Kryeinspektorët penguan prishjen e ndërtimeve pa leje

446
Sigal

KLSH kallëzon penalisht dy ish-kryeinspektorë të INUK dhe ish drejtorët e ALUIZNI-t në Vlorë dhe Lezhë

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë kallëzim penal për dy ish-kryeinspektorë të INUK në Tiranë të cilët akuzohen për shpërdorim detyre. Sipas KLSH-së dy ish-kryeinspektorët e INUK të cilët kanë drejtuar këtë institucion në vitet 2010-2012 kanë penguar prishjen e ndërtimeve pa leje. Ata akuzohen edhe për moszbatim të afateve ligjore për gjobat 99,653 lekë. KLSH i ka kërkuar Kryeinspektorit të INUK që të fillojë procedurat Administrative dhe ligjore. Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kërkuar INUK që të merren masa disiplinore edhe për 7 punonjës si dhe masa për largim nga puna për 7 punonjës të tjerë të INUK.

Akuzat për shpërdorim detyre

– Moszbatim të ligjit në evidentimin, pengimin dhe prishjen e ndërtimeve pa leje, si dhe mosadministrimin e vlerave materiale (automjetet e karburant) sipas kërkesave ligjore.

– Moszbatim të afateve ligjore në procedurat për vjeljen e gjobave me vlerë 99,653 mijë lekë, në kundërshtim me ligjin.

– Mosevidentim me procesverbale ekzekutimi të vendimeve të prishjes së objekteve pa leje ndërtimi dhe për mos evidentimin e shpenzimeve për prishjen e objekteve në ngarkim të subjektit kundërvajtës në 136 raste.

– Veprime dhe mosveprime e kryera në kundërshtim me ligjin nr. 9780, “Për Inspektimin e Ndërtimit” i ndryshuar në zbatim të tij për 11 raste të ankesave nga qytetarë të ndryshëm.

– Mosndjekjen e procedurave ligjore në rastet e sekuestrimit të mjeteve dhe makinerive të subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë e shfrytëzimit të materialeve inerte lumore, vendime sekuestrimi dhe nuk ka dokumentuar me procesverbal ose me fletë dalje dorëzimin e këtyre mjeteve, subjektit që i janë sekuestruar.

– Mosndjekjen e procedurave ligjore pas marrjes së vendimeve për masën e “Pezullimit të punimeve ndërtimore” ndaj subjekteve të konstatuara me shkelje ligjore në 26 raste.

– Sekuestrimi i mjeteve, nuk është shoqëruar me masa të tjera administrative si heqje e licencës profesionale e personale të shoqërisë pranë organit përkatës.

– Konsumim të karburantit më tepër se normativat e konsumit për 8065 litra karburant me vlerë 1,346,855 lekë dëm ekonomik dhe nuk ka asnjë dokumentacion ekonomiko financiar mbi përdorimin e tij.

– Dhënien e autorizimeve për daljet e karburantit nga magazina për punonjës që nuk kanë patur në përdorim mjetet e institucionit, si dhe mosndjekjen e konsumit të karburantit për distancat ndërmjet qyteteve.

 Ish drejtori i ALUIZNI-t në Vlorë akuzohet për shpërdorim detyre

 KLSH ka bërë kallëzim penal për ish drejtorin e ALUIZNI-t në Vlorë me akuzën e shpërdorimit të detyrës, sjelljen e mungesës së të ardhurave për fondin e kompensimit të ish pronarëve në buxhetin e shtetit, si dhe moskryerjen e procedurave ligjore në procesin e legalizimit.

Shkeljet

– Në 2 raste ka miratuar leje legalizimi në kundërshtim me ligjin për objekte që shtrihen në distancë më të afërt se 100 m nga aksi rrugor nacional.

– Në 5 raste ka rezultuar se, objektet e legalizuara janë ndërtuar në distancë më të afërt se 100 m me vijën e detit (në rërë).

– Ka legalizuar objekte të cilat nuk rezultojnë të plota në ortofoto dixhitale.

– Mos llogaritjen dhe mos shitjen e pjesëve të parcelave ndërtimore me çmimin e tregut të diferencave të sipërfaqeve në parcelat ndërtimore të legalizuara.

– Nga auditimi i zhvilluar në këtë institucion, rezultoi se në lidhje me procedurat e zhvilluara për procesin e legalizimit , u konstatua se në 10 raste është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën prej 9,696,089 lekë si diferencë e pagesës së sipërfaqes së parcelës ndërtimore të paguar, me sipërfaqen e vëtëdeklaruar të përcaktuar në VKM dhe që zotëron poseduesi i ndërtimit informal në fakt, duke krijuar mungesë të të ardhurave për fondin e kompensimit të ish pronarëve në buxhetin e shtetit e cenuar interesin publik.

– Është miratuar leje legalizimi për objekt me 4 kate brenda vijës së verdhë, pa përcaktuar më parë statusin e parcelës ndërtimore.

– Në 7 raste u konstatua se, vetëdeklarimi për madhësinë e parcelave ndërtimore zënë nga poseduesi i ndërtimit informal apo katet e ndërtesës, nuk përputhen me të dhënat e rezultuara nga përditësimi në terren (skica fushore). – Edhe pse këto vetëdeklarime duhet të klasifikoheshin “Të rreme”, nga ALUIZNI Vlorë nr. 2, është vazhduar me procesin duke i legalizuar ato.

 Ish drejtori i ALUIZNI-t në Lezhë, dëm prej 163 milionë lekë fondit të shpërblimit të ish pronarëve

KLSH ka bërë kallëzim penal për ish drejtorin e ALUIZNI-t në Lezhë dhe dy drejtues të tjerë të tij me akuzën e shpërdorimit të detyrës, sjelljen e mungesës së të ardhurave për fondin e kompensimit të ish pronarëve në buxhetin e shtetit, si dhe moskryerjen e procedurave ligjore në procesin e legalizimit.

Shkeljet

– Moskualifikimin paraprak të aplikimeve në 663 raste të legalizimeve të ndërtimeve brenda zonës arkeologjike dhe zonës turistike, duke mosllogaritur e shitur diferenca të sipërfaqeve në parcelat ndërtimore të legalizuara me çmimin e tregut.

– Nga auditimi i zhvilluar rezultoi se në lidhje me procedurat e zhvilluara për procesin e legalizimit , u konstatua se nga ana e këtyre drejtuesve janë llogaritur me diferencë çmimi, në 7 raste me një dëm ekonomik në vlerë 1,254,000 lekë, duke aplikuar çmime të gabuara. Nga shitja e parcelave ndërtimore, duke mos përfshirë sipërfaqen e deklaruar dhe të zënë nga qytetarët në 29 raste, për të cilat nuk është llogaritur e shitur me çmimin e tregut sipërfaqja e truallit prej 14 358 m2(diferencë) me vlerë 162,126,111 lekë, që ju përkasin ndarjeve të parcelave ndërtimore, të rezultuara si diferenca ndërmjet matjeve në terren sipas skicave fushore(më të mëdha) dhe sipërfaqeve të legalizuara (më të vogla), duke shkaktuar një mungesë të ardhurash në buxhetin e shtetit për fondin e shpërblimit të ish pronarëve dhe cenuar interesin publik, pasi janë lënë e përdorur në mënyrë të kundraligjshme sipërfaqe trualli të tokës shtetërore e publike nga qytetarët pa u kryer pagesat përkatëse me vlerën e tregut.

– Në total nga Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, si pasojë e veprimeve të mësipërme penale dhe shkeljeve të tjera të legjislacionit në fuqi është konstatuar një dëm ekonomik në vlerën 1,383,153 lekë dhe një mungesë të ardhurash në buxhetin e shtetit për fondin e shpërblimit të ish pronarëve në vlerë prej 162,126,111 lekë dhe cenuar interesin publik.