Kryebashkiaku i Gramshit kërkon të përfitojë dhe nga rruga e varrezave

291
Sigal

Ndërsa zgjedhjet po afrojnë, kryebashkiakët socialistë po prishin lekët e fundit të arkës për tendera asfalti që u jepen biznesmenëve të privilegjuar. Kështu, kryetari i Bashkisë Gramsh, Klodian Taçe, është zgjuar, pasi nuk është ndjerë fare gjatë kësaj kohe për të bërë ndonjë investim. Tashmë, edhe ai si shokët e tij, ia ka nisur punës me tenderët! Katër kompani ka gostitur Taçe me fondet e bashkisë në një ditë. Kryebashkiaku ka shpenzuar mbi 240 milionë lekë për të “rregulluar” rrugicat e varrezave të qytetit. Janë nënshkruar dy tenderë me shkelje brenda një dite. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-47643-10-27-2022 dhe objekt “Sistemim –asfaltim i rrugës së varrezave publike Çekrezë”. Për këtë prokurim Taçe ka vendosur të shpenzojë 70 milionë lekë të vjetra. Këto para merren nga taksapaguesit dhe nuk dihet se ku do të përfundojnë. Dyshimet lindin, pasi kontrata është nënshkruar në shkelje të ligjit për prokurimet. Open Data Albania konstaton se ky prokurim është mbyllur pa konkurrencë. Sepse edhe sikur duket nga dokumentet, vetëm një ofertë është paraqitur për këtë projekt nga bashkimi i operatorëve  “GELE ZANI’ Shpk & “VIANTE Konstruksion” Shpk.Edhe pse kjo ofertë ka qenë e shtrenjtë, bashkia Gramsh ia fali tenderin kompanisë në fjalë. Ndërkohë evidentohet se “GELE ZANI’ Shpk nuk posedon asnjë licencë për ndërtim, prandaj në çdo tender që zhvillon ajo bashkëpunon me kompani të tjera, pas të cilave fshihet për të grumbulluar fonde.

170 milionë lekë për asfalt

Klodian Taçe vazhdon aferat edhe me të tjera kontrata! Në të njëjtën ditë kryebashkiaku ka mbyllur garën për asfaltimin e një tjetër rruge. “Sistemim –Asfaltim i lagjes Holta, ish-Konservimi”, në fakt është një rrugicë lagjeje. Për këtë rrugicë, Bashkia Gramsh ka derdhur 170 milionë lekë. Më mirë asfalt elektoral se sa të ndihmohen familjet e pastreha në këtë qytet! Gjithsesi, në kohë fushate kryebashkiakët nuk kanë kohë të mendojnë për qytetarët, por vrapojnë të rregullojnë fasadën dhe të grumbullojnë sa më shumë para të munden. Për këtë arsye edhe ky tender është zhvilluar në shkelje të ligjit nga kryebashkiaku i Gramashit. Sipas të dhënave të publikuara,  për këtë prokurim kanë paraqitur ofertat bashkimi i operatorëve “KURORA” SHPK & “VARAKU E” SHPK dhe  kompania “ALKO –IMPEX General Construction” shpk. Taçe ka skualifikuar ofertën më të lirë me justifikimin se ka deklaruar si inxhinier, një person, i cili është i angazhuar dhe në projekte të tjera për rrugë. Kështu, bashkimi i operatorëve “KURORA” SHPK & “VARAKU E” SHPK e fituan tenderin pa garë fare dhe në shkelje flagrante të ligjit. Duke abuzuar me ligjin, kryebashkiaku i Gramshit i xhiroi 240 milionë nga fondet e qytetarëve tek kompanitë e paracaktuara.Gijotina