Kryebashkiaku Veliaj i dorëzon “Çelësin e Qytetit” G.Bosia

482
Sigal

Kryebashkiaku Veliaj i dorëzon “Çelësin e Qytetit” familjes së arkitektit që hodhi themelet e Tiranës evropiane, Gherardo Bosio

Familja e arkitektit dhe urbanistit të njohur italian, Gherardo Bosio, i cili hodhi themelet e godinave kryesore në Tiranë, u prit në një takim të veçantë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në shenjë mirënjohje për veprat që la arkitekti i guximshëm italian në ndërtimin e qytetit modern, Veliaj i dorëzoi pasardhësve të tij “Çelësin e Qytetit”, simbolin e të pasurit gjithmonë një derë të hapur në kryeqytet. “Në shenjë mirënjohje, dua t’ju jap “Çelësin e qytetit” të Tiranës. Duke qenë se gjyshi juaj ka themeluar qytetin tonë modern, besuam që ishte udhës, që në emër të të gjithë qytetarëve të Tiranës, t’ju falënderonim e t’ju trajtonim si të shtëpisë, duke ju dhënë edhe çelësin e qytetit tonë”, tha Veliaj. “Edhe në këto ditë të vështira që po kalon Shqipëria, ku shpeshherë ndërtesat historike të trashëgimisë, vandalizohen, qyteti mundohet që t’i rikuperojë në kohë rekord, t’i ruajë, për t’ia lënë trashëgimi brezave. Kur shoh se si debatet mbi çfarë duhet të qëndrojë në qytet, pra ndërtesat e vjetra, të degraduara, apo ndërtesat e përkohshme, për të vetmen gjë që nuk ka debat janë ndërtesat e Bosios, që ka themeluar, le të themi, një arkitekturë të re në Shqipëri, që janë bazat e çfarë është estetike, e bukur dhe çfarë është me vlerë në qytetin tonë”, shtoi kryebashkiaku Veliaj.