Kryebashkiaku i Durrësit takohet me presidenten e këshillit kombëtar zviceran, Christa Markwalder

446

 

Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur
në një takim presidenten e këshillit kombëtar të Zvicrës znj. Christa Markwalder
e cila shoqërohej nga ambasadori zviceran në Shqipëri Cristoph Graf.
Kryebashkiaku Vangjush Dako pasi i ka shprehur
mirëseardhjen  në Durrës znj.Markwalder e ka njohur atë me
resurset e shumta që ofron qyteti i Durrësit në të gjitha
planet. Gjithashtu ai ka bërë edhe një ekspoze të shkurtër
të vlerave të rralla historike dhe arkeologjike, por edhe turistike e
kulturore që ka qyteti ynë si dhe e ka njohur atë më zhvillimin
ekonomik të qytetit dhe punën që ka bërë e po bën bashkia e Durrësit për
përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetarëve nëpërmjet investimeve të
vazhdueshme dhe shumë të rëndësishme. Më tej kryebashkiaku Dako ka
shprehur vlerësimet për ndihmesën që ka dhënë dhe vazhdon të japë qeveria
zvicerane lidhur me institucionet vendore: “Qeveria zvicerane ka dhënë një
ndihmesë dhe asistencë shumë të rëndësishme sa i përket reformës territoriale
dhe pushtetit vendor. Marrëdhënia e Zvicrës me Shqipërinë por në veçanti me
Durrësin ka filluar në fushën edukimit profesional dhe vijon në atë të qeverisjes.
Përgjithësisht asistenca zvicerane është konkrete. Kjo e bën të qëndrueshme
asistencën dhe siguron rezultate afatgjata. I tillë ka qenë Plani i
Përgjithshëm vendor, apo ndërhyrjet për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve
gjë që ka dhënë impakt pozitiv mes qendrës urbane me periferinë rurale duke
përmirësuar jetën e komuniteteve. Ekspertiza zvicerane njihet si nga më
cilësoret dhe të kualifikuarat dhe programe si DLDP kanë mundësuar përshtatjen
e kësaj ekspertize në funksion të kushteve tona.” Nga ana e saj, znj. Christa
Markwalder, vlerësoi progresin e madh që ka bërë Shqipëria gjatë viteve të
fundit dhe shprehu kënaqësinë e saj që Zvicra ka mundur të japë kontributin e
saj me anë të bashkëpunimit në fushën e forcimit të institucioneve dhe përmes
projekteve zhvillimore. Markwalder deklaroi se Zvicra ka luajtur rol të
rëndësishëm në zbatimin e reformës territoriale dhe unë po shikoj nga afër
rezultatet e kësaj reforme. Më tej Markwalder shtoi se është hera e dytë që ajo
vjen në Shqipëri dhe sheh ndryshime tepër pozitive për sa i përket zhvillimit
ekonomik dhe përdorimin e potencialeve turistike. Markwalder deklaroi se edhe
në vitet në vijim mbështetja e qeverisë zvicerane për Shqipërinë dhe për
Durrësin do të vazhdojë të jetë e plotë. Në fund të takimit kryebashkiaku Dako
i ka dhuruar znj. Markwalder një dhuratë të veçantë, një maskë veneciane e
punuar nga një kompani shkodrane e njohur ndërkombëtarisht ku ishte vendosur
simboli bukuroshja e Durrësit. Mesazhi i kësaj dhurate ishte se Bashkia Shkodër
dhe Bashkia Durrës janë dy bashkitë më të mëdha partnere të programit DLDP dhe
kjo dhuratë përfaqëson dy qytete në një vepër arti, ndaj kjo simbolikë është
shprehje e vullnetit për bashkëpunim mes aktorëve shqiptarë dhe ndihmës
zvicerane për zhvillim. Pas takimit në Bashkinë e qytetit presidentja e këshillit
kombëtar zviceran Markwalder e shoqëruar nga kryebashkiaku Dako kanë vizituar
amfiteatrin e Durrësit.

 

Sigal