Kreu i PD Lulzim Basha: Subvencione pa Nipt për fermerët! PD, padi Ballës dhe grupit kriminal në Elbasan për intimidim dhe blerje votash

73
Sigal

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua dje me fermerët e Baldushkut, në periferi të Tiranës, me të cilët foli për shqetësimet e tyre kryesore. Basha iu bëri thirrje të gjithë fermerëve të votojnë ndryshimin më 25 prill, ndërsa iu premtoi dy gjëra: “Subvencionet do të vijnë pa burokraci e nipt, do vijnë pa kontakte me administratën”. Basha: Ne vijmë pasi jemi ulur me ju për 8 vite me radhë. Nuk di t’iu them se do iu jap 1 miliard euro, por ju them se do bëj aq sa bën Kosova. Shteti nuk është kujtuar ta krijojë infrastrukturën e nevojshme. Ne kemi një plan konkret për t’iu nxjerrë nga kriza. Ky është vendimi më i rëndësishëm që do të merrni, jo thjesht për vete, po për fëmijët tuaj, për të ardhmen tuaj. A do mbajë dot kurrizi juaj i lodhur edhe 4 vite të tjera si këto që kaluat? Apo do votoni ndryshimin, një ndryshim që t’iu heq lakun e t’iu lejojë të punoni me lehtësi, me liri e me përkrahje. Ndryshimi vjen vetëm duke votuar PD, Aleancën për Ndryshim, numrin 9 më 25 prill. Pas kësaj nisin përgjegjësitë e mia dhe të ekipit tim.

Dialogu Basha – fermeri

Fermeri: A do na lejoni brenda rregullave të ndërtojmë, të zbukurojmë vendin, të bëjmë banesa të reja?

Basha: Ne do të marrim praktikat më lehtësuese në çdo rrafsh të qeverisjes. Plani urban do të jetë transparent, do të jetë i konsultuar dhe jo sekret, lejet e ndërtimit do të standardizohen. Unë nuk të them që shtëpitë do ta bësh patjetër kështu apo ashtu, por të jap të mundësinë të zgjedhësh mes disa modeleve. Sot procesi i dhënies së lejes së ndërtimit është procesi më fitimprurës për zyrtarët e shtetit. Ju siguroj që kjo gjë do të thjeshtësohet nesër. Fermeri shqiptar nuk ka fuqi, nuk ka lekë dhe nuk ka më mundësi të vazhdojë në këtë mënyrë. Për gjithë sipërmarrjen shqiptare vendimi ynë është të thjeshtësojmë në maksimum burokracinë.

Fermeri: Nesër kur të vini në qeveri, duhet t’i zbardhni këto masakra që po na bëjnë. Neve na kanë lënë pas dore, asnjë gjë, katastrofë. Është skandal i madh për Shqipërinë të kërkosh rrugë në vitin 2021. Ne jemi zemra e Tironës, ma do mendja do vish dhe për qejf, për kafe këtu, pas zgjedhjeve.

Basha: I bëj thirrje çdo fermeri t’i bashkohet ndryshimit, edhe atyre që mund të kenë votuar e të kenë shpresuar, por që janë zhgënjyer nga kjo qeveri. Subvencionet do të vijnë pa burokraci e nipt, do vijnë pa kontakte me administratën. Ka një sistem që ne e kemi studiuar, që e përdor një vend evropian, ku s’ke kontakt me administratën. Këto dyja mbajini mend mirë, pa nipt dhe pa kontakt me administratën.