Kryediplomati Bushati, këshilla Ramës/ Marrëdhëniet me Greqinë i kishim më të stabilizuara. Mos i besoni Vuçiçit, zëdhënës i politikës së viktimizimit

444
Sigal

Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, mbrëmë, në një intervistë sërish kritikoi politikën e Jashtme të qeverisë, drejtpërdrejt ministrin e Jashtëm dhe kryeministrin Rama dhe me deklaratën e tij, Bushati la të kuptohet se në marrëdhëniet shqiptaro-greke janë bërë hapa pas. Ish ministri i Jashtëm Bushati: “Nuk kam një informacion të plotë të them ku është ky proces. Unë jam ndjekës i vëmendshëm i të gjithë zhvillimeve politike, nuk di të ketë pasur raund të ri bisedimesh. Di që ka pasur kontakte në nivel kabinetesh të kryeministrave. Mua më shqetëson fakti, që vjet kishim marrëdhënie disa herë më të stabilizuar me Greqinë dhe kjo ishte arsyeja pse Greqia ishte renditur në grupin e vende pararojë në procesin e integrimit të vendit tonë”, u shpreh Bushati duke lënë të kuptohet se në marrëdhëniet shqiptaro-greke janë bërë hapa pas dhe analizon paskëtaj marrëdhëniet me Serbinë. Bushati: Në Serbi ka një realitet interesant dhe ka një ndarje detyrash ndërmjet disave që janë zëdhënës të politikave të viktimizimit me në krye Presidentin Vuçiç dhe të tjerëve që shpesh ia lejojnë vetes që të marrin trajtat e komedianëve. Gjithashtu në Serbi ka një politikë që unë e kam konsideruar si “politika e lisharësit”, pasi Serbia ja lejon vetes që të ulet në disa karrige në të njëjtën kohë. Nga njëra anë pretendon dhe kërkon që të jetë anëtare e BE dhe nga ana tjetër thotë që do të duhet që të konsultohet me Presidentin e Rusisë apo me atë të Kinës, se çfarë qëndrimi do të mbaje në raport me dialogun me Kosovën. Kësaj qasje të Serbisë është rasti qe në t’i përgjigjemi në mënyrë asimetrike duke vijuar linjëzimin e politikes së jashtme dhe të qëndrimeve me BE dhe duke u konsultuar me aleat kryesor strategjik për çështje të rëndësishme. Nuk bie dakord me ata që merren, analizojnë dhe kritikojnë Vuçiçin për qëndrimet e që mban. Ai është Presidenti i Serbisë, është në të drejtën e tij që të flasë dhe të mbrojë interesat e shtetit që përfaqëson dhe në disa raste duhet thënë që presidenti serb ka mbajtur qëndrime kurajoze, siç ishte edhe qëndrimi i fundit ku ai ka pranuar publikisht që plani për ndryshimin e territoreve ishte një plan i propozuar prej tij dhe na çliroi dhe ne të tjerëve besoj, që tanimë të jemi të qetë dhe të mendojmë që ndonjëherë nën petkun e pro-atlanticizmit fshiheshin edhe interesa neojugosllave që na dëmtojnë.