Kryemadhi: 25 prilli të jetë një mësim i mirë për të gjithë politikanët, për të treguar që shqiptarët dinë të ndëshkojnë, por edhe të vlerësojnë

221
Sigal

Në vazhdim të takimit të saj në Bradashesh, Kryemadhi tha se 25 prilli do të jetë një mësim i mirë për të gjithë politikanët, për të treguar që shqiptarët dinë të ndëshkojnë, por edhe dinë të vlerësojnë.

Pjesë nga takimi në Bradashesh :

Kanë ikur mbi 10 mijë mjekë e infermierë nga Shqipëria sot dhe s’ka më asnjë. Dhe sot në Universitetin e Elbasanit po të shikosh, një nga flukset më të mëdha është infermieria, sepse të gjithë duan të mësojnë gjermanishten dhe të ikin drejt Gjermanisë, qoftë të punojnë infermierë në azile, spitale e të tjera. Kur ndërkohë hapësirat janë të pafundme për të krijuar mundësitë e zhvillimit, sepse mund të zhvillosh turizmin shëndetësor, sepse sot ti mund të ofrosh shërbime shumë të mira, cilësore e konkurruese për sa i përket rajonit edhe Europës. Ashtu sikurse mund të ofrosh përsëri edhe turizmin arsimor, siç po ndodh me një nga universitetet private siç është “Zonja e Këshillit të Mirë”, që ka shumë italianë që vijnë dhe zhvillojnë mësim. Mjafton që ne të krijojmë cilësi dhe standard në arsim, në universitet, ti japim rëndësi dhe vlerë diplomës në universitetet tona, në mënyrë të tillë që të kthehesh në një nga qendrat universitare të rajonit. Sepse je shumë afër Europës, por me menaxhimin e shtetit je me vite dritë larg saj.

Pse themi që shanset dhe mundësitë janë? Shanset dhe mundësitë janë, sepse ne sot më shumë se kurrë duhet të punojmë çdo ditë nga 10 minuta për të bindur njerëzit për të shkuar të votojnë. Mjafton që ti dënon dhe ndëshkon me votë atë njeri që ka krijuar jetë të vështirë, që të ka ngritur taksat, që të ka gënjyer dhe mashtruar, që nuk të është përgjigjur dhe të ka krijuar probleme në jetën tënde. Dhe jepi prioritet, vlerësoje dhe angazhoje atë njeri që di të mbajë fjalën.

Unë them që ne i kemi shanset dhe mundësitë për të krijuar hapësira për të rinjtë dhe të rejat. Për të gjithë e kemi mundësinë, por duke i dhënë shansin të rinjve dhe të rejave, për të pasur një arsim më të mirë, do të kemi mundësi punësimi, mundësi të skemës së kontributeve, në mënyrë të tillë që edhe pensionistëve t’u japim pensione më të larta. Sepse një nga problemet sot është që Shqipëri po plaket me një ritëm të jashtëzakonshëm. Para disa vitesh ne kishim 67 mijë lindje në vit, sot kemi rreth 28 mijë. Pra po shkojmë më shumë se përgjysmimit të lindjeve. Çfarë do të thotë? Do të thotë që Shqipëria po plaket shpejt e më shpejt dhe çdo gjë po shkon drejt marxhinalizimit apo bllokimit të hapësirave.

Është shumë e rëndësishme që ne të punojmë çdo ditë nga 10 minuta. Unë jam e gatshme për të qenë në çdo zonë të Bradasheshit, në çdo shtëpi për të komunikuar. Sigurisht që kemi edhe ne kusuret tona, por vetëm duke i pranuar gabimet, nuk do i bëjmë më ato, por do krijojmë hapësira të reja për më shumë. Nganjëherë kemi tentuar për të bërë politikë të madhe në këto institucionet e mëdha dhe flasim për demokracinë, por kemi harruar demokracinë më të rëndësishme, që duhet të ketë çdo deputet dhe politikan: që t’i shërbejë qytetarëve, t’i shërbejë votuesve të vet. Por mendoj që 25 prilli të jetë një mësim i mirë për të gjithë politikanët për të treguar që shqiptarët dinë të ndëshkojnë, por edhe dinë të vlerësojnë.