Kryebashkiaku i ri/ “Gjenerali” i 21 janarit, pasi u bë kryetar i PS-së së rrethit, emërohet nga kryeministri kandidat për Burrelin

695
Sigal

Gjaku i 4 protestuesve të 21 janarit 2011 u derdh që Edi Rama të marrë pushtetin dhe jo për Drejtësi, Demokraci, Barazi për shqiptarët

“Gjenerali” i 21 Janarit, pas kreut të PS, merr edhe bashkinë e Burrelit

 

Kryeministri Rama, si kryetari i Opozitës në fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 2013 premtoi se në qeverisjen e tij, do të bënte gjithçka që ngjarjet e 21 janarit të zbardhen dhe drejtësia të dënojë të gjithë përgjegjësit, ata që urdhëruan që të hapej zjarr ndaj protestuesve, si edhe të dënoheshin ata që vranë 4 protestuesit. Mirëpo, kryeministri Rama, sa u ëmbëlsua me “mjaltin” e pushtetit, harroi premtimet, braktisi edhe gjakun e 4 protestuesve të 21 Janarit 2011, por, më e keqja është se kryeministri Rama, gardistin, Agron Malaj, i cili ishte në grupin e zjarrit, dhe u akuzua, se edhe mund të ketë qëlluar mbi protestuesit, e gradoi kryetar të PS-së në Burrel, më vonë e gradoi edhe drejtor të OSHEE po në Burrel. Sikur të mos mjaftonin këto, këto ditë, kryeministri Rama, duke hedhur edhe një herë baltën e shpërfilljes, të harresës dhe të padrejtësisë, ndaj gjakut të 4 protestuesve të vrarë në 21 janar 2011, e gradon Agron Malaj, gardistin e 21 janarit, si kandidat i Bashkisë së Burrelit të propozuar nga PS-ja. Me këtë veprim, kryeministri Rama u dëshmon, në radhë të parë familjeve të 4 protestuesve të vrarë në 21 janar 2011, që gjaku i djemve, baballarëve dhe vëllezërve, u derdh, që Rama të merrte pushtetin dhe ta ndajë Tepsinë e Pushtetit me ata gardistë që vranë protestuesit, dhe jo që të vendosë Drejtësi, Demokraci, Barazi për të gjithë shqiptarët dhe të ketë prioritet integrimin e Shqipërisë.

 

Ja rrjedha e ngjarjeve të gradimit të “Gjenerali” të 21 janarit drejt kupolës së PS dhe Shtetit

 

Këto ditë dhe sidomos dje, në redaksinë e Gazetës “Telegraf” kanë ardhur reagime të shumta nga rrethi i Matit, shumica nga qyteti i Burrelit, lidhur me hipokrizinë e drejtuesve të lartë të PS-së ndaj masës së socialistëve, për qëndrimin moral e ligjor ndaj ngjarjes së 21 janarit 2011. Telefonuesit nga rrethi i Matit, disa prej të cilëve drejtues e ish-drejtues të PS në qytet e në zona, kanë quajtur “denigrues” qëndrimin ndaj 21 janarit 2011, ku në emër të idealit të PS u vranë 4 protestues, të ngritur në protestë nën thirrjen e PS. Në reagimet e tyre, socialistët matjanë (por edhe nga Mirdita, Dibra e Bulqiza) kanë denoncuar një fakt skandaloz që është “vepër” e drejtuesve të lartë të PS në Tiranë, bërë pas ardhjes në pushtet në vitin 2013. Çfarë ka ndodhur e po ndodh në Mat? Përse ndihen të gënjyer, të zhgënjyer e të denigruar socialistët e këtij qyteti dhe rrethi? Çfarë i shqetëson dhe i irriton ata prej më se 2 vitesh të pushtetit të PS? Kush i drejton prej 1 viti socialistët e këtij rrethi?

Ish-komandanti i grupit të zjarrit të 21 janarit 2011, prej 1 viti i emëruar kryetar i PS-Mat

Nuk është një sajesë, por fakt që ish-gardisti në hetim Agron R. Malaj, ish-komandanti i grupit të zjarrit që qëlloi mbi protestuesit e 21 janarit 2011, nga plumbat e të cilëve u vranë 4 protestues të PS, që nga 2015-ja viti vazhdon të jetë kryesocialist zonal, jo i zgjedhur nga anëtarësia, por i emëruar “me urdhër të formës së prerë” nga kupola e lartë drejtuese e PS në Tiranë, në detyrën partiake si Kryetar i PS të rrethit të Matit. Nuk paragjykojmë të drejtën e gjithsecilit për t’u punësuar kudo ku i hapen dyert, por në rastin konkret kemi të bëjmë me një “episod” të turpshëm, që ka përdhosur moralin e socialistëve të thjeshtë e të drejtuesve lokalë të PS, prej drejtuesve të lartë të PSSH. Çfarë vazhdon të shqetësoj socialistët e rrethit të Matit? Që prej muajit mars 2015, në krye të tyre u shfaq si kryetar Agron Malaj, ish-komandanti i grupit të zjarrit të Gardës, grupit që qëlloi mbi protestuesit e 21 janarit 2011. Ndërsa gjendej nën hetim brenda dosjes së 21 janarit, premtuar prej kupolës së lartë të PS për zbardhje e çuarje përpara drejtësisë si “betim mes lotësh”, ish-oficeri i Gardës Agron Malaj, i shoqëruar prej “sillos” së kryetarit të PS, u prezantua, u katapultua dhe u “ngul” si kryetar i PS të rrethit të Matit, duke zbritur nga drejtimi një socialist të përkushtuar e idealist! Socialistët e kundërshtuan këtë katapultim të kryetarit, duke e quajtur “denigrim të idealit socialist”, për faktin që në krye të tyre po gradohej një ish-oficer drejtues i grupit të zjarrit, grup që vrau 4 protestues, më 21 janar 2011. Por “i deleguari” i kupolës së kryesisë së PS qendrore, shoqëruar edhe nga kandidatja për kryetare bashkie të qytetit dhe disa “të fortë të zonës”, deklaroi se “Agron Malaj është simboli, frymëzimi dhe modeli i drejtuesit të ri socialist”. Reagimeve të bazës socialiste të Matit, i deleguari i “kominternit” Balla, i është kundërpërgjigjur me këtë ultimatum e presion psikologjik: “Mos flisni fare, ky është emëruar kryetar i PS për ju, me urdhër… të kryetarit të madh të PS!” Ish-gardisti komandant i grupit të zjarrit të 21 janarit 2011, vazhdon të jetë fuqiplotë në krye të PS të rrethit të Matit, së fundi i angazhuar edhe në “gjuetinë e shtrigave” që po bën brenda strukturave të PS dhe në OSHEE ku është emëruar drejtor rajonal po nga pushteti i PS, duke shkarkuar e larguar nga PS e nga puna socialistët e ndershëm, që prej 25 vitesh kanë kontribuar dhe kanë sakrifikuar për strukturat dhe idealin e PS edhe në protestën e 21 janarit 2011, ku ish-gardisti, tashmë kryetar i tyre, u kishte drejtuar tytat e kallashëve.

Familjarët e 4 viktimave të 21 janarit, zhgënjim prej demagogjisë së pushtetit të PS

Reagimi i socialistëve të Matit, lidhur me qëndrimin e turpshëm të emërimit në krye të PS të këtij rrethi, të ish – drejtuesit të grupit të zjarrit, grupit që vrau 4 protestues më 21 janar 2011, shoqërohet në këtë 21 janar të gjashtë, të lënë në heshtje e pa zbardhje edhe nga qëndrimi i mbajtur dje nga familjarët e 4 viktimave të 21 janarit 2011. Në 11 janar 2016 ata e kanë kryer vetë homazhin në nderim të të afërmve të tyre, duke postuar fotografi në rrjetet sociale, madje duke “dënuar” ashpër zhgënjimin nga pushteti i PS për mos-bërjen drejtësi, për heshtjen dhe talljen e kupolës së kësaj partie me jetët e humbura në një protestë të organizuar nga kupola e PS. Fakti është ky: premtimi dhe betimi i kupolës së PS, për çuarjen përpara drejtësisë të të akuzuarve të 21 janarit 2011, nuk u mbajt. E vetmja gjë që ka bërë kupola e PS edhe në këto 30 muaj pushtet, në lidhje me këtë ngjarje është rituali demagogjik i çdo 21 janari me lule e homazhe për 4 të vrarët, me premtime e përbetime të përsëritura përballë familjarëve, socialistëve e shqiptarëve për drejtësi. Nuk e dimë, nëse ky ritual demagogjik i kupolës socialiste me pallto e shalle të zinj, me lule plastike e “lot krokodili”, do të përsëritet edhe sot në 21 janarin 2016 prej kupolës së PS. Por dimë faktin, që gjaku i 4 të vrarëve të 21 janarit është përdhosur nga vetë kupola e PS, me qëndrimet që ajo ka mbajtur gjatë pushtetit. Edhe sikur “me kujë” të qajnë sot në atë shesh, “lotët” e derdhur nga e krerët e kupolës së PS nuk i beson më askush as në PS e as jashtë saj, mbasi ata nuk e kanë zbardhur, por e kanë nxirë me shpërfillje e tallje 21 janarin. Siç shprehen familjarët e 4 viktimave, socialistët dhe shqiptarët e 1 milionë votave që iu dhanë kupolës së PS, janë të zhgënjyer nga shefat e kësaj partie, të cilët siç po tregon koha, nuk e kanë nderuar, por e kanë çnderuar gjakun e derdhur edhe duke emëruar në poste partiake e shtetërore të akuzuarit për vrasjen e 4 protestuesve.

 

Ministri Tahiri e përjashtoi nga Garda si shef të grupit të zjarrit të 21 janarit 2011, kupola e PS e emëroi në krye të PS të Matit dhe të OSHE të rajonit Laç-Dibër

Skandali dhe turpi i PS me (ç)nderimin dhe (pa)drejtësinë për ngjarjen e 21 janarit 2011, qëndron edhe në këtë fakt: pas ardhjes së PS në pushtet, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, në vitin 2014, të parin vendim që mori ishte shkarkimi nga detyra dhe përjashtimi përfundimisht nga shërbimi i Gardës dhe Policisë së Shtetit, i gardistëve të cilët ishin pjesë e operacionit të zjarrit mbi protestuesit e 21 janarit 2011, prej të cilit u vranë 4 protestues, mbështetës të PS. Një nga të përjashtuarit e muajit tetor 2013 prej urdhrit të Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ishte edhe Agron Malaj, ish-shef i grupit të zjarrit të 21 janarit 2011. Pas vendimit të ministrit Tahiri, “çuditërisht”, në shkurt 2014 Agron Malaj u emërua nga pushteti i PS, po me urdhër nga kupola e PS, në postin e lartë si Drejtor i OSHEE për rajonin e Dibrës, që përfshin 5 rrethet Kurbin, Mirditë, Mat, Bulqizë e Peshkopi. Se kush e vendosi edhe në krye të OSHEE, se për çfarë “motivesh” e vendosën dhe se kush po e mban në këtë detyrë edhe pas protestave të shumta të socialistëve dhe se, përse hesht kupola e PS përballë reprezaljeve që ky drejtues partie në Mat e drejtues OSHEE-je në Mat e Dibër po u bën socialistëve me largime nga puna, këtë e dinë më mirë “agallarët” e PS në qendër, të cilët e kanë vendosur në këto poste. Se çfarë ka bërë e po bën ish-gardisti i 11 janarit këto 2 vjet në krye të OSHEE Dibër dhe këtë 1 vit në krye të PS të Matit, këtë do ta zbardhim në vijim, ndërsa sot po publikojmë vetëm listën e të shkarkuarve dhe të përjashtuarve nga Garda dhe Policia e Shtetit, të ish-gardistëve që realizuan 21 janarin 2011 me 4 viktima dhe qindra të plagosur me armë zjarri që i shkrehën mbi protestuesit e PS.