Krimi dhe korrupsioni, Kryeprokurori Llalla takon Kryeprokurorin e SHBA-ve

460
Sigal

Objekt diskutimi dhe bashkëpunimi kundër terrorizmit, trafikut të paligjshëm të qenieve njerëzore

Bashkëveprimi i ndërsjellë, lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe problem të tjera janë objekt i takimeve të Kryeprokurorit shqiptar, Adriatik Llalla me homologun e tij të SHBA-ve, zotin Holder. Kjo konfirmohet në një deklaratë zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme.  Sipas saj, Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, z.Adriatik Llalla, është pritur në një takim nga Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Eric Holder, në zyrën e tij në Uashington D.C, ku është diskutuar mbi çështje që përbëjnë interes hetimor për dy vendet… Dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe mbi mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm, sidomos për kriminalitetin që i kalon kufijtë e kontinenteve. Z. Llalla prezantoi punën e kryer nga institucionet shqiptare për goditjen e personave që merren me rekrutimit të shtetasve shqiptarë dhe ballkanike për përfshirjen në konflikte të armatosura jashtë Europës, angazhimin e prokurorisë shqiptare për të forcuar koordinimin e strukturave hetimore rajonale në hartimin e strategjive të përbashkëta në parandalimin dhe goditjen e kësaj problematike, e cila ka shtrirje në vende të ndryshme europiane. SHBA-të kanë shprehur zyrtarisht vlerësimin e tyre për rezultatet konkrete të autoriteteve shqiptare në goditjen e personave që merren me financimin dhe rekrutimin e shtetasve të ndryshëm për konflikte të armatosura në Lindjen e Mesme. Kjo u theksua edhe nga Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-ve, z. Holder, në takimin e zhvilluar ditën e djeshme (dt. 29.10.2014) me Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë. Gjithashtu, në takim u diskutua edhe për forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër trafikut të personave. Zyrtarët amerikanë kanë shprehur vlerësimin për angazhimin e Prokurorisë Shqiptare në goditjen gjatë vitit 2014 të një rrjeti personash që u siguronin shtetasve të ndryshëm shqiptarë kalim të paligjshëm të kufirit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke vënë theksin se, Amerika është shtet i mundësive, por duke respektuar rregullat, autoritetet amerikane e vlerësojnë pozitivisht angazhimin e prokurorisë shqiptare në hetimin dhe goditjen e grupeve që synojnë të thyejnë ligjet e vendit për emigracionin. Pas takimit në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA, i cili zgjati rreth 60 minuta, Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, z. Llalla, po vijon takime me zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë, të Byrosë Federale të Investigimit (FBI), Divizionin e Sigurisë Kombëtare në Departamentin e Drejtësisë dhe me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, përfshirë edhe një takim të veçantë me Këshilltarin e Lartë për antiterrorizmin në Departamentin Amerikan të Shtetit, ambasadorin Robert Bradtke, i cili pak ditë më parë zhvilloi takime me zyrtarët e lartë shqiptarë në Tiranë. Këto takime janë pjesë e një axhende të posaçme, të koordinuara me Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë, në kuadër të pjesëmarrjes së z. Llalla në konferencën për “Korrupsionin dhe Mitmarrjen Ndërkombëtare”, e cila ka nisur në Uashington ditën e hënë.