Kryebashkiakët e PD takojnë Bashën: Nuk i lirojmë zyrat, në detyrë deri në zgjedhjet e ardhshme

423
Sigal

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka pritur sot në një takim në zyrën e tij kryebashkiakët e PD, për të diskutuar për vazhdimësinë e aksionit opozitar javën në vazhdim.

Takimi i cili mësohet të ketë zgjatur mbi 60 minuta, është mbajtur me dyer të mbyllura, ndërsa në fund kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu ripërsërit i qëndrimin se ai nuk do të dalë nga zyra, ndërsa 30 qershorin e cilësoi nul.

“Nuk kishte zgjedhje më datë 30. Do të vazhdojmë deri në zgjedhjet e reja. Nuk ka asnjë shans“, është shprehur Mziu.

I pyetur nëse do të dalë javën e ardhshme nga zyra kur pritet të konstituohet kwshilli i ri bashkiak dhe të betohet kryebashkiaku i ri, Rakip Suli, Mziu dha këtë përgjigje: “S’ka asnjë shans”.

Kolegji Zgjedhor ka shpërndarë mandatet për këshillat në 21 bashki, ndërsa ky proces do të mbyllet deri në javën e parë të gushtit. Nga ky moment të gjithë kryebashkiakët demokratë e humbin mandatin dhe duhet t’i lirojnë zyrat socialistëve të dalë nga procesi i 30 qershorit.

Ndërkohë, burime pranë PD saktësojnë se nuk është vendosur për formën se si do të vijojë protesta, por asnjë prej kryebashkiakëve të PD nuk e njeh 30 qershorin dhe për rrjedhojë ata do të vijojnë të qëndrojnë në detyrë në shërbim të qytetarëve.