Kriza në Siri/ Rama në Fox Bissnes: Askush s’mund ti besoje presidentit Bashar Al Asad

428
Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për kanalin amerikan “Fox Business” rreth konfliktit në Siri, shprehu mbështetjen e tij ndaj qëndrimit të mbajtur pak ditë më parë nga Presidenti amerikan, Barak Obama, mbi një bashkëpunim të mundshëm me Rusinë e Iranin për të luftuar terrorizmin.
Kryeministri Rama i pyetur rreth regjimit të Bashar al-Assadit, tha se asnjë njeri me arsye të shëndoshë nuk mund t’i besojë Assadit dhe se mbështetja e Putinit për të është një problem më shumë për Rusinë.
Intervista e plotë e Kryeministrit Edi Rama për Fox Business:
– Kryeministri i Shqipërisë na ka nderuar me praninë e tij. Mirëserdhët zoti Kryeministër. -Çfarë situate!
Po, nuk është e lehtë dhe do duhet kohë, por besoj fort se Presidenti Obama kishte të drejtë kur tha se përveçse zgjidhjeve ushtarake kemi nevojë edhe për përpjekje të përbashkëta, duke përfshirë gjithashtu Rusinë dhe Iranin.
– Rusia është duke goditur ato që ajo thotë se janë pozicionet e ISIS. E besoni këtë?
Kjo është diçka që duhet qartësuar, por besoj se këto lloj përplasjesh në situata të tilla nuk është se përbëjnë surprizë, përsa kohë nuk ka një veprim të koordinuar.
– Ju e dini se Presidenti u takua me Vladimir Putinin vetëm disa ditë përpara. Mendoni se Vladimir Putin kishte ndërmend të bënte diçka të tillë atëherë?
Nuk mund të them se çfarë i tha Putini Presidentit, por besoj fort që Presidenti ka të drejtë kur thotë se duhet një veprim i koordinuar, sepse duket që pasojat janë shumë të rënda. Flukset e refugjatëve kanë shumë për të thënë rreth faktit se një radikalizim i mëtejshëm mund të godasë kudo dhe këdo.
-Albright tha se në një farë mënyre, ne u kapëm në befasi dhe se duhet të kishim vepruar dhe të kishim marrë pozicionet tona, duhet të ishim bashkuar më herët. Dhe tani kemi këtë situatë.
Ndoshta ka të drejtë, por ajo që u bë, u bë. Tani duhet të veprohet menjëherë dhe të koordinohen përpjekjet.
-Nuk ju duket e çuditshme që është e mundur, nëse nuk ka ndodhur ende, që avionët ushtarakë amerikanë dhe ata rusë që operojnë sipër të njëjtës zonë godasin grupe të ndryshme. SHBA-të thonë se grupet që rusët po godasin nuk janë të ISIS-it, se nuk janë duke goditur ISIS-in, ata janë grupe rebelësh që ne i mirëkuptojmë dhe që duam të përmbysin TARP-in (Regjimi i Bashar Al-Assadit).
Kjo nuk mund të jetë diçka e mirë, por në të njëjtën kohë nuk është mirë as që të thellohemi në spekulime dhe parashikime që mund të mos jenë të drejta.
-I besoni Assad-it?
Askush që ka një farë arsyeje nuk i beson Assad-it.
– Por Putin e beson. Thotë që ai është një udhëheqës i ligjshëm.
Ky është problemi me Vladimir Putinin dhe Rusinë e Putinit. Por unë përsëri besoj fort se dhe kjo mund të kalohet duke bashkuar forcat. Presidenti Obama kishte të drejtë kur tha se Rusia dhe Irani mund të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në lidhje me këtë.
– Shumë kritikë të Shteteve të Bashkuara, përfshirë shumë dhe prej republikanëve që kandidojnë për të marrë postin e tij, kanë thënë se ai e ka menaxhuar tmerrësisht keq këtë situatë.
Po, sepse duan të marrin postin e tij, por unë mendoj se ai është duke bërë gjënë e duhur për të mbrojtur brezat e ardhshëm.
– Por ato gjëra që thuhen nuk ju shqetësojnë?
Jo, unë kam shumë besim se bisedimet dhe marrëveshja me Iranin kanë qenë gjeja e duhur për SHBA-të dhe për boten.
– Në Siri, para disa vitesh, ai vizatoi një vizë në rërë. Mendoni se është penduar për atë koment sot?
Duhet të pyesni atë.
– Po unë po ju pyes juve?
Nuk mund të komentoj rreth kësaj, por besoj fort se, përveç përpjekjeve ushtarake dhe gjithë betejave në fushë, të gjithë ne kemi një betejë paralele shumë të rëndësishme për të fituar, që është të fitojmë mendjet dhe zemrat e brezave të rinj në të gjithë botën. Dhe në lidhje me këtë, unë besoj se Barack Obama është një pikë shumë e rëndësishme referimi.
Sigal