KQZ-ja bën Puç Kushtetues kundër zgjedhjeve demokratike

458
Sigal

Intervistë me Prof. Dr. Kristaq Kume: KQZ-ja nuk ka asnjë mundësi ligjore për të gjykuar dhe marrë vendime në lidhje me dekretin e Presidentit. Të zhvillohen zgjedhje në këto kushte, vendi del jashtë kontrolli dhe krizës politike do t’i shtohet edhe ajo institucionale, sociale dhe e rendit. OSBE-ODHIR të ndërpresë monitorimin e procesit zgjedhor

Prof. Dr. Kristaq Kume, ish-kryetar i KQZ-së

KQZ-ja është institucion kushtetues që nuk ka asnjë mundësi ligjore për të gjykuar dhe pastaj mbi bazën e atij gjykimi të vet, për të marrë vendim se çfarë do të bëjë me dekretin e Presidentit të Republikës.

KQZ-ja bën Puç Kushtetues kundër zgjedhjeve demokratike në Shqipëri

 

Prof. Dr. Kristaq Kume, ish kryetar i KQZ-së në intervistën për gazetën “Telegraf” thotë se KQZ-ja është institucion kushtetues që zbaron verbërisht dekretin e Presidentit për dekretimin ose shfuqizimin e datës së zgjedhjeve dhe nuk ka tagrin ligjor që të gjykojë apo rrëzojë dekretin e Presidentit. Prof. Kume, e cilëson puç kushtetues vendimin e djeshëm të KQZ-së dhe pohon se bërja e zgjedhjeve në 30 qershor, mund të çojë vendin në një krizë të thellë politike, sociale, të rendit, sa gjendja mund të dalë jashtë kontrollit. OSBE/ODIHR-i duhet të ndërpresë monitorimin e procesit zgjedhor, pas dekretit të Presidentit të Republikës.

-Prof. Ju si e vlerësoni dekretin e Presidentit të Republikës Ilir Meta të shfuqizojë datën e zgjedhjeve të 30 qershorit?

– Për mendimin tim, referuar situatës politike dhe sociale, në të cilën jemi duke u përballur, vendimi i Presidentit është një mundësi e madhe për ta kapërcyer këtë situatë, për të mos u përplasur nesër me situata, të cilat askush nuk i dëshiron dhe që edhe mund të dalin jashtë çdo kontrolli. Vendimin e Presidentit unë e konsideroj, ndër të tjera dhe mbi të tjera, jo vetëm si një vendim që ka si pasojë të tij krijimin e kushteve të cilat të bëjnë të mundur që Shqipëria, ne të mos përballemi me dy fenomene, të padëshirueshme, por, e pari, zgjedhjet të jenë faktorë që të ndikojnë në unitetin e popullit, ashtu sikurse zgjedhjet të zhvillohen si një proces votimi sipas parimeve si duhet të zhvillohen zgjedhjet në shoqërinë demokratike. Këtë vendim të Presidentit Meta unë e shikoj si një mundësi të madhe për forcat politike tek ne, por jo vetëm, por edhe për shoqërinë në përgjithësi, për t’u angazhuar dhe për të realizuar përgjegjësitë për ndryshimet që duhet të bëjnë në mënyrën sesi duhet të qeverisemi dhe këtu kam parasysh korpusin legjislativ, i cili është ndër faktorët që ka shpënë në situata si kjo , në të cilën jemi duke u përballur, e për pasojë, të ulen në tavolinë të gjithë së bashku dhe të kërkojnë zgjidhje, të cilat do të bëjnë të pamundur, ose do të ngushtojnë hapësirat për përsëritjen e të njëjtave situata, por më shumë sesa kaq, do të krijojnë mundësinë që ne të zhvillojmë kapacitetet të nevojshme, kulturën dhe legjislacionin e nevojshëm për t’u zhvilluar si shoqëri demokratike.

– Dekreti i Presidentit për anulimin e 30 qershorit, duke qenë se u mor jo mbi bazën e një marrëveshjeje politike të palëve, a është në frymën e Kushtetutës?

– Kushtetuta e Shqipërisë i njeh të drejtën Presidentit të Republikës të dekretojë datën e zgjedhjeve. Procedura që ka ndjekur deri sot institucioni i Presidentit për të dekretuar datën e zgjedhjes, ose për të ndryshuar datën e zgjedhjeve, ka qenë e tillë, që pjesë e kësaj vendimmarrjeje, ose kjo vendimmarrje është marrë pasi është konsultuar me palët politike. Kjo është një traditë e krijuar, por nuk është një kushtëzim ligjor, kushtetues, është e këshillueshme që të veprohet në këtë mënyrë, është e mirëpritur që të veprohet në këtë mënyrë, këtë ka dashur të bëjë edhe Presidenti Meta, përpara se të merrte këtë vendim, me thirrjen që u ka bërë partive politike që të gjejnë zgjidhjen dhe, sikurse deklaroi dje Presidenti Meta, pasi ka shteruar mundësi të tilla, Ai vazhdoi në plotësim të detyrimeve kushtetuese, punën për të realizuar këtë vendimmarrje për anulimit të 30 qershorit. Mungesa dhe pamundësia konsultimit, ka si rrjedhore të saj të pritshme faktin që jo të gjithë palët mund të jenë dakord me këtë vendim të Presidentit, por kjo nuk do të thotë që një vendim i Presidentit i marrë pa dakordësi paraprake, të konsiderohet një vendim i pambështetur në Kushtetutë.

Nëse ju do të ishit kryetar i KQZ-së, cili do të ishte hapi i parë që do ndërmerrnit, pas dekretimit të Presidentit të Republikës për anuluar datën e zgjedhje?

– Dekreti i Presidentit për zgjedhjet është një akti, i cili sapo publikohet, vë në veprim në radhë të parë dhe kryesisht KQZ-në, i cili është institucioni që me ligj kushtetues ka detyrën e organizimit dhe të administrimit të procesit zgjedhor dhe KQZ fillon nga puna menjëherë sapo dekretohet vendimi i Presidentit të Republikës për datën e zgjedhjeve, që do të thotë që, nëse nuk ka një datë të dekretuar nga Presidenti i Republikës për zgjedhje, KQZ-ja nuk mund të zhvillojë veprimtari, të cilat kanë si rezultat përgatitjen e një procesi zgjedhor të dekretuar. Në momentin që KQZ-ja do të njihet me dekretin e Presidentit të Republikës, KQZ-ja duhet të ndërpresë punën e filluar për organizimin e procesit zgjedhor, që ishte parashikuar të zhvillohej në 30 qershor. KQZ-ja është institucion kushtetues që nuk ka asnjë mundësi ligjore për të gjykuar dhe pastaj mbi bazën e atij gjykimi të vet, për të marrë vendim se çfarë do të bëjë me dekretin e Presidentit të Republikës. Është institucion që vetëm e zbaton dekretin e Presidentit të Republikës për zgjedhjet. Sikundër, dekreti i Presidentit për zgjedhjet i drejtohet edhe partive politike që janë regjistruar të marrin pjesë në zgjedhje. Ky dekret i miratuar nga Presidenti i detyron këto subjekte elektorale që të ndërpresin aktivitetin e filluar për fushatën zgjedhore, që ishin parashikuar të bëheshin në 30 qershor.

– Prof. Kume, para disa javësh OSBE u deklarua se do të njohë rezultatin zgjedhor edhe pa opozitën. Po tani, a duhet të shprehen OSBE/ODIHR-i pas dekretit të Presidentit për anulimin e 30 qershorit?

– Siç dihet, OSBE/ODIHR-i ka sjellë vëzhguesve ndërkombëtarë afatgjatë në Shqipëri. Këta vëzhgues të monitorimit të procesit zgjedhor nuk janë as për të bërë deklarata, paraprake nga aktorët përgjegjës të përfshirë në procesin zgjedhor në kuptimin e sjelljes së tyre, mirë apo keq, ashtu sikurse nuk janë institucion që mund të japin këshilla sesi duhet ta bëjnë dhe as vlerësime. Të gjitha këto bëhen nga OSBE/ODIHR-i vetëm pasi vëzhgon procesin, analizon rezultatin dhe arrin në konkluzione sesi rrodhi procesi zgjedhor në kuptimin e plotësimit të standardeve për zgjedhje demokratike. Misioni i grupit të të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it nuk bën pjesë dhe nuk ka pse t’i kërkohet që ata të deklarohen për këtë vendimmarrje të Presidentit të Republikës dhe për mënyrën sesi duhet të sillen dhe si duhet të reagojnë pasandaj aktorët e ndryshëm që kanë detyra dhe përgjegjësi në kuadrin procesit zgjedhor që ata kanë ardhur të vëzhgojnë. Tani, pas dekretit të Presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit, ata duhet të ndërpresin punën, sepse nuk kanë se çfarë të vëzhgojnë më dhe të jenë në pritje se çfarë do vendosë klasa politike, kur do zhvillohen zgjedhjet.

– KQZ-ja, me 4 përfaqësuesit e PS-së, sepse kryetari i saj u largua, pasi deklaroi që e njeh dhe i bindet dekretit të Presidentit për anulimin e 30 qershorit, pra KQZ-ja e përfaqësuar vetëm me 4 militantë të PS-së vendosi të mos njohë dekretin e Presidentit për anulimin e zgjedhjeve, sa e zbaton Kodin Zgjedhor?

– KQZ-ja nëse e injoron dekretin e Presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, do të thotë që del jashtë shinave të ligjit dhe në vend, që të bëjë atë që i kërkon ligji dhe Kushtetuta, (KQZ-ja është institucion kushtetues dhe nuk është institucion që varet nga pushteti ekzekutiv apo legjislativ), bën atë që i imponon dhe i kërkon subjekti politik, mazhoranca, praktikisht. Për mendimin tim, një situatë e tillë është shumë e vështirë të pranohet, sepse e para gjë që mbetet të pranojmë, pas këtij vendimi të KQZ-së për të mos njohur dekretin e Presidentit, është të pranojmë që jemi një shtet që nuk njohim ligjet e shtetit të së drejtës, por sipas parimeve e rregullave që rrjedhin vetëm nga interesat politike, siç janë shtetet diktatoriale njëpartiake, dhe pas kësaj, do t’i mbetet edhe OSBE/ODIHR-it që të vlerësojë këtë sjellje të KQZ-së. Kur do ta vlerësojë këtë, pasi të përfundojë procesi zgjedhor, apo tani menjëherë, kjo është në të drejtën e tyre. Dekreti i Presidentit të Republikës për anulimin e datës së zgjedhjes nuk mundet të kundërshtohet me qëndrime dhe veprime ekstraligjore, cilado qofshin ato, për sa kohë legjislacioni ka parashikuar, që një proces zgjedhor nis si i tillë me dekretimin e datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, që do të thotë që procesi zgjedhor nuk mund të vazhdojë si i tillë me çdekretimin e datës së zgjedhjeve po nga vetë Presidenti i Republikës.

– Si i gjykoni deklaratat e kryeministrit, se zgjedhjet do të bëhen dhe Presidenti nuk e ka më vendin në atë zyrë?

-Deklarime të tilla janë politike dhe, si i tillë, ai mund t’i kërkojë mazhorancës mbështetjen në ligj, që ta justifikojë me ligj këtë sjellje politike.

– Kryeministri thotë se Kushtetuta e ka përcaktuar datën e zgjedhjeve, për të bërë zgjedhjet në 30 qershor.

-Jo, datën e zgjedhjeve e ka caktuar Presidenti i Republikës dhe jo Kushtetuta dhe duhet të gjejë argumente, nëse është e mundur për ta hedhur poshtë dekretin e Presidentit të Republikës si një vendimmarrje antikushtetuese. Por, e vetmja që do gjykonte dekretin e Presidentit, është Gjykata Kushtetuese dhe asnjë trup gjykues tjetër në Shqipëri.

– Prof. Kume, thuhet se deri të enjten mund të ringrihet Gjykata Kushtetuese…

– Jo, çdo gjë mund të ndodhë, por Gjykata Kushtetuese është teorikisht dhe praktikisht e pamundur të ngrihet deri në 30 qershor. Dhe, në qoftë se ndodh një gjë e tillë, kjo është gjëma e madhe që i bëhet Shqipërisë, sepse për mua, pak rëndësi ka se kur do të zhvillohen zgjedhjet lokale, por ka shumë rëndësi sesa kredibilitet duhet të kenë institucionet që do ndërtohen nga reforma në pushtetin gjyqësor. Në qoftë se do të veprohet në këtë mënyrë, do të thotë që gjithçka që është bërë, që është deklaruar për reformën në Gjyqësor të jetë një blof i madh dhe një fatkeqësi e madhe për vendin.

– Prof. Kume, KQZ-ja tashmë e bëri nul dekretin e Presidentit dhe zgjedhjet, sipas KQZ-së do të bëhen në 30 qershor. Ku po shkon Shqipëria?

– Të zhvillohen zgjedhjet në 30 qershor me këto kushte që kemi ne sot, është vështirë të parashikohet një situatë e cila, si e tillë, të mos jetë e mbarsur me pasoja që vendi të dalë jashtë kontrolli, që do ketë shumë pak vlera, nëse këto zgjedhje janë demokratike. Kriza politike të mbingarkohet në një krizë të thellë sociale dhe të rendit. Nuk ia vlen që të rrëzohen të gjitha institucionet kushtetuese në Shqipëri për të bërë zgjedhje farse. Për mua ka pak vlerë ulja e palëve në tavolinë për të gjetur datë tjetër. Unë gjykoj që dekreti i Presidentit të Republikës për anulimin e zgjedhjeve të trajtohet si një mundësi për klasën politike, për të gjithë ne për t’u ulur në tavolinë dhe për të kërkuar zgjidhje të cilat do të na bëjnë paskëtaj, që të jemi shumë më të mirë në qeverisje dhe të mos na përsëriten më kriza të tilla politike, me të cilat jemi ndeshur në mënyrë të përsëritshme me këtë legjislacion që kemi, me këtë mënyrë sjelljeje ndaj ligjeve. Palët politike duhet të dakortësohen për të gjitha ato gjëra që nuk i kanë bërë mirë deri sot, duke filluar nga Kushtetuta, e deri tek ligji i Kodit Zgjedhor. Pas kësaj, data e zgjedhjeve është derivat i kësaj marrëveshjeje të madhe politike.