Krimet e Rënda- KLD propozon tre kandidatura për vendet vakante

302
Nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, Këshilli i Lartë i Drejtësisë zhvilloi të premten mbledhjen plenare, e cila nisi me shqyrtimin e kandidaturave për gjyqtarë, për plotësimin e 3 vendeve vakante në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.
Duke pasur në konsideratë natyrën e veçantë dhe rolin shumë të rëndësishëm të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Këshilli i Lartë i Drejtësisë në përzgjedhjen e gjyqtarëve që do të jenë pjesë e kësaj trupe gjyqësore u fokusua rigorozisht vetëm në kandidatët me pikët më të larta sipas sistemit të pikëzimit.
Pas përfundimit të procesit të votimit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë me shumicë votash, vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës kandidaturat e Daniela Shirka, Miliana Muça dhe Bib Ndreca.
Në përputhje me rendin e ditës, anëtarët e KLD-së diskutuan dhe shqyrtuan propozimin për emërimin e një inspektori pranë Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pas diskutimeve, me shumicë votash anëtarët e KLD-së vendosën të emërojnë inspektor pranë Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë z. Ndue Gjura, aktualisht gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.
Seanca plenare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë vijoi me shqyrtimin e informacionit të ardhur nga Prokuroria e Përgjithshme lidhur me procedimet penale ndaj gjyqtarëve R.D. dhe P.A. Pas diskutimeve rreth statusit të këtyre gjyqtarëve, Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi të pezullojë nga detyra këta gjyqtarë, deri sa të merret një vendim gjyqësor i formës së prerë, për çështjen penale në ngarkim të tyre.
Gjithashtu, Këshilli shqyrtoi projektaktet përfundimtare të vlerësimit, për vitet 2007-2009, të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pasi shqyrtoi ankimet përkatëse, Këshilli miratoi aktet e vlerësimit për 3 gjyqtarët Ariola Kristo, Rrethi Gjyqësor Korçë, Flora Hasimi, Rrethi Gjyqësor Durrës, Shpëtim Reka, Rrethi Gjyqësor Durrës.
Si pikë të fundit të rendit të ditës, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit.