Kryebashkiaku Veliaj: Deri në 2030-n do të mbjellim 2 milionë pemë

519
Sigal

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i pranishëm dje gjatë aksionit të gjelbërimit nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, ka premtuar mbjelljen e 2 milionë pemëve të tjera në kryeqytet. Veliaj u shpreh i bindur se në vitet në vijim, Bashkia e Tiranës do të kontribuojë fuqishëm në gjelbërimin e vendit. “Ambicia jonë nisi dy vitet e para me nga 100 mijë pemë në vit. Duam që brenda 2030-s në Tiranë të jenë mbjellë 2 milionë pemë, si një mënyrë për të kompensuar 200 mijë makina që sot ka Tirana, në atë që ne e quajmë “Pylli Orbital”. Kryesisht prek zona rurale, pra në periferi të Tiranës, edhe për të shënjuar një lloj distance midis pjesës urbane dhe pjesës bujqësore rurale, ama një lloj akupunkture po ndodh në të gjitha mini-parqet e Tiranës”, tha kryebashkiaku. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi kontributin e studentëve dhe stafit akademik të fakultetit që iu bashkuan nismës së Pyllit Orbital. “E vetmja mënyrë e sigurt, me kosto të përballueshme dhe afatgjatë, për të prodhuar më shumë oksigjen është mbjellja e një peme. Ky është parku i “lofatave”, pemë shumë të bukura të dhuruara nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës. Për të gjithë ne këtu do të jetë një kënaqësi fantastike kur të kalojmë buzë këtij parku; do të themi unë isha aty ditën kur u mbollën këto pemë, e do t’i i shohim teksa rriten bashkë me ne, me familjet tona në qytetin e Tiranës”, tha Veliaj teksa kërkoi që nisma të ndiqet edhe nga fakultetet e tjera.