Kreshnik Çollaku: Progres raporti i KE-së shumë pozitiv. Tahiri të skuqet për luftën ndaj krimit dhe korrupsonit

398
Sigal

INTERVISAT/ Flet për “Telegraf”, z. Kreshnik Çollaku, ish-zv. ministër i Jashtëm

Përgjigja pozitive e konstatuar pas publikimit të Progres- Raportit vetëm tre ditë më parë nga Komisioni Europian, ka ngjallur shumë polemika, lidhur me meritat apo vërtetësinë e tij. Ai u komentua si një “Po” paraprake, jo vetëm nga politika shqiptare, por edhe nga ajo europiane. Në raportin e KE-së thuhet se, qeveria ka demonstruar veprime konkrete dhe vullnet politik, kjo kryesisht në tre pikat kryesore të përcaktuara nga BE, siç janë reforma në drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar, korrupsioni etj., por situata aktuale, duke iu referuar ngjarjes së fundit të kapjes së 250 kg kokainë nga Ekuadori me destinacion Shqipërinë, dëshmon të kundërtën. Lidhur me këtë, me meritat e marrjes së statusit, si dhe përgjigjes pozitive që pritet në fund të qershorit, flet për gazetën “Telegraf”, z. Kreshnik Çollaku, ish-zv. ministër i Jashtëm. Sipas tij, kapja e 250 kg kokainë nga Ekuadori me destinacion Shqipërinë, me anije është prova e fundit e një veprimtarie kriminale në rritje në vend. Shtypi vendas dhe ai rajonal po aludon shenja se, dhe në këtë rast ka lidhje me persona në pushtet. Duket e pamundur që një trafik i këtij niveli të bëhet pa mbështetje apo inkurajim të qeverive apo qeveritarëve. Kjo është prova e qartë se, raporti ishte produkt lotimi dhe jo analize objektive të gjendjes në vend. Ndër të tjera ish-zv. ministri i Brendshëm e quan marrjen e progres raportin një “gënjeshtër të bardhë”. Pa përdorur ironi ai përgëzon kryeministrin Rama, duke pohuar se, raporti ishte produkt i një lobimi të shëndetshëm e pozitiv i qeverisë ndaj komisionerit Fule. “Në fakt, ne të gjithë jemi duke pohuar një gënjeshtër të bardhë në këtë rast. Ne të gjithë e dimë se, gjendja në vend është aq e degraduar në këto fusha, sa realisht raporti duket si ëndërr”,-tha ai, ndërsa shton se, kjo gënjeshtër e bardhë ndihmon vendin në rrugën drejt BE-së

z. Çollaku, progres raporti i BE-së për Shqipërinë u komentua si një “po” paraprake për marrjen e statusit. Por, kujtojmë se e njëjta gjë ka ndodhur dhe në vitin 2012. Ju mendoni se, përgjigja e BE-së këtë herë do të jetë pozitive?

Në fakt, është hera e tretë që Komisioni Europian jep rekomandim pozitiv për Shqipërinë për statusin kandidat. Dy prej tyre kanë qenë pa kushte. Në të vërtetë, kjo që po ndodh është një ngjarje e njohur për ne. Komisioneri Fule në Tiranë që jep opinion pozitiv dhe mbështetës… dhe statusi nuk jepet. Ndryshe nga herët e tjera, kemi një zhvillim pozitiv në vend. Kësaj radhe, opozita e vendit nuk kundërshton dhënien e statusit, madje, është angazhuar në lobim e mbështetje të dhënies së statusit në disa aspekte më fort dhe në mënyrë më profesionale se qeveria. Mjafton të kujtoni vizitat dhe lobimin e fortë të z Basha në Gjermani dhe pranë PPE (grupit më të madh në Parlamentin Europian). Opozita e djeshme, sot qeveri, nuk ia dha vendit këtë luks. Opozita e djeshme ishte realisht (me refuzimin disa vjeçare për të mos votuar tre ligjet për Vangjelin e Fierit) shkaktarja kryesore e vonesës së statusit kandidat, duke e komplikuar seriozisht rrugëtimin e vendit drejt BE. Le të shpresojmë se, kjo situatë e re do të ndihmojë vendin dhe të bindë qeveritë se, Shqipërisë i duhet dhënë statusi, si shenjë e qartë e rreshtimit të Shqipërisë në bllokun e demokracive perëndimore.

BE i caktoi Shqipërisë disa detyra në dhjetor, siç janë reforma në drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar, korrupsioni etj.. A mendoni se, gjatë këtyre 5 muajve Shqipëria ka bërë progres në këto fusha?

Mendoj se, duhet të ndalemi te kjo pikë sepse shoh se, këtu bëhet konfuzion. BE nuk i dha detyra të tjera Shqipërisë në dhjetor. Statusi kandidat është si një provim. Provimi ka disa pyetje, pyetjet për statusin qenë 12, të 12 pyetjeve (kritereve) Shqipëria iu dha një përgjigje gjatë qeverisjes së shkuar, përfshirë dhe tre ligjet e fundit që u votuan nga ish -opozita (për merite të LSI). Shqipërisë nuk i janë dhënë detyra (pyetje të tjera). Vlerësimi për kriteret (pyetjet) u dha pozitiv para dy vjetësh nga Komisioni Europian dhe vlerësimi për to është ripërsëritur dje në Tiranë nga Stefan Fyle. Ky u konsiderua progres i mbërritur nga Shqipëria në dhjetorin e shkuar. Shkaku pse statusi nuk u dha qe për faktin se, qeveri të ndryshme të BE-së ishin skeptik ndaj Qeverisë Rama në Tiranë, të sapo ardhur në pushtet. Qeverisë shqiptare, siç pohon dhe vetë Rama, iu kërkua kohë “për të vlerësuar qëndrueshmërinë e progresit të mbërritur”. Pra, vonesa që për të vlerësuar sa i qëndrueshëm është progresi i mbërritur nga qeveria e shkuar te qeveria e re. Pra, qeverisë së re nuk iu dha asnjë gjë të re për të bërë, por iu përcaktuan fushat ku do monitorohej, qëndrueshmëria e progresit-thënë me shqip-ruajtja e standardeve të mbërritura nga paraardhësit e saj. Vlerësimi i për dhënien e statusit do të jetë në këtë kriter, sa qeveria e re ka ruajtur standardin e mbërritur nga qeveria e shkuar. Në thelb, “verifikimi i qëndrueshmërisë së progresit”, këtë do të thotë.

Në raport thuhet se, qeveria ka demonstruar veprime konkrete dhe vullnet politik. Ju jeni i të njëjtit mendim?

Raporti i paraqitur nga komisioneri Fule është shume pozitiv. Ka aq pozitivitet brenda sa ka pjesë të tij që dhe vetë ne që jetojmë në vend, na duken shumë të bukura për të qenë të vërteta. Jam i bindur se, vetë Saimir Tahiri do jetë skuqur kur ka dëgjuar komentet për suksesin në luftën kundër krimit dhe trafikut të drogës. Jam i bindur, edhe vetë ministrit të Brendshëm do i jenë kujtuar tritolet, avionët me drogë etj., etj.. Duket se, raporti, qe produkt i një lobimi të shëndetshëm e pozitiv i qeverisë ndaj komisionerit Fule. Kjo është meritë e qeverisë shqiptare dhe këtë e them pa ironi. Rama duhet përgëzuar për këtë. Në fakt, ne të gjithë jemi duke pohuar një gënjeshtër të bardhë në këtë rast. Ne të gjithë e dimë se, gjendja në vend është aq e degraduar në këto fusha, sa realisht raporti duket si ëndërr. Por, kjo është OK. Lobimet për këtë punë janë. Qeveria po lobon, opozita po lobon, dhe kjo bëhet për një qëllim të mirë. Integrimi i Shqipërisë në BE është interes madhor dhe sjell veç të mira për të. Në këtë qëllim të mire, mund t’ia lejojmë vetes dhe disa gënjeshtra te bardha. Ka një shprehje italiane: “Ndonjëherë një gënjeshtër e bardhë, mund të vlejë më shumë se dhjetë të vërteta”. Unë mendoj se, kjo gënjeshtër e bardhë ndihmon vendin në rrugën drejt BE-së. Të shohim nëse gënjeshtrën e bardhë, do e besojnë qeveritë e BE-së.

Kemi patur një “bum” trafiku të lëndëve narkotike, në raportin e KE-së thuhet se, Policia e Shtetit ka organizuar operacione të suksesshme. Cili është mendimi juaj, kemi patur operacione të suksesshme apo rritje të trafikimit?

-Lajmi i fundit për kapjen e 250 kg kokaine nga Ekuadori me destinacion Shqipërinë, me anije është prova e fundit e një veprimtarie kriminale në rritje në vend. Trafiku ndërkombëtar i drogës është një ndër krimet më të renda në nivel global. Shtypi vendas dhe ai rajonal po aludon shenja se, dhe në këtë rast ka lidhje me persona në pushtet. Duket e pamundur që një trafik i këtij niveli të bëhet pa mbështetje apo inkurajim të qeverive apo qeveritarëve. Kjo është prova e qartë se, raporti ishte produkt lotimi dhe jo analize objektive të gjendjes në vend. Por, siç e thashë, kjo ndihmon sot vendin. Anëtarësimi i Shqipërisë në BE është dhe duhet të mbetet prioritet kombëtar dhe këtij prioriteti mund t’i shërbejë dhe ndonjë gënjeshtër e bardhë.

Pavarësisht tensioneve politike, grevave të zhvilluara apo protestave, skandaleve me drogën, raporti ishte pozitiv. Si mund ta komentojmë këtë? Mund të themi se, marrja e statusit është e vendosur paraprakisht, pavarësisht zhvillimeve në vend?

Unë nuk besoj se, ka një mendje të ndarë paraprakisht. Nuk funksionon kështu BE, pavarësisht teorive konspirative që përgjithësisht frymëzohen këtu nga individë që nuk e njohin as BE-në as procesin. Une besoj, po, se klima politike është në favor të zgjerimit të BE-së. Kjo sepse BE u sfidua rëndë në politikën e saj të zgjerimit. Ju kujtoj se, ngjarjet në Ukrainë qenë pikërisht se, Rusia kundërshtoi zgjerimin e BE-së dhe NATO-s. Rritja e euro-skeptikëve në BE, në formatin politik, nuk përjashton efektin e rritjes së ndikimit rus në Europë. Marine le Pen në Francë, apo UKIP në Britani etj, kanë shprehur simpati të hapur me politikat e Putin. Pra, politikat e zgjerimit të BE-së po sfidohen seriozisht nga jashtë dhe brenda Unionit. Për fat të mirë forcat, proeuropiane dhe prozgjerim janë nën kontroll të 3/5 të parlamentit Europian dhe besoj se, këto forca, me mbështetjen edhe të SHBA-së, do kundër-reagojnë e ndaj kësaj ofensive anti-BE. Pjesë e këtij reagimi do të jetë zgjerim i mëtejshëm i BE-së dhe konsolidim i politikës së dyerve të hapura. Kjo situatë është një shans i madh për Shqipërinë. Për ne është jetike të mos mbetemi përtej murit të demokracive perëndimore. Kjo është e rëndësishme për BE-në, por jetike për Shqipërinë dhe Ballkanin. Unë besoj se, ky motiv madhor strategjik do jetë elementi kryesor në favor, dhe që më jep mundësinë të jem optimist se, statusi do t’i jepet Shqipërisë.

Si e shikoni qëndrimin që mbajti Komisioneri Fyle ndaj grevistëve të larguar nga administrata?

-Qëndrimi i komisionerit Fyle ndaj grevistëve ishte një qëndrim korrekt dhe njerëzor. Ai qe një sukses i grevës, pasi sensibilizimi deri në atë nivel është padyshim garanci e fortë për zgjidhjen e kërkesave të tyre.

Së fundmi, kujt i shkojnë meritat nëse përgjigja e BE-së do të jetë pozitive? Po në rast se do të jetë negative?

-Komisioneri Fule deklaroi në Tiranë se, merita për vlerësimin pozitiv i shkon qeverisë së djeshme dhe kësaj të sotme. Kjo ishte qasje etike për të thënë të vërtetën. Kemi një palë që ka 8 vjet merita dhe një tjetër që ka 8 muaj. Llogaria bëhet e thjeshtë. Dështimi apo prishja e statusit është si raporti i atij që ndërton apo prish një mur apo një shtëpi. Për të ngritur murin apo shtëpinë duhen vite punë e mund, për ta prishur mjafton një minutë, një goditje, ose një ngarkesë eksplozivi. Në rastin e statusit, qeveria e djeshme, me mundim për vite arriti ta ngrejë murin apo shtëpinë.  Sot qeveria e sotme ka ne administrim këtë “shtëpi”. Përsa i përket statusit, ajo nuk ka më çfarë të ndërtojë. Ajo vetëm duhet të ruajë ato standarde… e gjitha mund të shembet për një sekondë dhe për ndonjë gabim. Dhe këtë gabim e ka në dorë ta bëjë apo jo vetëm qeveria e sotme. Ndaj, dështimi, nëse vjen është vetëm për përgjegjësi të ruajtësit të ”godinës” (standardeve dhe progresit të arritur) të statusit, pra përgjegjësi e qeverisë.