Kredia mban peng pasurinë, fajdetë mbajnë jetën

589
Sigal

Prof. Dr. Arben Malaj

Para pak kohë në një emision televiziv theksova se ; “Kur merrni kredi në bankë, ju lini peng pasurinë tuaj. Kur ju merrni lekë me fajde, ju lini peng jetën tuaj“. Shqetësimi im për kostot e mëdha të huamarrjes me interesa të larta lidhet me historinë e këtyre fenomeneve. “Paratë nuk rriten në pemë”, prandaj askush nuk mund të japë para hua me interesa të çmendura, siç ishin ato në Shkodër deri me 20% në muaj. Dhënia e këtyre parave me këto interesa nuk është ndihmë, por skllavërim i huamarrësit, për pasojë paratë me këto interesa nuk synojnë fitime, por gllabërim të pasurive të huamarrësve .

Që në momentin e dhënies ato kanë këtë qëllim final.

Ndërsa huamarrësit që kur i marrin paratë me këto interesa janë duke shkuar me këmbët e tyre drejt një skllavërimi ekonomik, sepse borxhe me këto interesa nuk mund të përballohen nga asnjë aktivitet të ligjshëm.

Për pasojë, ato janë të pakthyeshme, ose të shtyjnë drejt aktiviteteve jo ligjore, deri kriminale.

Bankat dhe institucionet financiare jo bankare janë burimet më të sigurta të kreditimit. Ndoshta kanë më shumë burokraci, por kanë më pak risk për familjet tuaja dhe jetën tuaj të përditshme.

Kujdes nga fakti, që aktualisht bankat kanë interesa të ulëta për depozitat. Mos i jepni kursimet tuaja me interesat të larta tek individë apo biznesmenë.

Kujdes se do të humbisni jo vetëm interesat që ju premtojnë, por dhe kursimet tuaja dhe të fëmijëve tuaj në emigracion!

Ata që premtojnë interesa gjithnjë e më të mëdha sa herë ju kërkoni lekët tuaja, ata janë gjithnjë e më afër falimentimit të tyre.

Mendohuni mirë! Kujtoni sakrificat tuaja dhe të fëmijëve tuaj në emigracion!

Paratë tuaj dhe të fëmijëve tuaj janë të ardhura nga puna e ndershme dhe sakrificat e mëdha, prandaj shumë i madh duhet të jetë kujdesi juaj për të mos u joshur nga ofertat për fitime të lehta, duke i dhënë hua këto para me shpresën se do të fitoni shumë para.

Ju lutem mos u tundoni nga premtimet për fitime të mëdha. Disa prej tyre mund të jenë të sinqertë, por fitimet e tyre nuk prodhojnë dot ato fitime që duhen për të shlyer borxhet tuaja për paratë qe ua keni dhënë, bazuar në premtimet e tyre për interesa të larta, pra fitime të mëdha.

Por ka jo pak mashtrues që duke e ditur se mund të josheni nga interesat e larta, që kur ju premtojnë fitime të mëdha dhe të lehta, për ta ju jeni viktima e radhës.

Pas pak ata zhduken, ndërsa ju humbisni gjithçka që keni.