Kreu i Komunitetit Mysliman, deklaratë të fortë kundër Erdoganit

533
“Askush nuk mund të bëj si zot shtëpie tek shtëpia e tjetrit”. Kështu ka deklaruar kreu i Komunitetit Mysliman shqiptar, Skënder Bruçaj.

Ai ka qenë i ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “JAVA” në RTSH me analistët Preç Zogaj dhe Lorenc Vangjeli si dhe gazetarin investigativ Artan Hoxha, ku shprehu shqetësimin për qasjen e liderit turk, Rexhep Erdogan, ndaj shqiptarëve në rajon. Bruçaj ka thënë, se ai kërkon të marrë një rol që nuk i takon. Teksa thekson miqësinë e hershme, si dhe mbështetjen e Turqisë ndaj komunitetit mysliman, Bruçaj deklaroi me shqetësim, se “populli shqiptar mikun e vendos gjithmonë në krye të vendit, por kur ky, pavarësisht respektit, kërkon të jetë edhe zot shtëpie, atëherë kjo bëhet e papranueshme”. Bruçaj shprehu mbështetjen në emër të komunitetit mysliman shqiptar për rekomandimin pozitiv nga Komisioni Evropian. “Komuniteti Mysliman ka një rol thelbësor në themelimin e shtetit shqiptar, në përcjelljen e mesazheve universale të paqes, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare. Ne jemi shumë të gëzuar për këtë rekomandim, i cili i shërben interesave të vendit dhe shtetit shqiptar, të cilat komuniteti mysliman i konsideron prioritare”- tha ai.
Sigal