Kryebashkiaku i Tiranës Veliaj, gjatë takimit me urbanistët shpalos planet e reja për zhvillimin e kryeqytetit, nga panairet te teknoparqet

106
Sigal

Gjatë takimit me urbanistë dhe arkitektë mbi zhvillimin e Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj e vuri theksin edhe në dy prej projekteve më të reja, të cilat përkojnë me vitin e Qytetit Europian të Sportit: stadiumin e ri “Selman Stermasi” dhe Pallatin e ri të Sportit “Asllan Rusi”.

“Sot dua të lajmëroj se duam të fillojmë punën për Pallatin e ri të Sportit. Është një hangar – Jam i sigurt se edhe aty do të plasë histeria, por ju lutem më ndihmoni t’u dalim përpara gjithollogëve e t’u themi: Po prisni more, se është hangar, ka qenë vendi ku rrinin avionët e kohës së Italisë. Në vitet e vështira të komunizmit u përshtat si një arenë sportive, por sot është komplet e degraduar. Tani jemi Qyteti Europian i Sportit, nuk mund të luajmë në hangar në vitin 2023”,- tha ai. Veliaj shtoi se e njëjta gjë do të ndodhë edhe me stadiumin “Selman Stermasi”. Një tjetër projekt të rëndësishëm për Tiranë, Veliaj veçoi Piramidën, e cila sipas tij pritet të hapet në prill. Ai foli gjithashtu, edhe për zonën e Bulevardit të Ri, ku është rikthyer ideja për të vendosur aty godinat publike të Drejtësisë.“Do i rikthehemi idesë së Polit të Drejtësisë dhe për këtë do të shfrytëzojmë Bulevardin e Ri. Tashmë, kemi piketuar disa hapësira për gjykatat e reja të Tiranës. Po të shikosh Gjykatën e Lartë të vendit, është futur si me lugë këpucësh mes rr. “Myslym Shyri”. Kjo s’është normale. Për panairet kemi vetëm Pallatin e Kongreseve. Kjo nuk mund të vazhdojë më kështu. Na duhet një ‘Convention Center’. Vetëm vitin e kaluar, me Kryeqytetin Europian të Rinisë, ne kishim kongrese, seminare dhe simpoziume nga më të ndryshmet. Na duhet një qendër e mirëfilltë e panaireve dhe konventave, nëse duam që Tirana të vazhdojë të ecë përpara me turizmin. Na duhet të zhvillojmë tekno-parqet dhe gjithashtu, një pjesë të industrisë fin-tech, pra të atyre që bëjnë programime, që punojnë me sistemet bankare dhe sigurisht disa hotele”,-deklaroi Veliaj.