Kristaq Kiço: “Vangjel Dule i ka braktisur interesat e minoritarëve”

538
Sigal

INTERVISTA/Kristaq Kiço Kryetari i MEGA-s dhe kryesuesi i Listës të kandidatëve për deputetë në Qarkun e Vlorës

MEGA (Minoriteti  Etnik Grek për të Ardhmen) është një force politike e lindur si fraksion nga PBDNJ-ja dhe organizata “OMONIA”. Në intervistën për “Telegraf”, kryetari i MEGA-s, z.Kristaq Kiço, njëherazi edhe kandidat për deputet në Qarkun e Vlorës, shpalos programin dhe synimet e kësaj force politike në zgjedhjet e 23 Qershorit.

– Zoti Kiço, me çfarë platforme zbret MEGA në  23 Qershor?

– Në zgjedhjet e 23 Qershorit  MEGA përcjell deputetët e parë të saj në Kuvend, për të dhënë aty në vazhdimësi betejën për një angazhim më serioz të shtetit dhe të qeverive në shërbim të interesave të minoritetit. Platforma jonë elektorale dhe paselektorale ka të bëjë vetëm me interesat e minoritetit dhe jo me interesat personale të individëve në parti. Këtë e kemi treguar që në momentin e parë ku në marrëveshjen paraelektorale me koalicionin e djathtë, kërkuam votimin e ligjit për minoritetet, bashkimin e minoritetit në një prefekturë, rishikimin e çështjeve të arsimit, pasurive, kulturës, garantimin e pjesëmarrjes së minoritetit në mënyrë proporcionale në bashkëqeverisjen e vendit dhe në qendrat e vendimmarrjes.

– Çfarë suksesi pritet nga MEGA, pasi ju përballeni me Vangjel Dulen, por ai majtas dhe ju djathtas?

– Kandidatët e partisë tonë janë  njerëz të rinj në moshë, të shkolluar dhe që kandidojnë për herë të parë. Partia jonë është e vetmja parti që është e lidhur direkt me bazën. Kjo na bën më të pranueshëm dhe më të fuqishëm. Minoriteti etnik grek i ka braktisur me kohë praktikat totalitare dhe propagandistike të drejtimit politik, kërkon zgjidhje të reja dhe këtë mundësi ia jep sot partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen. PBDNJ-shi  nuk mund të përfaqësojë më minoritetin grek, por edhe minoritetet e tjera, sepse udhëheqësi i saj nuk ka vizion praktik. Mentaliteti i ri, që mbizotëron në partinë tonë, është faktor bazë për një ringritje të moralit të bashkëkombësve. Qëllim në vetvete është nxitja e shtetit dhe e pushtetit, që të dëgjojë me kujdes zërin e minoritetit dhe të vërë dorë mbi plagët dhe problemet e tij. Mos vallë, zoti Dule ka thirrur në interpelancë ndonjë ministër? Mos ka propozuar ndonjë ligj apo amendament për minoritetet? Jo, prandaj ai dhe PBDNJ-shi nuk duhen besuar më.

– Mendoni se rreshtimi në të majtën i Vangjel Dules duke e lënë në opozitë këtë minoritet solli  probleme në zgjidhjen e të drejtave të pretenduara?

– Minoriteti etnik grek është shumë larg standardeve që kërkon një jetë normale, që kërkojnë standardet evropiane. Evropa nuk është një zgjidhje magjike e probleme me slogane pompoze që shkaktojnë ilaritet. Si do shkosh në Evropë pa rrugë në fshatrat e minoritetit, pa ujë, me rrjet elektrik që fshatrat mbetën pa drita edhe me ditë të tëra, sa herë vetëtin, apo bie shi në malin e Sopotit, me fushën e Vurgut djerrë dhe pa ujitje, me njerëz të paarsimuar në qeverisjen vendore, që nuk mundën të konceptojnë rëndësinë e trashëgimisë kulturore, të autonomisë lokale evropiane me njerëz që nxisin përçarjen dhe luftën e klasave.

– Cili është programi i MEGA-s për integrimin e vendit tonë në Evropë?

–  Programi  jonë në këtë pikë përputhet me dëshirën e përbashkët të çdo qytetari apo të çdo partie. Të gjithë duam të shkojmë në Europë, por jo pa zgjidhur problemet. Akoma nuk është zgjidhur problemi i pronave, akoma nuk është përcaktuar kuadri i plotë ligjor i brendshëm për minoritetet. Është e vërtetë që Shqipëria po i afrohet përditë Europës me përmirësimin e legjislacionit, me përmirësimin e infrastrukturës, të arsimit, të bujqësisë etj, por mbeten shumë akoma për të bërë dhe sidomos në zbatimin e legjislacionit të moderuar. Partia jonë patjetër  do të jap kontributin e saj konstruktiv për përshpejtimin e këtij procesi, por në radhë të parë do të kërkojë zgjidhjen e problemeve të popullsisë, që përfaqëson. Problem përbën edhe përfaqësimi i minoriteteve.

– Në këtë fushatë PBDNJ-së i ka humbur një armë e propagandës, pensionet që minoriteti përfiton nga qeveria greke. Çfarë ofron MEGA si alternativë tjetër?

– Për pensionet greke PBDNJ – shi ka abuzuar shumë në zgjedhjet vendore të 2011-it,  ku u thuhej hapur të moshuarve se në qoftë se nuk votojnë, do t’u priste pensionet. MEGA u është gjendur pranë këtyre njerëzve, i ka mbështetur ata, duke përcjellë shqetësimin e tyre në ministrinë përkatëse dhe deri tek kryeministri grek. Mesazhet janë të mira, pavarësisht se Greqia është në vështirësi të mëdha ekonomike. Dua t’ju them se me krijimin e MEGA-s, në minoritet ka nisur një epokë e re. Mbaroi ekskluziviteti i njëshit që komunikon me Tiranën, apo Athinën. Tani ekziston edhe mendimi ndryshe dhe kontaktet e MEGA-s me të dy qeveritë janë frytdhënëse.

– A është dëgjuar zëri i halleve dhe minoriteteve në Kuvendin Shqiptar?

– Përgjegjësinë kryesore që nuk funksionoi lobimi i  deputetëve me identitet etnik të njëjtë, por me pozicionime politike të ndryshme, e ka Vangjel Dule. Ndaj qeverive që kaluan nuk është depozituar asnjë kërkesë për ndonjërin nga problemet e shumta të minoritetit.

– Çfarë do të thotë  kandidatura juaj për minoritetin grek?

– Do të thotë një qytetar i denjë i Sarandës dhe një anëtar i Minoritetit Etnik Grek, që shqetësohet për të ardhmen e vendlindjes, të bashkëqytetarëve, të bashkëkombësve dhe të fëmijëve të tij. I gatshëm për të dhënë kontributin më të mirë njerëzor në shoqëri dhe në politikë.

PLATFORMA POLITIKE E MEGA

Platforma jonë elektorale dhe paselektorale ka të bëjë vetëm me interesat e minoritetit dhe jo me interesat personale të individëve në parti. Këtë e kemi treguar që në momentin e parë ku në marrëveshjen paraelektorale me koalicionin e djathtë, kërkuam votimin e ligjit për minoritetet, bashkimin e minoritetit në një prefekturë, rishikimin e çështjeve të arsimit, pasurive, kulturës, garantimin e pjesëmarrjes së minoritetit në mënyrë proporcionale në bashkëqeverisjen e vendit dhe në qendrat e vendimmarrjes.