Kroaci/ Përurimi i shtatores së Shën Terezës, Presidenti Ilir Meta: Të jetë vepra e saj udhërrëfyes për ne!

443
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, së bashku me Kardinalin Ernest Simonin (Troshani), me Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi, ish-presidentin e Kroacisë, Stjepan Mesič, Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve Baba Edmond Brahimaj dhe shumë personalitete të tjera nga të gjitha trevat shqiptare, morën pjesë në ceremoninë e përurimit e të bekimit të shtatores së Shenjtores dhe bamirëses shqiptare Nënë Tereza, me autor Anto Jurkič, të realizuar nga Kryetari i Këshillit organizativ, Idriz Sulejmani dhe mbarë bashkësia shqiptare në bashkëpunim me Bashkinë e Porečit. Me këtë rast solemn u mbajt edhe mesha e shenjtë në Bazilikën Eufrazjane.
Gjatë kësaj vizite Presidenti Meta dhe të ftuarit e tjerë u pritën edhe nga Kryetari i Bashkisë së Porečit, zoti Loris Peršurić, të cilin e falënderuan dhe e përgëzuan për këtë veprim që dëshmon dhe reflekton ndjenjat e miqësisë së vjetër dhe të shëndoshë mes popullit shqiptar dhe atij kroat.
Në përshëndetjen e tij drejtuar të pranishmëve, Presidenti Meta u shpreh:
“Jam shumë i lumtur që jam sot këtu për përurimin e shtatores së Shën Nënë Terezës, në këtë qytet padyshim ndër më të bukurit në botë dhe padyshim që nga sot një nga qytetet më të dashura në botë për shqiptarët kudo që janë.
Kroacia, ky vend mik dhe aleat i shqiptarëve gjithmonë ka treguar mikpritje për ne. Lidhjet tona miqësore dhe vëllazërorë me kroatët janë shekullore, janë lidhje gjaku dhe shpirti. Ato janë provuar në të gjitha kohërat që nga koha e heroit tonë kombëtar, Skënderbeu e vazhdojnë deri në ditët e sotme ku ne kemi si ura shumë të forta shpirtërore Arbanasit e Zarës dhe diasporën tonë të mrekullueshme nga të gjitha trojet shqiptare që jeton në Kroaci.
Ndaj dhe shqiptarët e Kroacisë kanë luftuar për lirinë e Kroacisë si për lirinë e atdheu të tyre. Por nga sot lidhja e të gjithë shqiptarëve në Kroaci do të jetë edhe më e fortë, por edhe më shpirtërore, sepse Poreçi, ky qytet i bukur vendosi të ketë në gjirin e vet, si simbol të paqes, të lidhjes dhe të miqësisë, shtatoren e Shën Nënë Terezës.
Të asaj nëne që u bë nëna e të gjithë botës për njerëzit e pashpresë, për njerëzit me të cilët jeta ishte treguar e padrejtë dhe e pamëshirshme për jetimët dhe për të gjithë ata që kishin nevojë për dashuri dhe ngrohtësi njerëzore. 
Madhështisë shpirtërore dhe humane të Nënë Terezës, ju përulën më respekt personalitetet më të mëdha të botës.
Nënë Tereza ishte krenare për origjinën e saj shqiptare në çdo kohë edhe atëherë kur u vlerësua me Çmimin Nobel të Paqes.
Ndaj ne shqiptarët kudo ku jemi krenohemi me veprën e Shën Nënë Terezës edhe pse jemi të ndërgjegjshëm se ajo i përket mbarë njerëzimit. Nënës Tereza, kur nisi rrugën drejt misionit të saj dhe u largua për herë të fundit nga Shkupi në moshën 18-vjeçare, ndaloi në Kroaci. Për t’u rikthyer përsëri përmes kësaj shtatoreje dhe këtij monumenti sot në Poreç dhe për t’u përjetësuar këtu në një nga sheshet më të bukura përgjithmonë. 
Vlerat shpirtërore dhe humaniste të Nënës Terezës janë bashkim i vlerave më të mira të civilizimit njerëzor, por njëkohësisht edhe të civilizimit shqiptar e në mënyrë të veçantë ato shprehin frymën e tolerancës dhe kulturës së unitetit tonë kombëtar, edhe pse popull me përkatësi të ndryshme besimesh fetare.
Shën Nënë Tereza, është përfaqësuesja me dinjitoze e vlera më të mira të të gjithë shqiptarëve, qofshin ata myslimanë, bektashinj, ortodoksë, katolikë apo evangjelistë. 
Vepra e Nënë Terezës duhet të na udhëheqë në të ardhmen në punën tonë për një shoqëri më tolerante, më mirëkuptuese, me respekt të ndërsjelltë dhe solidaritet pa dallime sociale, etnike, kulturore apo religjioze. Sepse ishin këto vlera të mëdha që e bënë Shën Nënë Terezën, nënën e të gjithë botës të adhuruar nga të gjithë qytetërimet. 
Të nderuar pjesëmarrës,
Sot, qyteti i bukur i Poreçit, me vendosjen e shtatores së Shën Nënë Terezës, po i bashkohet shumë qyteteve në rajon, në Evropë edhe në botë, të cilat në qendrat e tyre kanë vendosur shtatore në nderim të Shën Nënë Terezës.
Dua të falënderoj nga zemra komunitetin shqiptar në Poreç dhe z. Sulejmani, të gjithë këshillin organizativ për këtë iniciativë të shkëlqyer, por padyshim në mënyrë të veçantë drejtuesit e pushtetit vendor të Poreçit!
Sot nuk do të mbetet shqiptar në botë që nuk do të informohet apo gëzohet për këtë vendim të rëndësishëm që ju keni marrë. Të jeni i sigurt z. Kryetar i bashkisë që sezonin e ardhshëm turistik numri i vizitorëve shqiptarë do të rritet ndjeshëm. 
Edhe një herë faleminderit të gjithëve dhe le të jetë vepra dhe frymëzimi i Shën Nënë Terezës një udhërrëfyes për të gjithë ne për të bërë vepra të mira çdo ditë. Askush nuk duhet të justifikohet se nuk ka mundësi të bëjë diçka të mirë. Për këtë mjafton t’i referohemi gjithmonë thënies së Shën Nënë Terezës, se ndoshta jo të gjithë mund të bëjnë gjëra të mëdha në jetë, por secili mund të bëjë një gjë të vogël me dashuri të madhe. Faleminderit të gjithëve dhe mirënjohje!”


Sigal