Krisafi: Nuk pati negociata të mirëfillta, me Italinë zgjatën 9 vjet

618
Pedagogu dhe eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Ksenofon Krisafi, shpalosi gjykimin e tij si teknicien lidhur me delimitimin e kufirit detar ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Krisafi e konsideroi si fat të madh që Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë marrëveshjen e 2009-s. “Nuk mund të gjykoj dot sa kilometra mund të humbnisim, por njerëz që janë marrë me këtë gjë dhe që kanë kompetencë, si kolonel Myslym Pashai, i ka rezultuar se humbeshin 354 kilometra katrorë”, ka thënë ai në një intervistë televizive. Lidhur me bisedimet që sollën marrëveshjen, Krisafi theksoi se “nuk pati negociata të mirëfillta, nuk pati raunde mes palëve”. “Ne kemi pasur negociatat me Italinë që zgjatën 8-9 vjet. Sipas Konventës së Montego Bay për të drejtën detare, ka dy kritereve që duhen zbatuar: Ekuidistanca, ose baraslargësia dhe kriteri i dytë është kriteri i drejtësisë ose ndershmërisë. Parimi bazë është parimi i baraslargësisë, palët diskutojnë që ta barazojnë parimin e ekuidistancës edhe me atë të drejtësisë. Në rastin e marrëveshjes së vitit 2009, nuk rezulton të jetë zbatuar parimi i ndershmërisë. Edhe parimi i ekuidistancës është zbatuar në dëmin tonë, sepse nuk janë respektuar vijat bazë, që përcaktojnë bregdetin e një vendi. Është një vijë e drejtë që bashkojnë kepet më të dala në të dalë të detit. Nëse kemi gjire, distanca e hyrjes të së cilës është mbi 12 milje detare, ato nuk gëzojnë statusin e ujërave të gjirit të brendshëm”, u shpreh Krisafi.
Sigal