“ KQZ-ja e pavarur është një çështje besimi i munguar”

470
Sigal

INTERVISTA/ Flet nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi: “Këto ndërhyrje  me ndërprerje para kohe të mandateve ndikojnë negativisht në konsolidimin e këtij institucioni të rëndësishëm”

Të hënën Kuvendi hapi procedurën e zgjedhjes të Kryetarit të KQZ-së. Sipas procedurës ligjore, zgjedhja e Kryetarit të KQZ-së, do të bëhet me konkurs, ku në fund, do të jetë Kuvendi, me 71 votë do të zgjedhë Kryetarin e KQZ-së. Siç shikohet, kjo procedurë përmban dy kundërshti. Konkursin dhe zgjedhjen përfundimtare me 71 vota. Konkursi është procedura, që mund të zgjedhë më të mirin, por, që nuk jep produktin, pasi do të jetë shumica e thjeshtë, ajo që do të vendosë. Dhe në Shqipëri, kjo deshifrohet, me zhvlerësim dhe pak besim te procedura e përzgjedhjes të një kandidature më të aftë profesionalisht, të një kandidature me integritet, por, emërimin e  një Kryetari për KQZ, që të jetë militant i maxhorancës dhe në shërbim të maxhorancës dhe jo të Ligjit! Doni dëshminë? Nënkryetarja e KQZ-së, zonja Dëshira Subashi, në intervistën për “Telegraf”, pohon se nuk dëshiron që të marrë pjesë në procedurën e konkursit për zgjedhjen e Kryetarit të KQZ-së, pikërisht, sepse nuk i beson mekanizmave që diktojnë procedurën. Zonja Subashi, pohon se: “KQZ-ja e pavarur është çështje besimi i munguar”.  Derisa  klasa politike nuk e ka vullnetin politik që institucionet të kenë pavarësinë, që drejtuesit të emërohen në bazë të integritetit profesional dhe moral, atëherë edhe KQZ-ja e re do të jetë peng i besimit të munguar.

– Zonja Subashi, procedura, që do të fillojë sot, për zgjedhjen e KQZ-së, të Kryetarit të saj, mendoni se do të arrijë produktin konsensual?

– Dëshiroj dhe uroj që Kryetari i KQZ-së , të zgjidhet  ai që njihet me personalitet të lartë profesional dhe moral. Ky do të përbënte edhe garantin më të mirë për këtë post. Për t’ju përgjigjur pyetjes, unë jam skeptike për të besuar në produktin konsensual, ndonëse procedurat e ligjit e kërkojnë këtë, por që sigurisht nuk mund të kushtëzojnë domosdo një produkt të tillë.

– Duke qenë se për zgjedhjen e KQZ-së,  gjithçka është e paracaktuar në bazë të konsensusit PD-PS në Reformën e re Zgjedhore, përbërja e anëtarëve të saj, sipas përkatësisë partiake, dhe  Kryetari do të zgjidhet  me 71 vota, çfarë interesi do të kenë konkurset për përzgjedhje?

– Zgjedhja e anëtarëve të KQZ-së ka procedura tjera nga zgjedhja e Kryetarit, sipas ligjit . Anëtarët zgjidhen vetëm me propozime të partive politike, ndërsa Kryetari është një konkurrim i lirë, por që vendimi është i Parlamentit, siç ju thoni me 71 vota. Besoj se në këto përcaktime ligjvënësi ka synuar që i shtati anëtar i KQZ-së, njëkohësisht edhe Kryetar, të  bëjë  balancën e vendimmarrjes, të mos jetë produkt i drejtpërdrejtë i partive politike. Në këtë  synim  të ligjit  të ruhet  peshorja  e ligjit, por edhe  katër nga partitë parlamentare të kenë  besimin dhe kontrollin  e zgjedhjeve. Se sa do të arrihet ky qëllim i ligjit, është sërish në dorën e politikës, në se në zgjedhjen e të shtatit, që është Kryetar i KQZ-së do të zgjidhet  vërtet një kryetar i tillë, apo do të zbatohen  procedurat  dhe  të ketë vetëm produkt  jashtë qëllimit të ligjit.

– Sa shpresëdhënëse është rikompozimi i KQZ-së, kur është ruajtur e paprekshme ndarja midis PD-PS e monopolit të përfaqësimit e duke mos lejuar depolitizimin dhe asnjanësimin e KQZ-së?

– Përbërja e KQZ-së, në ndryshimet që ju bënë Kodit Zgjedhor, përfaqëson një përbërje kryesisht politike. Kjo përbërje njihet nga Kodi i Praktikave të mira Zgjedhore, të Komisionit të Venecias, por kjo formulë rekomandohet në vendet me një demokraci të zhvilluar. Në këtë dokument  këto përbërje të KQZ-së, ndërthuren në përzgjedhje përveç propozimeve të partive politike edhe me anëtar nga gjyqësori. Ndaj, duke gjykuar nga ky rekomandim do të plotësonte këtë standard ndërkombëtar, zgjedhjet edhe nga gjyqësori në trupën e re të KQZ-së, aq më mirë të jetë i tillë Kryetari i KQZ-së, duke qenë se kërkohet të jetë jashtë propozimeve të partive politike. KQZ-ja  është një përbërje politike e katër partive parlamentare, dy të pozitës dhe dy të opozitës, pavarësisht pëlqimet që dy partitë PD-ja dhe PS-ja japin për kandidaturat e dy partive të tjera parlamentare. Edhe pse e shkruar në ligj, me forcën e numrit të votave. kjo realisht  ndodh. Nuk mendoj se kjo përbën monopol politik të dy partive të mëdha të përfaqësuara në Kuvend, sa kohë është një zgjidhje që pranohet nga Kodi i Praktikave të Mira Zgjedhore, të Komisionit të Venecias. KQZ-ja e pavarur  është një çështje besimi i munguar.

– Përse partitë e tjera politike, qoftë parlamentare, qoftë joparlamentare, të përjashtohen nga e drejta e përfaqësimit në KQZ?

– Partitë parlamentare që kanë të drejtën e propozimit për anëtar të KQZ-së janë katër. PD-ja dhe partia e dytë që ka mandatë deputetësh në Parlament nga njëra anë, partitë e opozitës më të madhe në numër që është PS-ja dhe partia e dytë opozitare. Besoj që  përbërja e KQZ-së është me të gjitha partitë parlamentare në mënyrë të barabartë  nga spektri politik, së paku  me këtë konfigurim përfaqësimi që sot ka Parlamenti Shqipërisë.

– Ka filluar parapolitika e dyshimit të rezultatit zgjedhor të 2013-s, me pretekstin e mundësisë të vjedhjes së votës. Kodi i ri Zgjedhor a lë shtigje të vjedhjes së votës?

– Vjedhja në asnjë rast nuk është proces i ligjit të mirë apo ligjit të keq. Vjedhja, apo deformimi i votës është vullnet politik i keq, që shkel ligjin dhe ky vullnet politik nuk zgjidhet me ligj. Nuk mendoj në asnjë rast e rrethanë një lidhje midis ligjit dhe ndryshimit të rezultatit zgjedhor, apo siç e quani ju, vjedhje të votës. Madje, Kodi Zgjedhor, i miratuar që është sot në fuqi dhe Kodi i mëparshëm janë mjaft specifik,në detaje të tilla, që kalojnë cilësitë e një ligji.

– Mendoni që një KQZ e depolitizuar është garancia e vetme e mirëbesimit të procesit të votimit?

– Në një proces zgjedhor duhet krijuar besimi i opozitës për procesin për të bërë të mundur  proces dhe struktura të besuara. E thënë ndryshe. kërkohet një vullnet i mirë politik, që procesi, ku përfshihet dhe KQZ-ja si administratore e zgjedhjeve, për të patur zgjedhje të mirëbesuara dhe pranuara. Është rekomandimi i nr.1 i ODIHR-it, pas zgjedhjeve të vitit 2011. Ligji dhe vetëm zbatimi i ligjit nga KQZ-ja  dhe gjykata do të konsolidonin procesin zgjedhor dhe gradualisht do të krijonin besimin.

– Ju  është ofruar oferta politike nga PS-ja për të qenë Kryetare e KQZ-së?

– Unë nuk di, që ofertat për Kryetar të KQZ-së i bën PS-ja. Sipas ligjit, bëhet fjalë për konkurrim të lirë, jo të diktuar. Nëse partitë do të bëjnë ofertat për Kryetar të KQZ-së, atëherë nuk është bërë asgjë me ligjin e ri. Atë do ta zgjedhë forca politike që ka shumicën në Parlament. Uroj, sinqerisht, të mos ndodhe kjo. Unë nuk e synoj personalisht, kuptohet, jo për pamundësi profesionale, por pikërisht për këto mekanizma.

– KQZ-ja është peng i monopolit politik PD-PS?

– Mendoj se është vetëm çështje besimi. Po t’i rikthehemi Kodit Zgjedhor të vitit 2000 e më pas, KQZ-ja ka patur një formatim përbërje kryesisht më të pavarur. KLD-ja kishte të drejtën e emërimit të tre anëtarëve, Presidenti i Republikës të drejtën e emërimit të dy anëtarëve dhe Parlamenti të dy anëtarëve. Kjo përbërje u kontestua fort nga opozita e kohës . Në vitin 2003  Kodi Zgjedhor pranoi propozimet e partive politike, për emërimet e anëtarëve të KQZ-së, po nga këto struktura të pavarura. Në vitin 2008 u bë hapi tjetër, duke bërë propozimet, partitë politike dhe miratimi i KQZ-së në Parlament. I gjithë ky historik 12- vjeçar, me këto ndryshime të mëdha të kësaj strukture, tregon  më së miri besueshmërinë e ulët nga kushdo forcë politike që është në opozitë. Opozita është ajo që ndjen  forcën e pushtetit në zgjedhje. Gjithsesi, këto ndërhyrje,  me ndërprerje para kohe të mandateve,  ndikojnë negativisht në konsolidimin e këtij institucioni të rëndësishëm. Ndaj, besimi duhet të fillojë nga përzgjedhja dinjitoze e anëtarëve dhe tolerancat e forcës qeverisëse, për të krijuar besimin çdo opozitë.

– Ju faleminderit!