Krerët e partive kanë përgjegjsi ligjore për listat e deputetëve

202
Sigal

Forumi në Telegraf/  BE i bënë apel kreut të Rilindjes që të mos pranojë individë me rekorde kriminale dhe përfaqsues së oligarkisë në listat për deputetë. Flasin: Elmaz Sherifi, Sokol Hazizaj, Kastriot Islami,Agron Duka,Luçiano Boçi dhe Arben Braçe: Të inkriminuarit janë pjesë e qeverisë dhe pushteti i përdorë për të mbledhur votat

“Kambanat e ndërkombëtarëve nuk janë dëgjuar nga Rama, pasi ai i ka për zemër kategorinë sociale të të inkriminuarëve, sepse ata i kanë shërbyer për të grumbulluar vota”

Ambasadori i BE-së në vendin tonë Luigi Soreca dje iu dha një mesazh drejtuesve të partive politike në prag të zgjedhjeve të 25 prillit. Ambasadori Soreca iu kujtoi se drejtuesit kanë përgjegjësi ligjore dhe morale që në listat e kandidatëve partive të tyre të kenë standarde e integritet.  “Diskutimet janë thelbësore për të drejtuar votuesit dhe kandidatët në procesin demokratik. Unë pres që partitë politike të angazhohen me rekomandimet e OSBE dhe të mos lejojnë që iniciativa e sotme demokratike shumë e shëndetshme të mbetet pa vëmendje. Drejtuesit e partive kanë përgjegjësi ligjore dhe morale për të siguruar listat e kandidatëve me standardet më të larta të integritetit. Shqipëria meriton ligjvënës, të cilët do të mbështesin agjendën reformuese të Bashkimit Evropian dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, – tha ambasadori Soreca.

Ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim

Kujtojmë, se ditë më parë, ishte ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, e cila u bëri thirrje kryetarëve të partive, që të mos kandidojnë në listat e partive për deputetë në 25 prill persona me rekorde kriminale.  Ambasadorja Kim theksoi se është përgjegjësi e udhëheqësve të sigurojnë lista me emra të pastër, pa të shkuar kriminale dhe të palidhur me korrupsionin. Apeli i ambasadores Yuri Kim më 1 shkurt 2021: “Drejtuesit e partive nuk duhet të pastrojnë listat e tyre thjesht sepse disa ambasadorë thonë kështu ose sepse SHBA e kanë bërë të qartë se lufta ndaj korrupsionit është prioritet. Ata duhet ta bëjnë këtë sepse kërkohet nga ligji shqiptar, është ajo që pritet nga një vend aleat i NATO-s dhe aspirant i BE-së, dhe kjo është një shenjë themelore e respektit për votuesit”.

Reagimi i kryeministrit Edi Rama

Këtij apeli të ambasadores Yuri Kim kryeministri Rama iu përgjigj menjëherë, duke deklaruar se kryetarët e partive nuk mbajnë asnjë lloj përgjegjësie për veprimtarinë kriminale të kandidatëve që përfshijnë në listat e partisë për deputetë, sepse partia nuk mund të kthehet në sallë torturash e të marrë në pyetje kandidatët, por përgjegjësia është individuale. Deklarata e kryeministrit Rama më 1 shkurt 2021:  Ne kemi ligjin, zbatojmë ligjin. Përgjeagjësia e kujtdo që gënjen në vetëdeklarim është përgjegjësi individuale jo partie. Partitë nuk janë drejtori policie, verifikojnë në bazë të ligjit dhe sipas ligjit i kemi bërë verifikimet gjithmonë. Skemi ndërmend të ngremë salla torturash në selitë e partive nëse dikush fsheh diçka. Ne shohim dokumentacionin në dispozicion. Është proces dhe sigurisht lista përfundimtare do të jetë ajo që do të çohet në KQZ. Ne kemi ligjin zbatojmë ligjin, përgjegjësia e kujdo që gënjen në vetëdeklarim është personale. Partia nuk është polici që të hetojë kush është i kriminalizuar. Nuk kemi asnjë mundësi të ngrejmë salla operative nëse dikush fsheh diçka në lidhje me dokumentacionin e tij.

Flasin për gazetën “Telegraf” : 

Gazeta “Telegraf” pyeti Prof. Dr. Elmaz Sherifi, Sokol Hazisaj konstitucionalist, Agron Duka PAA, Prof. Dr. Kastriot Islami, Luçiano Boçi dhe Dr. Arben Braçe, jurist, lidhur me apelin e ambasadorërve Soreca dhe Yuri Kim, për dekriminalizimin e listave  të partivve politike të kandidatëve për  deputetë:

-Për kë është apeli i ambasadorit Soreka dhe ambasadores Juri Kim, që kryetarët e partive të mos kandidojnë në listat e partive për deputetë persona me rekorde kriminale? Dhe pse kryeministri Rama u kundërvihet ambasadorëve për këtë çështje?

Prof. Dr. Elmaz Sherifi

Rama i përdor të inkriminuarit në politikë për të mbledhur vota

Ndërkombëtarët kanë kohë që u kujtojnë kryetarëve të subjekteve  zgjedhore përgjegjësitë politike, ligjore dhe morale që ata kanë, nëse fusin në listat e kandidatëve për deputetë njerëz me precedentë penal. Por kambanat e ndërkombëtarëve nuk janë dëgjuar dhe as nuk kanë për t’u kapur nga receptoreët e Ramës, pasi ai i ka për zemër kategorinë sociale të të inkriminuarëve, sepse ata i kanë shërbyer për të grumbulluar vota, në ato që konsiderohen zona elektorale të vështira. Kjo sjellje politike e Ramës tashmë është shndërruar në zakon elektoral. Të inkriminuarit ftohen dhe vetëofrohen për të fituar pushtet politik te Rama, pasi kanë parë dhe e kanë kuptuar sa i vendosur është ai për mbrojtjen e tyre. Ambasadorët paralajmërojnë përgjegjësitë politike të kryetarëve. Rama i ironizon me cinizmin karakteristik të ripërsëritësit të pandreqshëm të të njëjtit faj. A nuk e kanë parë e dëgjuar shqiptarët dhe ndërkombëtarët se si bëhet “ombrellë mbrojtëse” kryeministri për ministrat e akuzuar, duke ia lënë përgjegjësitë organeve të drejtësisë. Është e vërtetë se kryeministri nuk mund të kryejë funksione të prokurorisë dhe pushtetit gjyqësor, por, askush nuk ia kërkon ta ushtrojë atë kompetencë. Por, në marrëdhëniet juridike të punës së ministrave përgjegjësitë jane komulative. Që do kuptuar, se subjekti i akuzuar, veç përgjegjësisë penale, që e vendos drejtësia, ka edhe përgjegjësi morale, që duhet tja kërkojnë forumet drejtuese partiake dhe kryeministri që duhet të kërkojë dorëheqjen, ka përgjegjësi administrative, masë që duhet ta marrë kryeministri, Ka edhe përgjegjësi disiplinore e masë për dëmshpërblimin e dëmit civil, që duhet t’i marrin eprorët. Sa shumë janë akuzuar dhe për asnjë rast kryeministri Shqipërisë dhe kryetari i partisë së maxhorancës qeverisëse nuk ka marrë asnjë masë, përkundrazi, i ka mbrojtur publikisht dhe i ka justifikuar. Mendoj se pas kaq shumë bëmash e gjëmash përgjegjësitë duhet t’i marrin zgjedhësit, të cilët duhet t’i dënojnë politikisht me mosvotim listat e deputetëve të preferuar të kryetarit.

“Në konsideratat euroatlantike për Drejtësinë dhe inkriminimin e politikës, Shqipëria është e barabartë me vendet, ku njeriu vishet ende me lekurën e bagëtisë apo leopardit pas gjuetisë”

Sokol Hazizaj, konstitucionalist:

Shqipëria në vlerësimet për drejtësinë është e barabartë me vendet, ku njeriu vishet ende me lekurën e bagëtisë pas gjuetisë

Në konsideratat euroatlantike për Drejtësinë dhe inkriminimin e politikës, Shqipëria është e barabartë me vendet, ku njeriu vishet ende me lekurën e bagëtisë apo leopardit pas gjuetisë, si Ekuadori, Shtetet e Federuara të Mikronezisë, Guatemalës, Guine, Indisë, Iraku, Kirgistan, Libi, Filipinet, Sierra Leone, dhe në fund Dvorani!

“Ramës, në mungesë të alternativës dhe të një besimi të rrëzuar, e vetmja rrugë për tek pushteti i ka ngelur rruga e krimit”

Luçiano Boçi, ish deputet

 Ramës, në mungesë të alternativës i ka ngelur rruga e krimit për të mbajtur pushtetin

Mesazhi i Sorecës ështe i paekuivok, ndryshe nga mesazhet e tij të përhershme. Ai i drejtohet qartazi Ramës dhe shigjeton kundërshtitë deklarative të tij për përgjegjësitë ligjore dhe penale që Rama dhe çdo kryetar partie ka, në raport me ligjin dhe përgjegjësinë për të mos kandiduar kandidatë me rekorde kriminale. Nga ana e tij, Rama e di që për këto deklarata të tij ka një çmim që duhet ta paguajë. Megjithatë, Rama është i gatshëm të paguajë çdo çmim për të pasur karrigen e kryeministrit. Në mungesë të alternativës dhe të një besimi të rrëzuar, e vetmja rrugë për tek pushteti i ka ngelur rruga e krimit. Kandidatë me lidhje të forta me këtë botë dhe angazhim i skaljoneve të kësaj bote për rrëmbimin e votës. Ndërkohë rezistenca e publikut dhe e ndërkombëtarëve po njeh çdo ditë rritje dhe penaliteti ndaj Ramës për këto qëndrime nanuritese dhe ortakërie me krimin, rrezikon të jetë akoma me i thellë se çmund t’ia presë mendja atij.

“Rama me vullnet të plotë dhe synimin për të blerë vota e kërcënuar votuesit ka futur në listat e 2009, 2013, 2015, 2017 dhe 2019 individë me rekorde kriminale dhe përfaqësues të oligarkisë”

Prof. Dr. Kastriot Islami

Rama me vullnet të plotë ka futur në listat e e deputetëve individë me rekorde kriminale

Rama me vullnet të plotë dhe synimin për të blerë vota e kërcënuar votuesit ka futur në listat e 2009, 2013, 2015, 2017 dhe 2019 individë me rekorde kriminale dhe përfaqësues të oligarkisë… Edhe këtë rradhe duket do të vazhdojë rrugën e nisur, por me synim të ri: Të rrëmbejë mandatin e tretë… Shporrja e së keqes është vetëm në duart e qytetarëve të ndershëm, që duhet ta “torturojnë” të keqen!

“Kriminalizimi i politikës dhe institucioneve, nëpërmjet kandidimit të drejtpërdrejtë të elementëve me rekorde kriminale kanë qenë në qendër të krizave politike që kemi kaluar këto vite”

Agron Duka, PAA

  Ramës, i “djeg” apeli i ambasadorëve, pasi  ai ka inkriminuar parlamentin

Me afrimin e zgjedhjeve kemi parë një intensifikim të këtyre mesazheve nga ndërkombëtarët, natyrisht shumë të mirëpritura nga ne si opozitë dhe nga qytetarët shqiptarë, pasi është koha të kemi përfaqësim dinjitoz në parlament dhe të neutralizojmë përfshirjen e krimit në zgjedhje. Kriminalizimi i politikës dhe institucioneve, nëpërmjet kandidimit të drejtpërdrejtë të elementëve me rekorde kriminale apo përfshirja e tyre në fushatat zgjedhore, si në rastet e dosjeve 184 dhe 339, kanë qenë në qendër të krizave politike që kemi kaluar këto vite. Prandaj kërkesat e ambasadorëve janë në linjë me atë që ka qenë beteja e opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe dekriminalizimin e politikës. Për sa i përketë reagimit të Ramës, ky është mëse i kuptueshëm, pasi, për ta thënë në gjuhën popullore, atij i “djeg” kjo thirrje, pasi ai ka incentivuar ndër vite depërtimin e këtyre elementëve në politikë. Shqipëria ka nevojë për një garë të pastër zgjedhore dhe për një parlament legjitim, përndryshe do të qëndrojmë në vendnumëro sikurse ka ndodhur këto vite.

“Kryeministri Rama kërkon të shmangë me mjete proceduriale dhe kriminale kërkesat e ligjit të dekriminalizimit, sepse  personat me rekorde penale tashmë janë pjesë qeverisëse”

Dr. Arben Braçe, jurist

Personat me rekorde penale tashmë janë pjesë qeverisëse, protagonistë të oligarkisë financiare

Përgjegjësitë e kryetarëve të partive, mbështetur në ligjin e dekriminalizimit, janë më së shumti përgjegësi morale se sa ligjore. Përgjegjësitë e kryetarëve të partive të cilët regjistrohen për të marrë pjesë në zgjedhjet elektorale si ato të përgjithshme, por dhe ato për pushtetin vendor, kanë të bëjnë me një deklaratë nga ana e kryetarit të partisë, e cila depozitohet në KQZ, sipas së cilës, ai zotohet, që të shmangë fenomenet e shitbjerjes së votave, apo dhe të mospërfshirjes së kandidatëve  me rekorde kriminale. Përgjegjësia, duke qenë ndividuale, mbështetet në Ligjin Nr. 138/2015 “Për Garatimin e Integritetit të Personave që Zgjidhen, Emërohen ose Ushtrojnë Funksione Publike” qëndron drejtëpërdrejtë mbi kandidatin, i cili ka detyrimin, që në formularët përkatës të kandidimit, të deklarojë dënimet e tij për konsumin e veprave penale, të parashikuara nominalisht në ligjin e dekriminalizimit. Mbështetur në Nenin 5 të ligjit të mësipërm, këto vetëdeklarime dhe të dhënat e përfshira mbi to mund të bëhen publike me kërkesë të subjekteve të interesura në çdo kohë, dhe se refuzimi i dhënies së tyre, përbën vepër penale sipas nenit 248 të Kodit Penal, si dhe deklarimi i rrethanave të rreme ose të shtrëmbëruara, përbën vepër penale sipas Nenit 190 të Kodit Penal. Pavarësisht shmangies nga përgjegjësia e kryetarëve të partive në rastin tonë të kryetarit  të partisë së mazhorancës duhet të mbajmë në konsiderate, që në Nenin 7 të këtij ligji “E drejta e nismës për verifikimin e të dhënave” të drejtën për të bërë kërkesë për verifikim paraprak  për kandidatura në zgjedhje e ka edhe një parti politike për kandidatët e mundshëm të saj, por në kundërshtim me këto rekuizita të sakta ligjore nga ana e kryetarëve  partive ka një spekullim të hapur me këtë ligj dhe ka plot shenja kompromisi për përfshirjen e personave me rekorde penale në zgjedhjet e përgjithshme të 25 Prillit. Jo më kot nga ana e Ambasadorit të SHBA Juri Kim, Ambasadori i BE-së Soreca dhe organizmave të specializuara ndërkombëtare, OSBE-ODIHR etj, ka një apel të hapur për ushtruar kujdes për mospërfshirjen e personave me rekorde penale në zgjedhjet e përgjithshme.  Këtij apeli, nuk po i përgjigjet haptazi dhe nuk po shfaq as shenjat më të vogla të angazhimit, vetë Kryeministri Rama, i cili kërkon të shmangë me mjete proceduriale dhe kriminale kërkesat e ligjit të dekriminalizimit për shkakun e thjeshtë, se personat me rekorde penale tashmë janë pjesë qeverisëse, protagonistë të oligarkisë financiare, përfitues PPP dhe fitues e menaxhues tenderash publikë korruptivë në shuma të mëdha,  të cilët shikohen si një “aset” i rëndësishëm për blerjen e votave dhe përmbysjes së rezultatit të merituar. Përfatin më të keq të së ardhmes së vendit dhe asaj të integrimit europian me shenjat e deritanishme, do të ndeshemi përsëri, me persona të inkriminuar, të cilët do të “përfaqësojnë” përsëri sovranin në Kuvendin e Shqipërisë. Personalisht, Kryeministri mbështetur nga penalizimet që ka pasur me kandidatura të tilla në Kuvend, por edhe në pushtetin vendor, tashmë  gëzon “meritën” supreme të përdorimit të kësaj kategorie llumi në jetën politike të Shqipërisë. Këtë radhë personat e inkriminuar do të hyjnë në jetën politike në mënyrë më të rafinuar, ata do të jenë autorë veprash të rënda penale të kamufluar me emra të ndryshëm, ose autorë veprash penale, përtej vendeve që përcaktohen në ligjin e dekriminalizimit, për faktin se verifikimi për këtë kategori nuk mund të shtrijë efektet e tij të kontrollit. Në shumë raste, pritet të prezantohemi me modelin e shëmtuar në të cilin vetë personat e inkriminuar të cilët janë identifikuar tashmë dhe në pamundësi, paraqesin fëmijët, të afërmit ose miqtë e tyre, fshehur pas modelesh banale biznesmenësh dhe tregëtarësh privatë, të cilët do të përçojnë në Kuvend, interesa klienteliste dhe kriminale. Këtu konsiston edhe mungesa e hapur e angazhimit dhe e shmagies nga përgjegjësa e Kryeministrit, në lidhje me afrimin e kategorisë së kandidaturave të pastra ligjërisht, por edhe shkaku, që përsëri kemi mungesën e theksuar të inteligjencës në përfaqësimin politik.