Studentët e Tiranës mund të pajisen me abonenë falas të autobusit që në fillim të vitit të ri akademik. Deklarata u bë nga Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj i cili tha se karta e Studentit që ofron rreth 1600 shërbime, shërbim kryesor ka pikërisht abonenë studentore. “Karta e Studentit, siç e dini ofron sot 1600 shërbime, por shërbim kryesor, edhe si vlerë financiare, ka abonenë e përgjithshme falas. Bëhet fjalë për 22.500 studentë dhe ne kemi parashikuar 13.5 milionë në muaj, vlerë, e cila do mbulohet e gjitha nga buxheti i Bashkisë së Tiranës,” u shpreh Veliaj. Pajisja e studentëve me abonenë e studentit prej gati një viti bëhet falas nëpërmjet sistemeve elektronike të Kartës së Studentit. Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak Tiranë u vendos që procedura për marrjen e kësaj karte të nisë që në muajin tetor, ndryshe nga vitet e tjera që fillonte pas nisjes së vitit të ri akademik.