Sigal

Sokol Hazizaj, kostitucionalist, duke folur si një nga hartuesit e Kushtetutës të Republikës në 1998-n, në një intervistë me Enkel Demin në RTSH pohon, se Presidenti i Republikës e ka tagrin për të emëruar dhe shkarkuar ministrin. Kostitucionalisti Hazizaj përcakton edhe kufijtë që i jep Kushtetuta Kryeministrit për propozimin e ministrit, kufijtë e emërimit të Presidentit dhe votimi në Kuvend.

-Zoti Hazizaj, çfarë vlere ka padia e kryeministrit në Gjykatën Kushtetuese për çështjen e mosdekretimit të ministrit?

Kërkesa, që mund të bëjë Këshilli i Ministrave, si organ publik pranë, ose subjekti i cili është e parashikuar ne në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë për të bërë ankimin në Gjykatën Kushtetuese, sa i përket edhe raportit midis propozimin dhe emërimit është një kërkesë normale, ligjore është një kërkesë, që vjen për shkak të konfliktit midis Presidentit dhe Kryeministrit në propozimin e një ministri, por, nga ana tjetër, kam përshtypje dhe jo vetëm kam përshtypje, por është kaq e vërtetë edhe mosekzistenca, apo mungesa e ekzistencës të Gjykatës Kushtetuese kështu që çdo lloj ankimi, qoftë edhe zënia e radhës për të vajtur një subjekt në Gjykatën Kushtetuese. Mua më duket më tepër një lojë e karakterit politik, se sa një zgjidhje e vërtetë, sepse Gjykata Kushtetuese nuk ka as korumin minimal të pranimit ose jo te një çështjeje, siç është edhe ajo që duhet zgjidhur në të vërtetë. Sepse mund të ishte në një vijim të një gabimi që ka bërë Gjykata Kushtetuese në vitin 2017-n, mos gaboj, që President ishte Nishani dhe pati probleme me mazhorancën, sa i përket emërimit, apo propozimit të kryeministrit të asaj kohe për dy ministra, shkarkimin e dy ministrave dhe emërimin e dy ministrave të rinj, kështu që unë mendoj se ne vazhdojmë jo në analizë, se unë nuk jam njeri i analizës, por ne vazhdojmë në ngërçin më të madh historik, të mungesës së një institucioni, që është shumë i rëndësishëm, ky debat sot do ishte zgjidhur, në qoftë se do ekzistonte Gjykata Kushtetuese, pse jo dhe normalisht, nuk do kishte kaq dilema, që a duhej që kryeministri të propozonte, ose jo, duhej presidenti të emëronte, apo jo. Kur ajo dispozitë me të vërtetë ka probleme, sepse është shumë e ftohtë, shumë e thatë dhe për shkak të mungesës së dëshirës së gjithë kryeministrave, në mënyrën historike mbas 1998-s për ta interpretuar këtë, për t’ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese, siç janë drejtuar në raste të tjera për ta interpretuar dhe për të dhënë një shpjegim se deri ku është kufiri i propozimit dhe ku fillon kufiri i emërimit, gjë që e cila do të zgjidhte çdo lloj konflikti. Nuk është rasti i parë që kryeministri, apo si autoritet publik, apo si Këshilli i Ministrave si subjekt i interesuar mundë t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese edhe për non sens, apo konflikte të tjera të karakterit kushtetues, sepse kemi pasur gjithë këto probleme sot dhe mot që Gjykata Kushtetuese nuk funksionon. Tani, a është faj i Reformës në Drejtësi kjo, a është mungesa e dëshirës për të bërë Gjykatë Kushtetuese, tashmë nuk ka pse argumentohen kështu në mënyrën filozofike, gjërat tani janë të qarta. Mazhoranca, pse jo edhe Kuvendi nuk e kanë dëshirën për t’i dhënë zgjidhjen ca gjërave, kur them unë ca gjëra, do të thotë e vulgarizoj fenomenin, ca momente, të cilat janë sa ligjore, edhe kushtetuese përfytyroni në çfarë pozicioni ndodhet qytetari sot, kur ka interesa pronësore, ka interesa të lirisë, ka interesa të karakterit ekonomik, ka interesa të shumanshme, të cilat nuk gjejnë përgjigjen në mungesë të aksesit, thuhet në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut, apo në konventës Evropiane në mungesë të aksesit të publikut në gjyqësor që është Gjykata Kushtetuese.

-Është një lloj amatorizmi ky, lënia jashtë e Gjykatës Kushtetuese, apo është një çështje që nuk e bënin dot? Reforma në Drejtësi ka defekte dhe ne nuk arrinim dot deri te Gjykata Kushtetuese?

– Një fenomen duhet parë në shumë vështrime në shumë kënde, unë mendoj se është thënë me kohë që ne do ta kemi shumë shpejt problemin e konfliktit, ne do kemi shumë shpejt problemin e mungesës së aksesit në Gjykatë, domethënë, që ne nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, ne nuk kemi Gjykatë të Lartë në një farë mënyre, se sa kohë ndoshta mund të funksiononin kolegjet me tre, po përsëri nuk e zgjidhin, sepse ngarkesa dihet, ne nuk do kemi Gjykatë Apeli. Ne do varfërohemi në ekzistencën e Gjykatave e te rretheve gjyqësore, gjykatat e faktit me sa shikoj unë me çfarë dimensioni, sepse vetë ligji e ka pamundësuar sistemin e parimin të enëve komunikuese, saç dalin, të futen në gjyqësor, vet Shkolla e Magjistraturës, e cila për mua nga Kuvendi duhet iniciativë urgjente që të zgjerohet numri i pranimit, të paktën që të zvogëlohet dhimbja për 3 a 4 vjet, ose për 5 vjet apo për 10 vjet. Ne sërish do të jemi në atë që do shkojmë në një pamundësi të zgjidhjeve të problemeve me Gjykatat, në qoftë se deri dje kam thënë që shiko, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë do shkojë në nokaut, tani unë po them që Gjykata e Apelit dhe Gjykata e faktit do shkojë në pamundësi funksionimi.

– Pothuajse gjithë sistemi do kalojë në kolaps?

– Ne jemi tani si në ‘91, ’93-shin, sa i përket sistemit të drejtësisë.

– Në atë kohë u zgjidh me këtë punën e 6-mujorëshit…

– Por jo me drejtësinë, atje nuk janë zgjidhur pronat, mban mend që u shkatërrua gjithçka…

– Po, por…?

– Ne jemi në këtë lloj momenti tani, ne ende vazhdojmë të shkelmojmë, nuk ka rëndësi pozitivisht apo negativisht, ne ende vazhdojmë të shkelmojmë atë çka është krijuar dhe për shkak të bashkëpunimit për afrimin ligjor me institucionin ndërkombëtar, a është eksperiment kjo, a është ndonjë dilemë e karakterit përtej asaj, që konceptojmë ne, unë nuk e kam të qartë dhe nuk dua t’i futem këtij iluzionit, por një e vërtetë është, që shumë shpejt ne të dy, në qoftë se do kemi një problem me të drejtën, nuk do ta zgjidhim. Përfytyrohet tani çështja e emërimit, apo e propozimit, ajo është si një fjalë popullore qe të shtyn sipër dhe fillon e të bie në fytyrën tënde që shprehur vulgarisht ky lloj fenomeni po ndodh në Shqipëri. Unë nuk e di se sa të përgjegjshëm dhe pse ndodhin këto.             Pa dyshim që ndodhin për shkak të mungesës së njerëzve me eksperiencë, çështja e propozimit dhe emërimit nuk është hera e parë që ndodh konflikti me Presidentin, në qoftë se ju mbani mend në fund të mandatit të mazhorancës të 2004-s apo 2005-s bëhet fjalë të asaj kohe, ne kemi qëndruar rreth 3 a 4 muaj me zëvendës ministra, mos harroni do t’ju them një gjë të veçantë, që s’e kemi thënë deri tani, ose s’e keni indentifikuar. Bëhet fjalë për të njëjtit njerëz.

-Për Zotin Fatmir Xhafa?

-Po, po, e ai i asaj kohe ka qenë.

– Në atë kohë ai ishte ministër i Drejtësisë…?

– Dakord, pra ka qenë e njëjta gjë, domethënë bëhet fjalë për të njëjtën gjë, ne ngelemi historikisht brenda të njëjtës dilemë kushtetuese, me të njëjtit njerëz dhe ende se kemi mësuar…

-Gjithsesi, ky është viti i parë i mandatit të dytë, pra ka edhe 3 vjet, ti nuk mundë të shtysh dot 3 vjet me zëvendësministra, sepse qeveria nuk është vetëm palë që mbron, është edhe palë që padit, apo jo? Janë gjyqe që i bën qeveria.

-Patjetër është palë në procedim ne duhet të pranojmë një gjë, që nga 2004 deri më sot ritmi i demokracisë ka rënë, do ta pranojmë, për shembull, me çfarë pajtohet sot Këshilli i Ministrave dhe kryeministri, kur vendos 4 zëvendësministra dhe njëri prej tyre luan rolin e ministrit, është e thjeshtë për të gjetur dhe për të indentifikuar referencën ligjore që vjen nga ligji 9000 për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave, i cili të devijon te Kodi i Procedurës Administrative te autoriteti publik e tjera tjera. Ka titullari, i cili ka mundësi të nxjerrë, të prodhojë administratën, por, nga ana tjetër, ty të humbet sistemi, se ti sistemin nuk e ke të emëruar, ti e ke zgjedhur, edhe ministri duke qenë i barasvlershëm me deputetin, konsiderohet si njeri, i cili vjen për shkak të zgjedhjeve, nuk vjen për shkak të një raporti tjetër, në momentin që ti vendos që rolin e ministrit, pra organit të zgjedhur i barasvlershëm me deputetin, nuk e di po e shpjegoj shumë thjesht, mendon që ta suprimosh me njëri, që nuk është as i zgjedhur, as vjen me barasvlershmërisë me deputetin, atëherë çfarë ke bërë ti, ti i ke thënë Enkelit dhe Sokolit që unë nuk kam nevojë për ju, unë nuk kam nevojë për zgjedhjet dhe kjo çfarë tregon? Tregon ulje të pendulit dhe të Demokracisë dhe kjo është fare e thjeshtë. A ka arritur ky Kryeministër, duke bërë një gjë të tillë, në kufijtë e arbitraritetit, pse jo, mungesa e Gjykatës Kushtetuese jo vetëm kryeministri është mendësi. Kështu e kishte edhe Berisha nga fundi, se këta vazhdojnë aty ku e lë tjetri, të vetmin raport që këta nuk kanë pozitiv është ligji dhe Kushtetuta.

– Ky është raport thelbësor…?

– Sepse këta nuk e njohin shtetin, edhe ata që i këshillojnë, ata ose ndryshe e themi mes miqsh, të këshilluarit, se këshilltarët janë të këshilluar, nuk mendon se këta pyesin këshilltarët. Normalisht, edhe ata i thonë “okay” ke të drejtë vetëm gjejnë sensin ligjor atje neni 34 i Kodit Procedurave Administrative paragrafi parë, i cili i referohet nenit 4 të ligjit për organizim të Këshillit të Ministrave mjafton që autoriteti publik nxjerr aktet administrative. Tani, si mund të ecet, a mund të ecet si në 2004-n? Po në 2004-n, mbani mend ju, ka qenë një debat i madh edhe për ato 3 muaji, jo për 4 vjet. Atëherë, o do ta pranojmë këtë sikur sot do vijë propozimi i kryeministrit për ministrin. Sërish Meta mendojmë sikur nuk do ta emërojë, në të vërtetë ai mund ta emërojë, se ajo është çështje pazari, me sa di unë. E kam thënë dhe diku tjetër, pazar i karakterit politik, domethënë, mund ta emërojë pse jo, me sa di unë fryma e ezaurimit e sqarimit të gjërave u arrit një rezultat siç e do.

– Problemi nuk është tani tek emërimi, është te triumfalizmi i njërës palë apo tjetrës?

– Mjafton, që për shembull, Meta me të drejtën e Kontrollit të Lartë të Shtetit, në qoftë se Metës i japin Kontrollin e Lartë të Shtetit, i japin edhe nja dy institucione të tjera kushtetuese.

– Çështja është këmbimi, sepse politika shqiptare ka gjithmonë triumfalizëm, domethënë edhe kur hodhën shqiponjën dikush ishte triumfalist?

– Secili për vete këta, njëri në pjesën e tij thotë që unë jam triumfator dhe ana tjetër kështu. Normalisht ne kemi një njeri, që s’flet dhe një njeri që flet shumë. Kemi njërin, domethënë Presidentin, që nuk flet shumë, kemi një kryeministër që fillon në mëngjes e s’dihet kur mbaron, normalisht triumfator para njerëzve është kryeministri, ndërsa triumfator në akt është Presidenti i Republikës. Por kjo nuk ka rëndësi fare për një qytetar, qytetari është para një njeriu, që nuk resht së foluri dhe para një njeriu, që mbasi nuk dekreton, mbasi nuk firmos…

– Qytetarët mund të bëjnë dhe pyetjen më të thjeshtë: Çfarë ndryshimi kishte Sandër Lleshaj, kur nuk e dekretove dhe tani që e dekretove?

– Ne mendojmë se qytetarët mendojnë kështu, të vetmit që nuk mendojnë për qytetarët janë këta të dy, kryeministri dhe presidenti. Se ata sot shikojnë njëri tjetrin në sy për të ngritur një kompromis mbi kë, mbi Kontrollin e Lartë të Shtetit. Mbi kë, mbi Gjykatën Kushtetuese, emërimet e më pasme sa ç’kanë në dorë, mbi kë, mbi ndonjë, siç e bënë me Shefin e Shërbimit Informativ.

– Atëherë politika qenka një lojë shahu me gjithë mend…

– Lojë shahu, por të paktën ka ca gurë, këta e kanë pa gurë fare, domethënë…

– Unë do të doja mendimin tuaj si kostitucionalist, me që nuk ka dhe shumë të tillë, në fakt, Presidenti Meta duhet ta dekretojë? Apo është akt jo formal dekretimi?

– Ne kur kemi bërë Kushtetutën në 98-n duhet t’ia kujtoj edhe atyre që kanë qenë në komision, parimi themelor i ngritjes së institucioneve, ose organeve për pasojë të Kushtetutës ka qenë kompromisi midis organeve; ta zëmë kur bëheshin anëtarët e Gjykatës së Lartë duhej të pajtoheshin të arrinin në kompromis Kuvendi, Presidenti dhe mazhoranca. Po ta shikosh me kujdes, ligjbërësja e asaj kohe nuk e ka bërë rastësisht atë që propozon dhe emërim për t’i dhënë mundësi dy organeve që janë shumë të rëndësishme produkte të Kuvendit, që është kryeministri dhe presidenti për të arritur kompromisin për emërimin, domethënë vetë dispozita e mbart brenda nivelin e kompromisit. Mirëpo çfarë ndodh? Tek ne nuk ka kompromis, ose tek ne ka vetëm rregullime interesash, në momentin që kalon nga kompromisi i karakterit politik, ose nga politika e kompromisit te rregullimi i gjërave, i interesave personale, atëherë prishet, jo vetëm dispozita vetë, por dhe fryma, ndaj them unë tek ne mund të bëhen shumë thjesht diktator, mjafton që ti t’i largohesh frymës së dispozitës. Po Kushtetuta, more vëlla, për çfarë është Kushtetuta? Kushtetuta është dimensioni, i cili fut të gjithë brenda, për të realizuar një kompromis, në momentin që këta që ofertohen, janë organe, të cilat duhen të lidhen për shkak të Kushtetutës, ndahen për shkaqe interesash personale. Kushtetuta nuk funksionon dhe Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë detyrën e tij. Për mua, zanatçi, Presidenti i Republikës ka të gjithë tagrin për të emëruar dhe shkarkuar ministrin. Kryeministri shkon deri te propozimi. Çështja është, që a duhet të shpjegohet Presidenti i Republikës për mungesën e dekretit për emërimin? Në thelb sistemi kuvendor parlamentar duhet ta pranojë këtë, që presidenti i Republikës kur nuk nënshkruan një ministër në mënyrë konfidenciale, i drejtohet kryetarit të Kuvendit dhe i thotë: Unë nuk mund të firmos për dy tre arsye, sepse ky dekret do të shkojë në Kuvend.

– Pra janë tre palë atëherë…?

– Po.

– Është kryeministri që propozon, Presidenti që firmos dhe kryetari i Kuvendit?

– Kuvendi pastaj krijon mazhorancë, dhe kjo lloj mazhorance sot është e kaluar.

– Kushtetuta që ju e keni hartuar është një ndërthurje institucionesh për të gjetur kompromis?

– Prandaj Kushtetuta ta ofron kompromisin, ta detyron kompromisin, në një vend ku ka polaritet interesash. Çfarë bëmë ne në 98-n? Ne evokuam, provokuam, dimensionuam në një ligj, i cili të detyron e të imponon kompromisin. Çfarë ndodh tani? Këta nuk kanë imponim, nuk e mbartin imponimin, sepse këta përdorin çdo lloj defekti të një gjëje, vetëm në interesin e tyre personal.