Kryebashkiaku Veliaj në konferencën ballkanike të ujit: Linjë të re në Unazën e Re

431
Sigal

Dje në Tiranë u mbajt konferenca dhe ekspozita më të madhe ballkanike për ujin, ku ekspertë dhe politikëbërës nga shumë vende të Evropës ndanë përvojat e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori në rajonin tonë. Kryebashkiaku i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi takimin si një mundësi e shkëlqyer për të mësuar më shumë për këtë sektor dhe për t’i përkthyer dijet në projekte konkrete. “Mezi pres që këto dije që morëm sot t’i përkthejmë në investime konkrete. Bashkëpunimi me vende që janë lider sot në BE, për mënyrën se si menaxhojnë ujin është kyç. Më vjen mirë që këto platforma kthehen në një mundësi për të bërë më shumë biznes dhe më shumë bashkëpunim. Falë mirëmenaxhimit të ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, në Tiranë janë kryer një sërë investimesh të rëndësishme. Veliaj listoi disa nga projektet e mëdha mes të cilave dyfishimin e kapacitetit të Bovillës dhe ndërtimin e një linje të dedikuar për furnizimin me ujë të pijshëm i zonës së Unazës së Re, Yzberishtit dhe Kasharit. “Në Bashkinë e Tiranës kemi filluar një seri ndërhyrjesh me kolegët hungarezë, me të cilët kemi një bashkëpunim të shkëlqyer. Kemi filluar dy ndërhyrje të rëndësishme për qytetin tonë: së pari, për dyfishimin e të gjithë kapacitetit në zonën e Bovillës, ku kemi shtuar filtrimin, e mandej për të lidhur një linjë direkte në disa nga zonat me banorë të rinj të Tiranës, duke nisur nga Sheshi “Shqiponja”, deri te Fabrika e Miellit, që njihet si zona e Unazës së Re; një zonë e cila në letra ka 7 mijë banorë, por në realitet është 70 mijë banorë”, tha Veliaj. Gjatë këtyre 3 dekadave në kryeqytet është 5-fishuar numri i popullsisë e, për rrjedhojë dhe nevoja për ujë. Ndaj, theksoi Veliaj, çështja e ujit nuk duhet konsideruar si një mall politik apo një sipërmarrje për punësimin e militantëve. Kryebashkiaku tha se një nga mësimet më të rëndësishme ka qenë depolitizimi i ndërmarrjeve të Ujësjellësit, duke e rikthyer në eficiencë. “Uji është mall komercial, jo mall politik; shpeshherë në rajonin tonë kjo është ngatërruar. Është trajtuar si një mall politik dhe shumë prej Ujësjellës-Kanalizimeve janë kthyer në ndërmarrje ku “parkohen” militantët, me një eficiencë shumë të ulët pune. Më vjen mirë që kjo ka nisur të ndryshojë dhe besoj se këtu duhet të mësojmë që ujin ta trajtojmë, së pari, si një mall komercial, që ka vlerë në treg, që ka një kosto prodhimi”, nënvizoi kryebashkiaku Veliaj. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm me ujin e pijshëm dhe të mos abuzojnë me këtë pasuri të përbashkët.