Sigal

Vetëm nga muaji shkurt deri në muajin shtator Shërbimi Social Shtetëror ka refuzuar nga skema e ndihmës ekonomike 1061 familje me motivacionin: “Nuk janë paraqitur tek Zyra e Punës si punëkërkues”, por që në fakt nuk i ka regjistruar si të tillë

Në një reagim të mëparshëm, kryebashkiaku Xhelal Mziu reagoi rreth faktit që Zyra e Punës u largua nga Kamza për t’u zhvendosur në Tiranë, duke qenë ky një skandal më vete, për faktin se kjo është Bashkia e 6-të në vend për nga numri i popullsisë. Zyra e Punës nuk po kryen funksionin e saj që ka, gjetjen e një vendi pune punëkërkueseve, por çfarë është me skandaloze ajo nuk po ushtron funksionin e saj procedural, regjistrimin e qytetarëve si të papunë, e nevojshme kjo prej tyre për të përfituar ndihmën ekonomike apo edhe shërbimet e tjera në institucione, si shëndetësi etj.
Kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, thotë se ka me mijëra ankesa nga qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit, të cilët, pasi shkojnë në zyrat e punës, nuk regjistrohen si të tillë, pra Zyra e Punës, nuk u jep qytetarëve kartonin e papunësisë.
“Qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit paraqiten çdo ditë pranë Zyrës së Punës në Tiranë (duke qenë se e hoqën nga Kamza), humbin kohë duke qëndruar në radhë dhe para për të shkuar deri atje dhe, pasi shkojnë, u jepet një copë letër për t’u paraqitur në një nga sportelet jo atë ditë, por pas disa ditëve të tjera dhe kur shkojnë, as që bëhet fjalë t’u gjendet punë. Qytetarëve u kërkohet në mënyrë të përsëritur të paraqiten te Zyra e Punës dhe përgjigjja është e njëjtë: ‘S’ka punë!’

Kjo është e konstatueshme nga kontaktet që kemi me qytetarët, por edhe po të shkosh në ambientet e Zyrës së Punës, e njëjta situatë ndodh edhe për banorët e njësive administrative të tjera”, – thotë kreu i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu.
Sipas z. Mziu, ky është një skandal më vete, pasi zyrat e punës duhet t’u gjejnë punë qytetarëve ose në të kundërt duhet t’i regjistrojnë si të papunë, duke u dhënë kartonin e papunësisë, pra për t’i pranuar zyrtarisht me këtë status. Kjo nuk po ndodh dhe problem është ky fakt në Bashkinë Kamëz jo vetëm për qytetarët që verbërisht besojnë në funksionin e kësaj zyre pune, por më shumë problematike është për mijëra familje të cilat Shërbimi Social Shtetëror i ka hequr nga skema e ndihmës ekonomike, me pretekstin se nuk paraqiten pranë Zyrës së Punës. Me konkretisht, nga muaji shkurt deri në muajin shtator Shërbimi Social Shtetëror në vendimet e njëpasnjëshme mujore ka refuzuar nga skema e ndihmës ekonomike 1061 familje me motivacionin: “Nuk janë paraqitur tek Zyra e Punës si punëkërkues”. Por në fakt e vërteta është që banorët janë paraqitur, por janë ndeshur me talljen dhe mos regjistrimin si të papunë, për t’u dhënë kartonin e papunësisë, ose statusin e të papunit!
Sipas kryebashkiakut Mziu, kjo vijë sjelljeje e qeverisë është në vazhdën e diskriminimit që qeveria “Rama” po i bën Kamzës dhe banorëve të saj prej ditës së parë që “Rilindja” erdhi në pushtet në vitin 2013. Në reagimin e mëparshëm nga kryetari i Bashkisë Kamëz u denoncua fakti i largimit të Zyrës së Punës nga Kamza. Kjo zyrë ishte në ambientet e One Stop Shop-it të Bashkisë Kamëz aty ku kryhen shërbime edhe nga 34 sportele të tjera, por “Rilindja” e largoi në një ambient privat në Kamëz për ta larguar përfundimisht nga territori i Bashkisë, një rast unikal ky në vend!