte, madje edhe z. Basha. Pak ditë më parë ai përdorte çizmen si ironi ndërkohë që sot tha: Nuk e di nga cila anë e historisë duhet ta tërheqim vëmendjen nga Babalja, nga Ezeli apo Izaura në versionin Luli dhe Mona. A keni një përgjigje për këtë deklaratë të kryeministrit?

Për Ezelin le t’ju flasë Luli, ndërsa për Izaurën dua t’ju them që mesa duket ai nuk e paska parë filmin deri në fund, sepse Izaura në fund përfundoi e lumtur me burrin e vet, ndërsa Leoncio që është Rama vrau veten. Kështu që duhet të shohë filmin deri në fund përpara se të përdorë epitete, pasi ka hyrë në rrugën e moszgjidhjes së gjërave, megjithatë është mësuar që në momentin që shqiptarët kanë qenë gjithmonë më të qetë, kanë qenë pak më mirë po themi financiarisht, batutat e Ramës edhe hynin në lojë, por sot mendoj që përdorja e batutave të cilat për mua janë shterpë tashmë sepse nuk prodhon më as humor, nuk është më atraktiv, nuk është më interesat sidomos për të rinjtë e ka kthyer në nervozizëm. Por nuk është vetëm kjo. Për hir edhe të disa partnerëve ndërkombëtarë, për hir edhe të disa problemeve të brendshme që ka brenda partisë së tij, ai gjendet përpara një presioni shumë të madh dhe presioni i madh që ka ai është që ata që i servirin mallin janë edhe ata të cilët dashje pa dashje po shkojnë tashmë në dyert e prokurorisë dhe policisë. Se do të rrinë gjatë apo shkurt kjo është për tu parë se sa segmentet e drejtësisë do të jenë të pakapura ose nuk do të bëjnë rolin e kamikazit të Edi Ramës. Por nga ana tjetër dua t’ju them që ka ardhur koha që Rama të dëgjojë këngën ‘mos pi mall bëj palestër’.

Pse ju mendoni që kryeministri ynë pi mall?

Po kjo nuk është ndonjë gjë e re, që të shokojë ty Ylli. E dinë të gjithë tanimë, madje tani mund të tregojmë edhe cilësinë që ai merr. Por nuk mendoj që problemi shqiptarëve është malli që përdor Edi Rama. Sot problemi i shqiptarëve është që sot ata nuk kanë më shpresë, nuk kanë më arsye se pse duhet të jetojnë në Shqipëri. Premtoi 300 mijë vende pune, por ka larguar 500 mijë shqiptarë nga Shqipëria.

Ju dëgjova që thatë që këtu nuk është çështje Vangjush Dako por është çështje Edi Rama dhe se Vangush Dako është vetëm një levë. Sipas informacioneve që unë kam në të njëjtën dosje që flet me këto trafikantët e prezumuar gjendet dhe një deputet i LSI-së. A vlen e njëjta logjik edhe për ju?

Po të jetë deputeti i LSI Durrësit, zyrave të LSI Durrësit ju kanë vënë tritolin personat në fjalë. Po nuk u pastrua politika shqiptare nga njerëz të cilët mendojnë se mund të rrinë në politikë me banda, duke rrahur dhe kërcënuar njerëzit mund ta kalojnë një periudhë zgjedhjet për veten e tyre siç e kaloi Rama në 2017-n, por të gjithë ato banda do ti kthehen në kokë politikës. Sepse ata lloj njerëzisht të cilët ti mendon se të ndihmojnë sot për të marrë një karrige, apo për të marrë një mandat 4-vjeçar, do të marrin tërë jetën e familjes tënde dhe të fëmijëve. Ne duhet të arrijmë në atë stad që të mos jenë kriminelët ata që të diktojnë politikanët, mos jenë oligarkët ata që diktojnë ligjet në parlamentin shqiptar, por të jenë shqiptarët dhe institucionet shqiptare të cilat vendosin për të miratuar ligje që kanë impakt tek ta, dhe jo që kanë impakt për të pasuruar 10 veta dhe për të varfëruar 2 milion të tjerë.

Ju e keni këtë informacion?

Jo nuk e kam këtë informacion. Kam informacion që aty gjendet deputet i PS-së. Po të doni mund të pyes që sot të gjithë deputetët e LSI-së nëse kanë dorë apo jo.

Znj. Kryemadhi ju faleminderit që ishit sot…

Ju falënderoj shumë për misionin e vështirë që keni marrë. Por të gjithë bashkë mund ta ndryshojmë këtë realitet.